Gjermani, sa shpejt do të shkojnë në shkolla fëmijët ukrainas?

    FFëmijë refugjatë ukrainas në Gjermani

    Ata e humbën vendlindjen, por shkollat gjermane po përpiqen tani që fëmijët refugjatë nga Ukraina të mos humbasin arsimin dhe të ardhmen e tyre. Një detyrë e vështirë edhe për shkak të pandemisë.

    Çdo ditë vijnë në stacionin e trenit në Berlin dhe në Këln fëmijë refugjatë që janë larguar vetëm nga Ukraina. Forcat vullnetare i gjejnë ata në platformat e stacionit, të heshtur dhe pa orientim. Shpesh me ndonjë lodër me vete. Sipas llogaritjeve, gati gjysma e refugjatëve ukrainas që mbërrijnë në Gjermani janë fëmijë në moshë shkolle.

    Të ardhme për më të cënuarit nga lufta

    Për të ndihmuar viktimat më të brishta të luftës që nisi Putini, landet gjermane, komunat dhe shkollat duan të angazhohen që fëmijët të mos humbasin vitin shkollor. Një përpjekje për ta zbutur sado pak fatin e tyre, për t’u dhënë një perspektivë. Nevoja është shumë e madhe: “Landet kanë konstatuar se fluksi i fëmijëve refugjatë është shumë më i madh nga sa është menduar në fillim. Tani ka konsultime, se ku janë mundësitë, në cilat shkolla, ku ka hapësira që mund të vihen në dispozicion për mësim, ku kemi mësues, si p.sh. ata që janë specializuar për gjuhën gjermane”, thotë kreu i Shoqatës Federale për Arsimin dhe Edukimin, VBE, Udo Beckmann në bisedë me DW.

    Rekord raportesh mjekësore

    Problemi është se pas dy vitesh pandemie të Coronës, një sfidë për sistemin arsimor gjerman, shumë mësues ndodhen në limitet e kapaciteteve të tyre. Që para pandemisë shumë shkolla ankoheshin për mungesën e personelit mësimor. Pandemia e ashpërsoi këtë gjendje përmes mungesave të krijuara nga infektimet. Tani vjen sfida e dyfishtë “që në të njëjtën kohë të mësojmë edhe fëmijët refugjatë, pikërisht, kur shkollat kanë shumë pak personel”, thotë Beckmann-i.

    Shoqata Gjermane e Mësuesve paralajmëron nga një rekord raportesh mjekësore tek personeli mësimor aktualisht, si kurrë më parë gjatë pandemisë. “Ne llogarisim që rreth 10% e ekipit mësimor e ka të pamundur të japë mësim, sepse është me raport mjekësor. Por jo të gjithë për shkak të virusit. Ka edhe arsye të tjera pse mungojnë  mësuesit, por normalisht, kjo është më pak se gjysma e rasteve”, thotë Presidenti i Shoqatës së Mësuesve”, Heinz-Peter Meidinger për DW.

    Pritet edhe një sfidë tjetër. Shumë fëmijë refugjatë panë frikën në sytë e prindërve, ata mund të jenë të traumatizuar dhe kërkojnë një trajtim më intensiv. “Ata kanë një eksod pas vetes, që ka zgjatur shumë, shumë orë. Ndoshta duhet të ndaheshin me baballarët. Ndoshta panë si shtëpia e tyre është shkatërruar nga bombat”, thotë Anja Bensinger-Stolze nga Sindikata Edukim dhe Shkencë, GEW.

    Ndihmë psikologjike për fëmijët

    Këto përvoja mund të çojnë herët a vonë në trauma tek fëmijët e të rinjtë, të cilat ata nuk duhet t’i mbajnë me vete. “Prandaj kemi nevojë për ndihmë psikologjike, ose përmes psikologëve në shkolla, ose mësuesve që janë trajnuar për këtë”, kërkon Bensinger-Stolze. Mësuesit duhet të vendosin pastaj se si të veprohet në situata të tilla.

    Konferenca e ministrave të kulturës të landeve në Gjermani vendosi para pak ditësh krijimin e një task-force për koordinimin dhe një qendër kontakti. Nxënëset e nxënësit mund të pranohen në shkolla “pa shumë burokraci”, thuhet. Ministrja gjermane e Arsimit, Bettina Stark-Watzinger propozoi që mësuesit refugjatë nga Ukraina të punojnë në shkolla dhe kopshte për të zbutur disi nevojën e personelit.

    Mbështetje nga mësuesit pensionistë

    Askush deri më tani nuk mund të vlerësojë, se sa mësues ka mes refugjatëve ukrainas dhe nëse ata mund të futen në sistemin gjerman arsimor. Kreu i Shoqatës së Mësuesve Meidinger është skeptik. “Kjo do të jetë një pikë uji në oqean dhe jo çelësi për zgjidhje.” Meidingeri mendon se më shumë do  të ndihmonte në këtë situatë që mësuesit pensionistë të angazhohen për shkak të krizës humanitare aktuale. Ai e sheh si “sfidë kombëtare” kujdesin dhe arsimimin e fëmijëve refugjatë nga Ukraina.

    Gjermania mund të mbështetet edhe tek përvoja e vitit 2015, kur erdhi vala e refugjatëve sirianë. Atëkohë në shumë rajone u krijuan klasat e mikpritjes dhe ato të mësimit të gjuhës. “Këto struktura bazë mund të riaktivizohen shpejt”, thotë Udo Beckmann nga VBE. Berlini p.sh. parashikon të krijojë 50 klasa mikpritjeje për të rinjtë nga mosha 16 vjeç.

    Kthim i kulturës së mirëseardhjes

    Por ende ka pyetje të hapura: sa fëmijë ukrainas do të vijnë ende? Do të jenë dhjetëra mijëra, apo disa qindra mijë vetë? Një faktor tjetër është koha, sa kohë do të qëndrojnë ata në Gjermani? Do të përgatitet Gjermania për një periudhë të gjatë të qëndrimit të tyre? Ajo që dihet është se aktualisht gatishmëria qytetare për ndihmë në Gjermani është e madhe.

    Në Gjermani është rikthyer kultura e mirëseardhjes.”Kam përshtypjen se ka një solidaritet të madh. Shumë vetë dalin në rrugë dhe tregojnë flamurin e Ukrainës. Shumë njerëz ndihmojnë konkretisht”, thotë ekspertja e arsimit Anja Bensinger-Stolze. Por për shkak të sfidave të fundit që ka kaluar sistemi arsimor gjerman ndoshta mund të kujtohet një fjali e ish-presidentit gjerman, Joachim Gauck në krizën e migracionit në vitin 2015. “Zemra jonë është e madhe po mundësitë tona janë të kufizuara.” /DW/

    Lajmi Paraprak

    Turqia: Ukraina dhe Rusia janë afër marrëveshjes për çështjet “kritike”

    Lajmi i rradhës

    Arrestohen gjashtë persona në Tetovë – u është gjetur kokainë gjatë kontrollit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë