Aliu: Po punohet në themelimin e agjencisë digjitale, e cila do të përqendrohet në sigurinë kibernetike

    Teknologjia dhe digjitalizimi ofrojnë dhe japin vlerë në të gjithë sektorët, në të gjitha aspektet e jetës sonë. Prandaj është thelbësore që ne të ndërmarrim  hapa konkret për përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjeve në rajon. Këtë ditë më parë e tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu në ditën e dytë të Forumit të Prespës për Dialog 2023 në Strugë, përcjell Nistori.

    Ministri Aliu, siç informon Shërbimi për shtyp i Qeverisë, e hapi panel diskutimin “Transformimi digjital lidh: perspektiva për ndërtim të partneritetit në Ballkanin Perëndimor”.

    “Krijimi i një tregu të përbashkët digjital përmes teknologjisë së avancuar hap derën për një sërë mundësish në sektorë të tjerë kyç, si infrastruktura apo arsimi. E vlerësojmë fillimin e dialogut rregullator ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i fokusuar në reformat legjislative, në përputhje me synimet e transformimit digjital dhe të gjelbër”, theksoi ministri Aliu.

    E ftuar speciale në këtë panel ishte ministrja sllovene për Informatikë dhe Digjitalizim Emilia Stojmenova Duh, e cila tha se suksesi i transformimit digjital mund të arrihet nëse qytetarët besojnë  në transformimin digjital.

    Ministri Aliu përkujtoi se në mënyrë aktive po punohet në themelimin e agjencisë digjitale e cila do të shërbejë si katalizator në rrugëtimin tonë digjital dhe do të fokusohet në katër shtylla: siguria kibernetike, IT infrastruktura, zgjidhjet softuerike, akademitë dhe trajnimet.

    “Revolucioni digjital është një realitet, por edhe një proces i vazhdueshëm. Digjitalizimi i sistemeve, shërbimeve publike dhe infrastrukturës sonë ka të metat e veta, veçanërisht nga sulmet kibernetike. Prandaj duhet të punojmë shumë për të ndërmarrë veprime për përmirësimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike në rajon duke rritur mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe duke rritur sigurinë e sistemeve dhe rrjeteve tona digjitale”, tha Aliu.

    Panelistët, siç u tha, arritën në përfundimin se transformimi digjital i Ballkanit Perëndimor paraqet sfida dhe mundësi.

    “Përmes partneriteteve ne mund t’i kapërcejmë këto sfida dhe të përfitojmë nga mundësitë që kemi përpara. Duke përmirësuar infrastrukturën dhe lidhjen, duke pranuar me përgjegjësi teknologjitë e reja dhe duke angazhuar organizata dhe donatorë ndërkombëtarë, ne mund të hapim rrugën për një të ardhme digjitale të begatë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Grubi: Jemi të gatshëm të plotësojmë çdo kërkesë që vjen nga VMRO-DPMNE

    Lajmi i rradhës

    DASh: Maqedonia e Veriut nuk i përmbush plotësisht standardet për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë