Shkollat në Dibër me masa kundër bullizmit

    *Fotografi ilustruese

    Kohëve të fundit bullizmi ka tërhequr vëmendjen nëpër institucionet arsimore edhe në komunën e Dibrës. Shqetësimi është prezent si tek udhëheqësit të shkollave por edhe tek prindërit dhe mësimdhënësit. Në disa shkolla të komunës Dibër ka raste të bullizmit, por siç thonë drejtorët e shkollave, tejkalohen me sukses në kuadër të institucionit arsimor. Por, në disa shkolla potencojnë se projektet që janë realizuar pikërisht për parandalimin e bullizmit kanë dhënë rezultate prandaj edhe kjo dukuri nuk është shumë prezente. Të gjithë shkollat fillore që funksionojnë në komunën e Dibrës janë duke realizuar projekte me qëllim që bullizmi të pengohet.

    Në shkollën fillore më të madhe në komunën e Dibrës “Penestia”, ku mësimi realizohet në gjuhën shqipe dhe maqedonase, dukuria e bullizmit është prezent. Ajo është prezent në përmasa të kufizuara dhe drejtoria e shkollës me të gjithë stafin me sukses i tejkalon rastet e bullizmit. Këtë për gazetën KOHA e deklaroi drejtori i shkollës Ajet Mullarexha, i cili shton se të gjithë rastet tejkalohen pa probleme.

    “Masat që kemi ndërmarr kundër bullizmit janë të suksesshme, meqë përfshijnë programe edukuese, projektet të ndryshme, trajnime me stafin mësimor dhe biseda senzibilizuese me nxënës dhe prindër rreth pasojave që sjell kjo dukuri negative”, thotë drejtori Mullarexha dhe shton se të gjithë rastet kanë të bëjnë me dukuri negative por jo ekstreme. “Si drejtor jam i bindur se të gjithë rastet i kemi zgjedhur pa probleme dhe me sukses”, thotë ai.

    Rreth kësaj teme biseduam edhe me drejtorin e shkollës “Said Najdeni”, Arsim Miftari. Dukuria e bullizmit është prezente në forma të lehta. Ai shton se stafi drejtues i shkollës me sukses ka realizuar projekte në këtë sferë në përputhje me masat që janë marrë nga ministria e arsimit. Duke marrë parasysh se në këtë shkollë një pjesë e madhe e nxënësve janë nga familjet me probleme sociale, bullizmi paraqitet tek nxënësit sidomos tek veshja që ata mbajnë, dhe ngacmime të tjera të llojit në sferën sociale.

    “Për ta tejkaluar problemin edhe pse nuk është shumë i mbrehët, drejtoria ka vendosur që për nxënësit të kthehen uniformat. Jemi të bindur se kur janë nxënësit me uniforma shkollore, gardëroba e nxënësve nuk vjen shumë në shprehje”, thotë drejtori Arsim Miftari.

    Edhe në shkollën rurale në fshatin Kosovrast i Poshtëm “Riste Ristevski”, theksojnë se dukuria e bullizmit nëpër shkolla është marrë me seriozitet. Por siç thotë drejtori Shania Ajrovski, nxënësit nëpër fshatra në këto terrene nuk merren me ngacmime dhe bullizëm.

    Sipas tij bullizimi sidomos paraqitet atje ku nxënësit rrjedhin nga familjet më të pasura. Drejtori i shkollës së vetme të mesme në Dibër “28 Nëntori”, Ramadan Imeri në lidhje me bullizmin thekson se projektet e realizuara dhe masat e ministrisë në të cilët është përfshirë edhe gjimnazi i Dibrës kanë dhënë rezultate. “Nuk kemi raste në këtë sferë”, thotë ai.

    Por, në bisedat që patëm me prindër dhe nxënës si dhe me punëtor social në Qendrën për Punë Sociale u informuam se edhe në komunën e Dibrës është prezent bullizmi por jo me përmasa ekstreme. Andaj në institucionet kompetente sugjerojnë që takimet me prindërit, nxënësit dhe arsimtarët duhet të jenë më të shpeshta për të dhënë sqarime për pasojat që sjell bullizmi.

    Lajmi Paraprak

    Sa mbrohet konsumatori në Maqedoninë e Veriut!

    Lajmi i rradhës

    Shumë ide për rrugën drejt integrimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë