Ali Pajaziti: Maqedonia e Veriut momentalisht përjeton defetizëm social

    Ali Pajaziti / Fotografia: Emir Hamzi

    Sipas nesh në dhjetë vitet e ardhshme së pari duhet të ndryshohet klima e përgjithshme që për momentin shënohet nga një defetizëm social. Duhet që politika t’i bëjë njerëzit të besojnë në vetvete dhe një të ardhme më të ndritur. Në veçanti atë rinore që të ndalet fluksi i shpërnguljes së trurit më fisnik – kështu u shpreh profesori universitar, Ali Pajaziti në panel diskutimin me temë “Vizioni për Maqedoninë e Veriut, njofton Nistori.

    Pajaziti thekson se, nuk duhet të lejojmë studentët të shprehen me niçeanen: “Ju s’keni veshë për fjalët e mia!”. Sipas tij, Maqedonia e Veriut si një nga vendet e tranzicionit të papërfunduar po përballet me shumë probleme: korrupsioni, partizimi i institucioneve, papunësia, cilësia e ulët e jetesës, polarizimet e brendshme, problemet politike me fqinjët dhe të tjera. Ai pyet nëse ka ardhmëri ky vend?

    Nuk dua të imagjinoj qytete që tkurren demografikisht si Gostivari (2021) me minus 21.272 dhe Manastiri me minus 10.221 banorë krahasuar me vitin 2002. Duhet që në anketat me të rinjtë lidhur me pyetjen se çka është determinues në gjetjen e punës të mos na dalin rezultate si këto: 88% afiliacioni politik, 7% kualitetet e kandidatit dhe 4% procedurat legale. Duhet të kemi strategji për brain-regain. Në dekadën e ardhshme imagjinoj një shtet që nuk ngulitet në histori (Macedonia Timeless) por në të ardhmen, ku paga mesatare do t’iu mundësojë qytetarëve një jetë më të dinjitetshme, jo vazhdimisht të presin 1-shin e muajit të ardhshëm. – deklaron Pajaziti.

    S’dua të besoj që Tetova dhe Shkupi të shfaqen në kulmin e qyteteve më të ndotura në botë. Shpresojmë të kemi qytete pa krim urban, të ndërtuara natyrshëm dhe në koherencë me habitatin. Jo ngrehina që sjellin profit por që shkaktojnë degradim ekologjik.

    Sipas Malinka Ristevska Jordanova, jetojmë në një shtet të vogël dhe na duhet të hapemi si nga brenda po ashtu edhe nga jashtë. Disa mendojnë se vetë anëtarësimi në BE do na sjell prosperitet dhe të gjitha pritjet që kemi, por ne vetë duhet t’i bëjmë ndryshimet për shoqërinë tonë dhe standardet të cilat duam ti arrijmë, thekson Jordanova.

    Dy pika mendoj se janë të rëndësishme për të ardhmen dhe vizionin tonë. Hapja që do të thotë hapje e brendshme dhe hapje e jashtme. Sigurisht që mendoj se po mendojmë më shumë për të ardhmen, për korridoret, rrugët, gjelbërim, mjedis jetësor. Ne duam të jemi pjesë e BE-së. Disa mendojnë se vetë anëtarësimi në BE do na sjell prosperitet dhe të gjitha pritjet që kemi, por ne vetë duhet t’i bëjmë ndryshimet për shoqërinë tonë dhe standardet të cilat duam ti arrijmë. Normalisht jo pa bashkëpunim me BE-në, por misioni duhet të jetë i joni. Pyetja mund të jetë se për çfarë do të njihemi kur do të jemi pjesë e BE-së? Askush nuk mund t’i bëjë ndryshimet përveç neve vetë.  Ka shumë interesа të përbashkëta për qytetarët e shtetit tonë pa dallim të entiteteve, të cilat janë hapësirat për veprim të përbashkët të cilat do të thyejnë këto zinxhire me të cilat ballafaqohet vendi, tha Ristevska Jordanova. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Helmimi i mendimeve nis nga helmimi i gjuhës”

    Lajmi i rradhës

    Historianët bullgarë pohojnë se është bërë përparim në punën e Komisionit të Përbashkët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë