Analfabetizimin në Maqedoni e thelloi politika!

    Të dhënat e fundit të publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), ka rezultuar se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë është pa arsim fillor dhe pa arsim të mesëm. Të dhënat e publikuara janë shqetësuese për numrin e madh të popullsisë analfabetë, që përbëjnë 1.2 për qind të popullsisë mbi 15 vjeç e që nuk dinë shkrim dhe lexim, ndërkohë që një e katërta e qytetarëve kanë vetëm shkollë fillore.

    Të tilla statistika nuk pasqyrojnë vetëm gjendjen katastrofike në arsim, por edhe faktin që ligjet nuk zbatohen dhe institucionet nuk e bëjnë punën e tyre.  Në 30 vitet e fundit, në Maqedoni janë zbatuar një sërë reformash si në arsimin fillor ashtu edhe në arsimin e mesëm. Por, sipas profesorëve, pikërisht kjo është pjesë e problemit, pasi asnjë Qeveri nuk ka patur një Strategji të qartë, por vetëm janë bërë ndryshime dhe eksperimente fiktive. Sipas njohëseve të fushës, në vendin tonë nevojitet një Strategji afatgjate e cila do të jetë mbipartiake dhe nuk do të ndryshojë me ardhjen e çdo ministri apo partie të re në pushtet.

    Drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski deklaroi se këto janë të dhëna që në thelb tregojnë pasqyrën e vërtetë në fushën e arsimit, por edhe që ofrojnë mundësi për një sërë analizash dhe përdorime specifike në jetën reale.

    “Ajo që mund të mos na habisë është se nuk duhet të presim të jemi popullsia më e arsimuar dhe më aktive ekonomike në botë. Ne i dimë problemet me të cilat përballemi dhe ato janë pasqyrë reale e situatës në vend. Statistikat janë këtu për të treguar situatën saktësisht ashtu siç është, jo ashtu siç do të donte të ishte. Duhet të publikojmë të dhënat reale dhe këto janë absolutisht të dhëna reale”, – tha Simovski. 

    Me këtë rast, profesori universitar në Universitetin “Nënë Tereza”, Murat Aliu, për gazetën KOHA, ka deklaruar se sa u përket personave te cilët nuk dinë shkrim dhe lexim, si dhe atyre te cilët nuk kanë kryer shkollën te mesme, shteti mund të marrë masa të ndryshme nëpërmjet të së cilave këto persona do të integrohen brenda sistemit dhe rrjedhimisht – të aftësohen për kryerjen e obligimeve te ndryshme ditore. Ai ka folur dhe për marrjen e masave preventive të cilat duhen të merren nga autoritetet shtetërore në këtë drejtim dhe t’i kushtojnë më shumë rëndësi procesit edukativo-arsimor.

    “Pra, përpilimi i një Strategjie të saktë shtetërore që askush në të ardhmen të mos privohet nga kjo e drejte elementare. Në fokusin e kësaj strategjie, natyrisht duhet të qëndrojnë arsimi adekuat dhe cilësor si dhe politikat jodiskriminuese ne nivel etnik, rajonal dhe klasor. Kam përshtypjen që një pjesë e madhe e këtyre personave vijnë nga rajone më të margjinalizuara dhe nga shtresat e ulëta shoqërore”, deklaroi Murati.

    Sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, profesor Petar Atanasov, kushtet e tilla janë pasqyrë e vlerave të deformuara të përgjithshme në shoqërinë tonë, por edhe paaftësisë së partive politike në pushtet që në vend të arsimit i vënë në plan të parë interesat partiake.

    “Unë them shpesh, gjysmanalfabetë, të cilët përmes një partie politike kanë arritur në majat e jashtëzakonshme do të bëjnë gjithçka për të qëndruar atje. Kemi parti totalitare, komuniste, të burokratizuara dhe tejet të korruptuara, të cilat përcaktojnë fatin tonë prej 20 vitesh dhe qytetarët janë gjithnjë e më pak të kënaqur. Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë se shumë gjëra në shoqëri na kushtojnë. Në përgjithësi, si shtet, shoqëri apo popull, nuk e dimë se ku po shkojmë, ndjenjat tona sot si qytetarë po përballen me disfata, me kriza ekonomike dhe financiare, kishte një pandemi e cila la pasoja të mëdha. Gjithashtu kishim rënie drastike të rejtingut të universiteteve shtetërore dhe sot me disa segmente të shoqërisë, do të thotë se në këtë vend institucionet nuk po e bëjnë punën e tyre”, tha Atanasov. 

    Lajmi Paraprak

    Vlerësimi i administratës në RMV vetëm në letër

    Lajmi i rradhës

    Persona të armatosur vrasin besimtarë në një kishë në Nigeri – rrëmbejnë priftin dhe disa të tjerë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë