Amulli për vazhdimin e afatit të regjistrimit, duhet të shtyhet apo jo?

    Gazetar | Adrian Kerimi

    Në ditën e fundit të regjistrimit të popullsisë, akoma mbeten të pashuara dilemat nëse afatet për regjistrimin duhet vazhduar apo jo. Enti Shtetëror i Statistikave pretendon se është në hap me procesin, ndërsa paraprakisht sistemi nuk kishte funksionuar gati një javë për shkak të sulmeve kibernetike.

    “Janë regjistruar mbi 1.8 milion qytetarë. Përfshi datën 29.09.2021 janë regjistruar 1.813.153 persona, 562.110 amvisëri dhe 822.575 banesa”, thuhet në komunikatën e fundit të ESHS-së.

    Ekspertët vlerësojnë se Kuvendi duhet thirrur urgjentisht dhe afati për regjistrimin e popullsisë duhet vazhduar. Sipas profesorit universitar i të Drejtës Kushtetuese, Temellko Ristevski për Nistori deklarohet sepavarësisht afatit të përcaktuar se procesi zbatohet deri më 30 shtator, Kuvendi ka të drejtë absolute dhe Kushtetuese të plotësimit të Ligjit për regjistrimin e popullsisë, banesave dhe amvisërive.

    Temellko Ristevski, ekspert juridik ​
    “Nuk ka dilema se Kuvendi ka të drejtë ta vazhdon regjistrimin mbi bazën e plotësimit dhe ndryshimit të ligjit. Është në interes shtetëror dhe shoqëror, që në rast se nuk ka përfunduar afati, Kuvendi ta vazhdon të njëjtin për aq ditë sa propozuesi në këtë rast Qeveria konsideron se i duhen Entit Shtetëror të Statistikave”, deklaron ai për Nistori.

    Argument shtesë sipas tij është edhe fakti se vazhdimi afatit nuk parashikon dëm buxhetor, pasi paraprakisht mjetet për zbatimin e procesit janë ndarë gjatë miratimit të ligjit.

    Temellko Ristevski, ekspert juridik​
    “Derisa nuk ka dëm buxhetor dhe njëkohësisht procesi i paraparë nuk ka përfunduar ashtu siç
    ka kërkuar ligji në fuqi, atëherë afatet duhet vazhduar pasi procesi nuk është përmbyllur”.


    Temellko shton se një ndër arsyet kryesore pse duhet vazhduar regjistrimi është edhe fakti se akoma ka qytetarë të paregjistruar, ndërsa institucionit për zbatimin e procesit statistikor duhet të bën edhe revidimin e të dhënave apo shqyrtimin e tyre pikë për pikë nëse procesi ka vajtur deri tani në përputhje me dispozitat ligjore.

    Ditë më parë, kryetari i kuvendit Talat Xhaferi ka deklaruar se është i gatshëm të thërrasë seancë urgjente për plotësimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë. Ndërkohë partitë politike janë të ndara. Derisa VMRO-DPMNE-ja mohon çdo ndryshim të ligjit dhe paralajmëron mos pjesëmarrje në seancën për ndryshimin dhe plotësimin e tij, LSDM-ja akoma nuk ka qëndrim të prerë. Partitë shqiptare duken më të përafërta në këtë drejtim. BDI paralajmëron mbështetje në rast se vihet deri tek një situatë e tillë, ndërsa opozita shqiptare ASH-AAA kërkon urgjentisht vazhdimin e afateve të regjistrimit.

    Përveç procedurës së rregullt, Kuvendi gëzon mundësinë e ndryshimit të ligjit edhe me
    procedurë urgjente. Rregullorja për punën Kuvendit, dispozitat e nenit 167. 168 dhe 169 i mundësojnë ligjvënësit ndryshimin dhe plotësimin e ligjit me procedurë urgjente, në seancë plenare dhe pa diskutim.

    “Për arsyeshmërinë e propozimit, që ligji të miratohet me procedurë urgjente, vendos kuvendi pa diskutim”, neni 168 i Rregullores së Kuvendit.

    “Kur propozim-ligji shqyrtohet me procedurë urgjente, nuk mbahet diskutim i përgjithshëm.
    Leximi i dytë dhe i tretë mbahet në të njëjtën seancë…..”, neni 169 i Rregullores së Kuvendit.


    Regjistrimi i popullsisë ishte paraparë të mbahej në prill të vitit 2021. Për shkak të rrethanave me pandeminë, opozita kishte kërkuar shtyrjen e procesit për muajin shtator duke garantuar mbështetje ndaj procesit.

    Nga prilli deri tani ka qenë e hapur thirrja për regjistrimin e diasporës, ku deri më datën 29.09.2021 janë regjistruar mbi 210 mijë shtetas që jetojnë jashtë vendit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Sot është dita e fundit e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi i rradhës

    Plogështia e Vjeshtës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë