Akuza BDI-VLEN për politika antishqiptare dhe tradhti ndaj mërgatës

    Tensionet politike mes Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit shqiptar në pushtet, VLEN, janë rritur ndjeshëm pas deklaratave të ndërsjella lidhur me qasjen ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe regjistrimin e popullsisë, përcjell Nistori.

    BDI ka akuzuar publikisht koalicionin VLEN se po legjitimon dhe zbaton politikat nacionaliste dhe diskriminuese të partisë maqedonase VMRO-DPMNE dhe liderit të saj, Hristijan Mickoski.

    “Që në vitin 2022, lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, refuzoi publikisht t’i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë, duke aluduar veçanërisht në faktin se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme. Ai atëherë premtoi se, sapo të vinte në pushtet, do të organizonte një ‘regjistrim elektronik’ për të ‘korrigjuar’ rezultatet,” thuhet në reagimin e BDI-së.

    Sipas kësaj partie, nisma të tilla janë pjesë e një fushate të gjerë nacionaliste që synon “t’iu tregohet vendi shqiptarëve”, një slogan që sipas tyre përmbledh qasjen përjashtuese të qeverisë aktuale.

    “Gjykata Kushtetuese, Prokuroria Publike dhe institucione të tjera të kapura janë shndërruar në mekanizma për zbatimin e programit elektoral të VMRO-DPMNE-së dhe premtimeve të Mickoskit: përmes shfuqizimit të Balancuesit, rrënimit të mekanizmave kundër majorizimit, heqjes së gjuhës shqipe nga institucionet, si dhe përjashtimit të shqiptarëve nga pozitat e larta në administratë, në shërbimet e sigurisë, në mbrojtje, etj.,” akuzon BDI.

    Nga ana tjetër, koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të BDI-së, duke e akuzuar këtë të fundit për manipulim dhe përjashtim të mërgatës shqiptare gjatë regjistrimit të vitit 2021.

    “Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli antikushtetuese ndarjen në rezident dhe jorezident, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nuk jep asnjë përgjigje dhe nuk tregon se kush e mori vendimin që të fshihet mërgata shqiptare nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2021? Për çfarë çmimi u shitën shqiptarët në këtë pazar të pistë politik,” thuhet në deklaratën e VLEN-it.

    VLEN thekson se nuk është planifikuar asnjë regjistrim i ri jashtë afatit të rregullt dhe se çdo proces i tillë duhet të zhvillohet me konsensus politik dhe analiza të thelluara.

    “Regjistrimi i radhës i popullsisë do të korrigjojë mashtrimin e BDI-së dhe LSDM-së dhe të sigurojë një proces të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të pranuar nga të gjitha palët,” thekson koalicioni.

    VLEN mbron qëndrimin se mërgata shqiptare është pjesë e pandashme e kombit dhe se përjashtimi i saj përbën një njollë të rëndë për BDI-në.

    “Tradhtia që BDI i bëri mërgatës sonë nuk do të harrohet asnjëherë. Ajo është njollë e zezë në ndërgjegjen politike të kësaj partie. Por tani më, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është kthyer dinjiteti i çdo shqiptari. Kjo është një fitore e së vërtetës dhe e drejtës,” përfundon reagimi i VLEN-it.

    Përplasja mes dy blloqeve politike shqiptare po intensifikohet, në një kohë kur përfshirja e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe respektimi i të drejtave etnike mbeten çështje thelbësore në debatin politik në Maqedoninë e Veriut.

    Lajmi Paraprak

    Familjarët e viktimave të tragjedisë në Koçan kërkojnë përgjegjësi nga policia dhe spitali për mungesë ndihme emergjente

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë