ALARM PËR SHËNDETIN / Probleme të shumta nga ajri i ndotur në RMV

    *Fotografia është ilustruese

    Si çdo vit në periudhën vjeshtë-dimër qytetarët po i vuajnë pasojat e shkallës së lartë të ndotjes së ajrit në vend. E kjo periudhë, si pasojë po mbush përplot spitalet dhe po shkakton probleme respiratore tek qytetarët. Të dhënat e fundit në ueb faqen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tregojnë se në javën e fundit në 12 pika matëse në vend është tejkaluar përqendrimi mesatar ditor dhe vlera kufitare e grimcave PM10 në ajër.

    Mjeku Arif Limani deklaroi për gazetën Koha se ndotja e ajrit në vendin tonë ka një ndikim të madh në shëndetin e qytetarëve.

    “Ndotja e ajrit ka një sërë efektesh negative në shëndetin tonë, e sidomos si sistem më i ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit është sistemi i frymëmarrjes, ku grimcat mikroskopike të ajrit depërtojnë thellë në mushkri, ku edhe mund të lënë pasoja të ndryshme duke filluar nga ashpërsimi i sëmundjeve kronike të mushkërive sikurse Astma, bronhiti kronik dhe emfizema e deri te sëmundjet më serioze të mushkërive. Përveç sistemit të frymëmarrjes, sistem i atakuar është edhe sistemi kardiovaskular , për shkak se një sasi e këtyre grimcave kalojnë edhe në gjak duke atakuar organe të ndryshme, duke e rritur rrezikun e sëmundjeve ishemike të zemrës dhe rritjes së probabilitetit të sulmit në tru”, informoi mjeku.

    Ai shtoi se më të rrezikuar nga ndotja e ajrit janë moshat më të reja e sidomos foshnjat, të cilët janë në zhvillim e sipër, ku tek të njëjtët mund të ketë ndikim negativ në pjekurinë e trurit dhe zhvillimin mendor e emocional të foshnjave , si dhe pasoja afatgjate në sistemin e frymëmarrjes, ku rrit mundësinë e paraqitjes së sëmundjeve të ndryshme kronike.

    “Të rrezikuar janë edhe moshat e shtyra, e sidomos tek ata që kanë sëmundje ekzistuese kronike të frymëmarrjes, ku ajri i ndotur ndikon shumë në egzacerbimin e këtyre sëmundjeve. Unë si mjek, apeloj të gjithë qytetarët që në periudha të ndotjes së madhe të ajrit sidomos personat vulnerabil , ti shmangin aktivitet jashtë në ajër të ndotur, në rast nevoje të përdorin maska mbrojtëse, si dhe të bëjnë kontrolle të rregullta tek mjeku amë, në rast të paraqitjes të simptomave të ndryshme nga sistemi i frymëmarrjes”, nënvizoi Limani.

    Nevena Georgievska nga iniciativa O2 theksoi se me rënien e temperaturave ka një inversion të temperaturës që më tej kontribuon në depozitimin e grimcave dhe mos pastrimin e ajrit. Sipas saj, përveç ngrohjes ka edhe burime të tjera ndotjeje dhe për të gjitha duhet të veprohet paralelisht.

    “Mendoj se duhen disa vite për të pasur ulje të dukshme, le të themi, 20.30 për qind, por për këtë, përveç planit, duhet vërtet të ketë një vullnet dhe jo vetëm ta hedhim në letër për ta zbatuar. Ne kemi nevojë edhe për mjete financiare, për të ndarë mjetet më të mëdha nga buxheti që të kemi më shumë masa dhe më shumë zbatim të atyre masave”, tha Georgievska.

    Ajo shtoi se është e nevojshme që autoritetet të hartojnë një strategji me masa konkrete dhe të ndajnë më shumë mjete nga buxheti për këtë çështje.

    Ndryshe, Gjykata e Lartë ka marrë së fundmi një vendim që detyron shtetin të sigurojë ajër dhe mjedis të pastër, në të kundërt qytetarët do të mund të padisë individualisht autoritetet shtetërore nëse nuk ua mundësojnë këtë të drejtë.

    Lajmi Paraprak

    RMV e ka sfidë gjyqësorin efikas dhe të pavarur

    Lajmi i rradhës

    KURSIMET E QYTETARËVE TË RMV / Siguria para fitimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë