Mësimdhënësit të brengosur, kërkojnë mësim online për shkak të mos respektimit të protokolleve Covid-19

    Foto Ilustruese

    Një javë pas fillimit të vitit shkollor, numri i nxënësve dhe mësuesve të infektuar në shkollat ​​fillore dhe të mesme në vend po rritet, por autoritetet qetësojnë duke thënë se situata e mësimdhënësve dhe nxënësve është nën kontroll. Disa mësimdhënës gjithashtu mendojnë se situata është alarmante. Ata thonë se atyre nuk u është kërkuar një zgjedhje apo alternativë tjetër, ndërsa shprehen të gatshëm që mësimin ta zhvillojnë edhe në distancë. Edhe pse shumica e tyre janë vaksinuar, ata megjithatë nuk besojnë se vaksinimi do t’i mbrojë nga infektimi me Kovid-19, dispomos tani kur janë regjistruar raste të shumta të infektimeve të atyre që kanë marrë dy dozat e vaksinave. Problem në vete qëndron edhe në mosrespektimin e masave anti-Kovid dhe protokolleve në klasa, pasi nxënësit, kuptohet nuk mund të qëndrojnë 5 orë me maskë. “Realisht nxënësit mes vete afrohen, grupohen dhe nuk e mbajnë maskën ashtu siç duhet. Qëndrimi i tyre në numër të madh në klasë, pa distancë dhe duke u grumbulluar gjatë pushimit në shkollë, është më se e qartë që të gjithë mundet të jemi më afër infektimit me koronavirus dhe kjo na brengos të gjithëve”, thekson një mësues nga një shkollë në Shkup.

    Profesori Naser Miftari për gazetën tonë thotë se brengosja tek mësimdhënësit ekziston ndërsa protokollet për nxënësit janë jo të favorshme dhe kjo nuk ndjek cilësinë e duhur si për arsim, por edhe për kujdes shëndetësorë. “Brengosjet e mësimdhënësve assesi të zhduken. Kushtet në të cilat jemi sot, as për së afërmi nuk ngjasojnë në mësimdhënie dhe mësimnxënie me qëllimet – synimet që ka ky proces. Ato më shumë kanë të bëjnë me një skenë teatrore, qëllime të cilat shihen dhe njihen vetëm nga ‘vetëregjisorët’ e skenave të këtilla, sepse maskat nuk kanë qenë dhe nuk mundë të jenë kurrën e kurrës mjet dhe vegël e mësimdhënies. Protokollet nuk janë të qarta në shumë detaje që ju përkasin kompetencave arsimore dhe arritjes së cilësisë në mësim”, deklaron Miftari. Sipas tij, numrat që jepen nga organet kompetente mbi situatën e përgjithshme në vend, aspak nuk janë në favor të pritshmërive. Ai thotë se mungesa e distancës në klasë, mënyra e transportit…, mbajtja jo e duhur e maskave nga më të vegjlit – që kuptohet nuk kanë edhe faj, gjithnjë e më shumë tregojnë se aktualisht na duhet mësim onlajn.

    Deri sot, në nivel shteti, 43 nxënës janë infektuar me virusin Kovid-19, ndërsa numri i mësimdhënësve tejkalon numrin 20. Në Shtip, Veles, Kumanovë dhe Tetovë janë regjistruar infektimet në klasa, ndërsa autoritetet arsimore qetësojnë duke thënë se, infektimet kanë ardhur nga shtëpitë dhe jo nga brenda shkollës. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska në prononcimin fundit të saj thotë se numri i mësimdhënësve dhe nxënësve të infektuar me virusin korona është 0.02 për qind, që sipas saj kjo shifër nuk detyron kthimin në mësim në distancë. “Të gjitha protokollet të rekomanduara për mbrojtjen nga virusi po respektohen. Ekziston një shifër shumë e vogël prej 0.02 për qind të infektimeve të disa prej mësimdhënësve dhe nxënësve në disa shkolla të vendit, por kjo nuk nënkupton që situata nuk është nën kontroll”, informon Carovska./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Thirrje për vetëdijesim: T’a mbrojmë ambientin

    Lajmi i rradhës

    SPB-Tetovë: Emshiut në veturë i kanë ngjitur letër “Ke kujdes”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë