RRITJA E PAGËS MINIMALE | 2023-ta, mes dëshirave dhe realitetit

    Qytetarët do të donin pagë minimale prej 25.000 denarë e më shumë, por besojnë se në vitin 2023 do të ketë rritje të lehtë të pagës minimale. Ata nuk janë të kënaqur me standardin e deritanishëm. Ata thonë se paga minimale mjafton vetëm për të plotësuar nevojat elementare të njeriut, por nuk ka si të mbajnë një familje me pagën minimale.

    “Ato para janë vetëm për të ushqyer një person, edhe atë minimalisht. Minimumi duhet të jetë së paku 25.000 denarë. Ndoshta do ta rrisin pagën minimale për 10 për qind. Nuk besoj më, nuk bëhet, edhe shefat duan të bëjnë para”, shprehet një qytetar.

    Qytetarët janë të bindur se edhe me një pagë minimale më të lartë, standardi i qytetarëve nuk do të përmirësohet dukshëm, sepse shumë produkte dhe shërbime janë shtrenjtuar. Ata thonë se janë të zhgënjyer nga fuqia e ulët blerëse.

    “Mendoj se do të ketë rritje minimale, për 1000 apo 1500 denarë më shumë. Minimumi duhet të jetë mbi 35.000 denarë. Gjërat nuk janë aspak në rregull, ndryshojnë nga dita në ditë, nuk mund të merret një siguri dhe do të jetë e vështirë për të rinjtë”, tha një qytetar tjetër nga Shkupi.

    Në muajin mars pritet që paga minimale të jetë mbi 20.000 ose afër 21.000 denarë, por rezultati përfundimtar mbetet të shihet në periudhën e ardhshme. Rritja e radhës e pagës minimale, siç paralajmëron Qeveria, do të bëhet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Rritja do të jetë në përputhje me metodologjinë e re për të cilën është rënë dakord gjatë negociatave ndërmjet Qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve në shkurt të këtij viti, kur u arrit marrëveshje për pagën minimale prej 18.000 denarë.

    “Me ndryshimet në Ligjin për pagën minimale u vendosën kritere me të cilat rritja e pagës minimale do të bëhet në përputhje me metodologjinë e parashikuar. Tashmë janë futur dy kritere të reja më të favorshme me të cilat do të jetë përshtatja e pagës minimale: 50 për qind e rritjes së pagës mesatare neto të paguar në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin paraprak, sipas të dhënave të Enti Shtetëror të Statistikave, dhe 50 për qind e rritjes së indeksit të kostos së jetës, për vitin paraprak, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Kriteri i tretë është që shuma e pagës minimale të mos jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare të publikuar sipas ESSH. Metodologjia e re e përcaktuar në këtë mënyrë, përveç rritjes së pagës minimale, garanton qëndrueshmëri dhe rritje të vazhdueshme të pagës minimale në raport me rritjen e produktivitetit të punës. Kjo do të thotë se shuma prej 57 për qind do të jetë e garantuar dhe nuk do të varet nga vullneti i subjekteve politike që janë në pushtet dhe as nga partnerët socialë”, sqaron Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

    Siç njofton ESHS, paga mesatare mujore neto e paguar për punonjës, në shtator 2022, ishte 32.553 denarë. Të dhëna të reja për shumën e pagave do të kemi më 22 dhjetor, kur ESHS do të publikojë një njoftim të ri. Shporta minimale e konsumit, e njoftuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) në nëntor ka “peshuar” 51.714 denarë. Sa i përket pagës minimale, në të kaluarën ajo ishte 15.000 denarë, më parë ishte 12.000 denarë dhe gradualisht u rrit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ajri vazhdon të jetë i ndotur në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Një botëror madhështor!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë