Akuza për diskriminim, po shqiptarët në OBN?  

    Rasti i suspendimit të instrumentistes së ansamblit të Operës dhe Baletit, Tatijana Petrushevska dhe akuzat publike adresuar kreut të institucionit për vendime të padrejta ka nxitur reagime brenda dhe jashtë këtij institucioni. Por edhe shumë pyetje lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të menaxhmentit dhe mbrojtjen e artistëve, shkruan gazeta Koha. Sindikata e Punonjësve të Kulturës ka paralajmëron se në OBN po krijohet një atmosferë frike, ku punonjësit detyrohen të punojnë nën presion të fortë psikologjik. Veprimet e drejtorit Oliver Arsovski interpretohen si një përpjekje për të vendosur disiplinë të rreptë hierarkike përmes frikësimit.

    Vendimi i Petrushevskës për të akuzuar publikisht institucionin, në një konferencë për mediat të premten ka inkurajuar pjesën shqiptare të punonjësve të këtij institucioni për të folur, por jo publikisht. Për “Koha”, punonjës të OBN deklarojnë se jo vetëm bëjnë pjesë në një institucion nacional që nuk i afrohet përqindjeve të përfaqësimit të drejtë etnik, apo respektimit të gjuhës shqipe, por edhe diskriminohen në forma nga më të ndryshme.

    “Ka raste dhe modele sjelljeje që tregojnë trajtim të pabarabartë dhe një klimë përjashtuese, e cila prek veçanërisht punonjësit shqiptarë, që jemi pak në numër. Vitin e kaluar nga mbi 60 punësime që janë bërë janë pranuar vetëm 2 shqiptarë (orkestër dhe kor). Diskriminimi nuk shfaqet gjithmonë hapur, por në mënyra të heshtura – në komunikim, në përjashtim nga vendimmarrja dhe në nënvlerësimin profesional. Nëse këto praktika vazhdojnë dhe nuk adresohen institucionalisht, çështja do të ndiqet edhe në rrugë ligjore, sepse barazia dhe dinjiteti nuk janë privilegj, por e drejtë kushtetuese. Sa i takon gjuhës shqipe, nuk zbatohet ligji, në këtë fazë dhe në shumë suaza të tjera në teatër, ashtu si edhe përkthimi i titrave në monitor…”, thonë punonjës shqiptarë në këtë OBN.

    Nga Sindikata thonë se rasti i Petrushevskës ngre pyetje serioze dhe alarmante me mënyrën se si funksionon institucioni më i madh kulturor kombëtar.

    “Në vend të një menaxhimi ligjor dhe të përgjegjshëm, imponohet imazhi i një institucioni të menaxhuar përmes presionit, frikës dhe abuzimit me detyrën. A është e vërtetë që drejtori ushtroi presion të drejtpërdrejtë mbi punonjësit që të vazhdojnë punën ‘me çdo kusht’, pavarësisht pezullimit të paligjshëm të kolegut të tyre, pavarësisht deklaratave të tyre me gojë dhe me shkrim se janë nën presion të fortë psikologjik dhe se nuk janë në gjendje të vazhdojnë procesin e punës? Kjo nuk është më një çështje e brendshme e OBN, por një skandal i rëndë institucional”, thuhet në reagimin e Sindikatës dhe i bën thirrje ministrit të Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov të përgjigjet nëse do t’i mbrojë punonjësit në sektorin e kulturës.

    Lajmi Paraprak

    Tufegxhiq: në gjyqësor ekziston një grup i vogël me mentalitet kriminal

    Lajmi i rradhës

    Pritje dhe dyshime për Komisionin për të Zhdukurit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë