Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi deklaroi sot para Gjykatës Themelore Penale në Shkup se nuk ndihet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet në rastin që lidhet me abuzimet në ShA “Lotaria Shtetërore”, përcjell Nistori.
Përveç Grubit dhe ish-drejtorit të “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, i cili po gjykohet në mungesë, të pandehur në këtë rast janë edhe Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.
Në seancën e sotme, të gjithë të pandehurit e pranishëm deklaruan se nuk ndihen fajtorë, me përjashtim të Bashkim Avdiut, i cili tha se nuk e kupton aktakuzën ndaj tij dhe kërkoi që ajo t’i dorëzohet me shkrim në gjuhën e tij amtare, shqip. Përparim Bajrami nuk ishte i pranishëm, pasi po gjykohet në mungesë.
Sipas aktakuzës, të përfaqësuar nga prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, veprat për të cilat akuzohen të pandehurit janë kryer gjatë viteve 2023 dhe 2024. Prokuroria pretendon se ata kanë tejkaluar autorizimet e tyre zyrtare dhe i kanë shkaktuar “Lotarisë Shtetërore” dëm në vlerë prej 596.125.511 denarësh apo rreth 9.7 milionë euro.
Të pandehurit akuzohen për veprën penale “shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.
Prokuroria njoftoi se gjatë procesit gjyqësor do të paraqesë 231 prova materiale dhe ekspertiza, ndërsa do të merren në pyetje edhe shtatë dëshmitarë.
Pas kërkesës së Avdiut që aktakuza t’i dorëzohet në gjuhën shqipe, në mënyrë që të mund të deklarohet lidhur me fajësinë, gjykatësja Biljana Shuplinovska Jovevski e shtyu gjykimin deri të premten.
Artan Grubi u arrestua në pikën kufitare të Bllacës në shkurt të këtij viti, pas më shumë se 14 muajsh në arrati. Pas marrjes në pyetje në Prokurori, Grubit, në vend të paraburgimit që i ishte caktuar në mungesë, iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak për sigurimin e pranisë së tij gjatë procedurës.






