Akoma asnjë përgjegjës për vdekjen e foshnjës 14 muajshe

    “Pavarësisht një sërë raporteve që kanë dalë tashmë nga institucionet shëndetësore, lidhur me vdekjen e foshnjës Ryja Sulisi dy javë më parë, ende asnjë përgjegjës. Nga Klinika për sëmundje të mushkërive “Kozle” u shfajësuan, duke thënë se të gjithë mjekët e përfshirë në trajtimin e fëmijës kanë ndërmarrë dhe kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, përfshi terapinë dhe protokollet mjekësore. Megjithatë, institucionet duket se po blejnë kohë me deklarata pingpong. Nga Ministria e Shëndetësisë, asnjë masë, qoftë edhe të paktën ajo e pezullimit të mjekut përgjegjës”.

    Mjekët nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve të cilët janë etiketuar si “përgjegjës” ende vazhdojnë të punojnë, e vetmja masë ndaj tyre që është marrë, është largimi nga orët e kujdestarisë. Për masa më rigoroze, drejtori i klinikës, Rexhep Memedi, nuk e sheh të arsyeshme të ndërmerren pa pasur konkluzionet e Odës së Mjekëve.

    “Mjekët me emra të përveçëm, për të cilët kemi vërejtje në raport, ata janë larguar nga orari i kujdestarisë, por kuptohet vazhdojnë të vijnë në punë derisa të kemi masa konkrete të propozuara nga Komisioni për Çështje Etike pranë Odës së Mjekëve. Një ndër masat që morëm ne urgjentisht ka qenë largimi i tyre nga orari i kujdestarisë. Më tepër duhet të presim raportin apo konkluzionet të cilët do ti propozon Komisioni nga Oda e Mjekëve. Bëhet fjalë për dy mjek specialistë”, tha Rexhep Memedi, drejtor i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve.

    Mjekët të cilët janë të përfshirë në rastin e foshnjës 14 muajshe si në klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve ashtu edhe në Kozle, do të vazhdojnë të punojnë, deri sa të ketë vendim përfundimtar nga Komisioni Etik i Odës së Mjekëve. Raportet e Inspektoratit Sanitar Shëndetësor, dhe Komisionit të ngritur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, tregojnë se ka edhe lëshime mjekësore gjatë trajtimit të foshnjës 14 muajshe e cila për shkak të bronkopneumonisë masive humbi jetën më 5 tetor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Autokontradiktat e opozitës…

    Lajmi i rradhës

    Arrestohen 15 doganierë dhe një polic – dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë