Ajri vazhdon të jetë i ndotur në Maqedoninë e Veriut

    Nga viti 2019 deri në vitin 2021, Maqedonia e Veriut ka grumbulluar rreth 13.6 milionë euro nga 3 prej 4 taksave ekologjike në vend. Kështu tregon raporti i Revizionit Shtetëror, sipas të cilit, megjithatë institucionet nuk janë të koordinuara, nuk ka një sistem adekuat informacioni ku do të mblidheshin të gjitha të dhënat për vlerësimin dhe koordinimin e përbashkët të të gjitha institucioneve që marrin para nga qytetarët në emër të taksës ekologjike. Revizorët gjithashtu kritikuan shtetin se nuk e ka një pasqyrë të qartë se si shpenzohen paratë e grumbulluara nga taksa ekologjike. Edhe paratë në buxhet të destinuara për mbrojtjen e ambientit nuk realizohen plotësisht. Sipas revizorëve, nga viti 2019 deri në vitin 2021 janë realizuar vetëm 61% e projekteve të parashikuara. Në vitin 2020, Maqedonia e Veriut ka investuar vetëm 0.06% të Prodhimit Bruto Vendor për mbrojtjen e mjedisit.

    Por jo vetëm Maqedonia grumbullon miliona euro në emër të taksës ekologjike, mjete këto që jo gjithmonë përkthehen në rezultate të dukshme për mjedisin. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përdorin të ashtuquajturën “taksë ekologjike”, me qëllim që të shkurajojnë qytetarët nga ndotja e mjedisit jetësor. Paratë e grumbullura në teori duhej të destinoheshin pikërisht për masat për mbrojtjen e mjedisit. Por, analiza të ndryshme në rajon tregojnë se këto para nuk sjellin efekte të prekshme dhe proporcionale me koston që paguajnë qytetarët.

    Shqipëria, për shembull, me 4 taksa ekologjike mbush 10% të buxhetit. Shteti fqinj grumbullon qindra milionë euro në buxhet nga 4 taksat mjedisore në fuqi. Sipas raportit të fundit nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë, që i referohet vitit 2021, Shqipëria për një vit ka grumbulluar 385 milionë euro për këtë qëllim. Katër taksat ekologjike që paguajnë qytetarët e Shqipërisë janë taksat e energjisë, taksat e transportit, taksat e ndotjes dhe taksat e burimeve natyrore. Në vitin 2021, këto taksa kanë kontribuar me 11.7% në skemën e përgjithshme të taksave dhe kontributeve të shtetit, ndërsa zënë peshë prej rreth 2.8% në Prodhimin Bruto Vendor. Por, vërejtjet në Tiranë janë se këto mjete nuk riinvestohen tërësisht për mbrojtjen e mjedisit për çdo vit dhe Shqipëria vazhdon të ketë probleme të ndryshme ekologjike.

    Edhe në Kosovë, që nga viti 2012 paguhet taksa ekologjike gjatë regjistrimit vjetor të automjeteve. Gjatë vitit 2021, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rreth 4.5 milionë euro janë grumbulluar nga taksa ekologjike për makinat në Kosovë. Megjithatë, ndotja e ajrit nga makinat vazhdon të mbetet problem serioz në Kosovë. Sipas raportimeve, vlerësohet se grimcat e dëmshme në ajër janë përgjegjëse për rreth 800 vdekje të parakohshme çdo vit në Kosovë. Edhe në Kosovë nuk ka një pasqyrë të qartë se si shpenzohen paratë nga taksa ekologjike dhe cilat janë efektet pozitive nga projektet e financuara me këtë taksë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mos i detyroni fëmijët ta përqafojnë dikë kur ata nuk duan

    Lajmi i rradhës

    RRITJA E PAGËS MINIMALE | 2023-ta, mes dëshirave dhe realitetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë