AKOMA RADHË PARA SPORTELEVE! / RMV larg shërbimeve digjitale

    Në më shumë se 20 vite në Maqedoninë e Veriut nga Qeveri të ndryshme janë dhënë premtime për digjitalizimin e shërbimeve të ndryshme. Nuk kanë munguar as plane, strategji, madje ka patur edhe bashkëpunimi me Estoninë – si një nga shembujt më të ndritur të këtij procesi. Një pjesë më e vogël e shërbimeve publike edhe ofrohen përmes internetit, mirëpo akoma si shtet jemi ndër të fundit në Evropë sa i përket digjitalizimit të shërbimeve publike. Akoma kemi raste të shumta të pritjes në radhë të qytetarëve në sportele, dhe humbjes së kohës për të marrë një dokument apo vërtetim përkatës. Akoma kemi në përdorim letrat në vend printimit digjital. Dobësi është edhe vonesa e lidhjes së institucioneve në një sistem. Me fjalë tjera, në vend se të thjeshtohet dhe racionalizohet burokracia, qytetarët vazhdojnë të presin me ditë për shërbimet administrative.

    “Pas digjitalizimit të ngadaltë të institucioneve shtetërore qëndrojnë disa faktorë, ndër të cilët më të spikaturit janë mospërputhja e kuadrit ligjor, mungesa e strategjisë së Teknologjisë Informatike dhe mospërputhja në përdorimin dhe promovimin e zgjidhjeve ekzistuese si Portali Kombëtar për shërbimet elektronike, i cili ofron një numër shumë të vogël të E-shërbimeve reale, të cilat i shfrytëzojnë një numër shumë i vogël i qytetarëve”, thekson Mila Josifovska nga Fondacioni “Metamorfozis”.

    Maqedonia renditet ndër të fundit në Evropë në digjitalizimin e shërbimeve publike, tregojnë të dhënat e Indeksit E-Government. Raporti i Progresit për këtë vit thekson se sa i përket shërbimeve digjitale, shumica e shërbimeve administrative ofrohen si online ashtu edhe offline, përmes E-portalit kombëtar për shërbimet, duke përfshirë lehtësirat për personat me nevoja të veçanta. Portali elektronik nuk ka përfunduar ende përmirësimin e tij me 135 shërbime të reja elektronike. Më së shumti shërbimet e zakonshme, të tilla si lëshimi i dokumenteve personale, nuk janë të disponueshme në internet.

    Edhe raportet e tjera si Indeksi i OKB-së tregojnë se në Maqedoni jepet vetëm një numër i vogël i shërbimeve onlajn. Sipas këtij indeksi digjital, Maqedonia e Veriut ofron shërbime vetëm në 170 institucione publike, nga gjithsej rreth 1300. Për më tepër, raporti i këtij viti thekson se Shqipëria dhe Republika e Moldavisë kanë kaluar nga grupi i lartë në grupin shumë të lartë të EGDI, duke shënuar progres të rëndësishëm në zhvillimin digjital. Pavarësisht kësaj, peizazhi digjital i Evropës nuk është tërësisht uniform. Shtatë vende si Bjellorusia, Mali i Zi, Monako, Maqedonia e Veriut, Andorra, San Marino dhe Bosnja dhe Hercegovina janë në grupin e lartë të EGDI, duke treguar zonat që kanë nevojë të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.

    Njëherësh, të dhënat zyrtare tregojnë se për momentin, vetëm 8 për qind e popullsisë totale të moshës 18 deri në 64 vjeç është e regjistruar në Portalin Kombëtar të Shërbimeve Elektronike. Revizioni shtetëror në një raport të publikuar në qershor 2024 me titull “Digjitalizimi i ngadalshëm, promovimi i pamjaftueshëm dhe shfrytëzimi i dobët i shërbimeve elektronike” tregon se nga viti 2020 e në vazhdim janë ofruar vetëm 65 mijë shërbime elektronike për 110 mijë qytetarë të regjistruar përmes portalit të shërbimeve elektronike. Nga revizioni u konstatua se nuk ka sinkronizim të statistikave mes portaleve të institucioneve që ofrojnë shërbime elektronike dhe portalit kombëtar dhe për këtë arsye, nuk është e mundur të përcaktohet numri total i shërbimeve elektronike të ofruara në vend.Në sistemet e Portalit nacional për shërbime elektronike janë investuar 829.167 mijë denarë nga projektet buxhetore dhe IPA. Në portal janë regjistruar 112.657 përdorues që kanë kërkuar 64.700 shërbime elektronike. Duke marrë parasysh mjetet e investuara në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e portalit kombëtar të shërbimeve elektronike dhe numrin e shërbimeve elektronike të kryera, del se çmimi i një shërbimi të kryer përmes këtij portali arrin në 12.815 denarë. Qasja institucionale individuale ose e fragmentuar për zhvillimin e zgjidhjeve elektronike të pavarura, burimet financiare të investuara për mirëmbajtjen e tyre, rezulton në një përdorim joracional të burimeve.

    Shfrytëzimi i këtyre qendrave një pikë për shërbime në dy vitet e fundit është: Ohri me 0.9; Tetova me 7.57; Manastiri me 62.9 dhe Kumanova me 146 qytetarë në muaj, pra nga 0.2 në 24.33 banorë për të punësuar në qendër në muaj. Duke pasur parasysh këtë, disa nga qendrat ETU jashtë Shkupit nuk i arritën qëllimet e synuara. Në raportin e Komisionit Evropian për Indeksin e E-Qeverisjes, për vitin 2021 dhe 2022, Republika e Maqedonisë së Veriut pozicionohet në vendin e fundit, ndërsa në Digjitalizimin e shërbimeve publike brenda Evropës, në vendin e parafundit.

    Për tejkalimin e kushteve të deklaruara janë bërë rekomandime me qëllim përshpejtimin e digjitalizimit në vend, futjen e një numri më të madh të shërbimeve elektronike, sinkronizimin e profileve të përdoruesve të qytetarëve nga portalet e ndryshme me portalin kombëtar, pranimin më të gjerë të dokumenteve elektronike dhe shfrytëzim më i madh i portalit kombëtar si një sistem qendror i vetëm i identifikimit, konstaton raporti i Revizorit. Ka edhe mungesë të stafit të kualifikuar të Teknologjisë Informatike për të mbështetur shërbimet elektronike të ofruara nga institucionet, për këtë arsye institucionet i kryejnë këto aktivitete me operatorët ekonomikë. Planet ishin që të përdornin identitetin elektronik për të shmangur sportelet nëpër institucionet, pavarësisht nëse bëhet fjalë për nënshkrimin apo marrjen e dokumenteve. Një nga opsionet ishte që qytetarët të merrnin një token ose të mund të nënshkruanin në mënyrë elektronike me fjalëkalimin dhe emrin e përdoruesit nëpërmjet një kompjuteri personal ose pajisjes celulare.

    Nga Ministria e re për transformim digjital, thonë se vizioni i tyre është dixitalizimi i plotë i shërbimeve publike dhe integrimi i plotë i sistemit të shërbimeve elektronike. Parashikohet përmirësimi i kapaciteteve të institucioneve publike për ofrimin e e-shërbimeve efikase, ngritja e shkrim-leximit digjital të qytetarëve dhe subjekteve afariste për shfrytëzimin e e-shërbimeve dhe rritja e përdorimit dhe njohja e qytetarëve me këto shërbime.

    “Maqedonia e zgjuar: Shërbime publike të disponueshme me një klikim” është rubrika në programin zgjedhor të VMRO-DPMNE-së në të cilën thuhet se Ministria e sapoformuar do të punojë në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për transformimin digjital të të gjitha departamenteve në vend. Me fokus të veçantë në aplikimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi, arsim, financa, sociale, bujqësi, qytete të zgjuara. Në Program thuhet se shërbimet publike do të digjitalizohen plotësisht, do të futen shërbimet celulare, do të trajnohen qytetarët për përdorimin e shërbimeve digjitale, përfshirja digjitale e personave me aftësi të kufizuara, siguria kibernetike, forcimi i kapaciteteve të sektorit publik për të punuar me të dhënat dhe më shumë, internet i shpejtë në të gjithë vendin, zbatimi i një rrjeti 5G, transmetim i sigurt informacioni për institucionet shtetërore etj.

    Për periudhën e ardhshme, ministri Stefan Andonovski veçoi aplikimin e programit të BE-së si një projekt me rëndësi të veçantë, i cili do të na mundësojë zhvillimin e një aplikacioni celular për shërbime administrative. Bëhet fjalë për projektin e quajtur “Supper App ELI”, me vlerë 1.2 milionë euro, i cili është pjesë e nismës “Digital Europe”, e cila ka një fond prej 7.5 miliardë eurosh. Do të punohet në partneritet me Ministrinë e Transformimit Digjital të Ukrainës dhe Këshillin e njohur të Lisbonës, i cili duhet të mundësojë akses në një gamë të gjerë shërbimesh qeveritare drejtpërdrejt përmes telefonit celular.

    “Në kuadër të këtij projekti, po punohet në prezantimin e një versioni digjital të letërnjoftimeve dhe patentë shoferëve, i njohur si ID Vallet, i cili paraqet një revolucion në mënyrën e identifikimit të qytetarëve dhe qasjes në shërbimet”, thotë Andonovski.

    Gjithashtu, Ministria është duke punuar në ridizajnimin e plotë të portalit për shërbime – uslugi.gov.mk.

    “Të vetëdijshëm se faqja ekzistuese e portalit për shërbime elektronike nuk i plotëson plotësisht nevojat e qytetarëve, ne kemi hyrë në përmirësime serioze të portalit. Në një kohë të shkurtër do të kemi një portal të rinovuar për shërbimet me një pamje më intuitive dhe më të lehtë për t’u përdorur, i cili do të ofrojë funksionalitete të reja dhe aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara dhe shërbime të reja dhe do të sigurojmë që ato të korrespondojnë me nevojat reale të qytetarët. Besojmë se me këto përmirësime do të krijojmë një portal që realisht do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve tanë dhe do të shndërrohet në një pikë të thjeshtë dhe unike kontakti mes qytetarëve dhe institucioneve”, thotë thekson ministri Andonovski.

    Në vitin 2025 priten 100 shërbime të reja elektronike që do të mbulojnë një gamë të gjerë fushash, që nga procedurat administrative në Ministrinë e Brendshme, tek shërbimet nga Fondi Pensional, Ministria e Drejtësisë… Aktualisht janë rritur nga 120 në 200 shërbimet elektronike. Ministri Stefanovski paralajmëroi ndryshime edhe në rregulloren ligjore për dokumentet elektronike që lëshohen, të cilat do të synojnë tejkalimin e situatës ekzistuese të mosnjohjes së tyre në institucione të caktuara, veçanërisht, siç thotë ai, në gjykata.

    “Për momentin, kemi një absurditet në të cilin mund të nxirrni një dokument elektronik, ta merrni në adresën tuaj ose ta shkarkoni nga portali i shërbimeve gov.mk. Dhe pastaj nëse e printoni dhe e çoni në një arkiv, zakonisht ndodh në gjykata, ata do t’ju thonë se u duhet një vulë në dokument dhe se nuk e njohin dokumentin si të vlefshëm elektronik. Për këtë arsye, ne do të bëjmë ndryshime në ligjet që tashmë janë duke u përgatitur, që do të thotë se nëse institucioni ka lëshuar një dokument elektronik në mënyrë elektronike dhe ju e keni marrë në mënyrë elektronike, e keni printuar, atëherë është detyrim i marrësit – shteti apo institucionit, për ta arkivuar si dhe se vula në dokument është e vlefshme, pavarësisht nëse e keni marrë të shtypur apo e keni dërguar në version elektronik. Në këtë mënyrë do t’u japim vlefshmëri të plotë dokumenteve të lëshuara në mënyrë elektronike”.

    Një situatë e tillë nuk mund të kalohet brenda një dite, thotë ministri, por jemi të fokusuar në këto probleme të qytetarëve dhe synimi do të jetë që qytetarët të mos i nxjerrin më dokumentet, por që institucionet të mbledhin dokumentet dhe provat në mënyrë zyrtare të cilat kërkohen nga institucionet e tjera. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ulet numri i të punësuarve në gjykata – shumë lëndë, pak kuadër

    Lajmi i rradhës

    Qendra për Shëndet Publik në Gostivar, në gjendje të mjerueshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë