Stojançe Angellov ka folur në DailyClick në TV21 për luftën e vitit 2001, në të cilën ka marrë pjesë edhe ai. Sipas tij, shqiptarët edhe pa luftë do t’i kishin realizuar të drejtat e tyre, përcjell Nistori.
“Lufta e vitit 2001 ishte e panevojshme dhe e importuar, shqiptarët edhe pa të do t’i kishin realizuar të drejtat e tyre”, tha Angellov.
Ai ka thënë se ka pirë kafe me veteranët e UÇK-së dhe se kanë qëndrime të kundërta për luftën e vitit 2001.
“Unë pi kafe me veteranët e UÇK-së dhe kurrë nuk do të pajtohemi për atë që ka ndodhur në vitin 2001, por kemi të njëjtat pikëpamje për të ardhmen. Të ndalet emigrimi i qytetarëve, që Maqedonia të jetë pjesë e BE-së. Sepse fshatrat ku jetojmë, qytetet janë të përbashkëta. Shqiptarë dhe maqedonas ka në Tetovë, në Gostivar, në Shkup. Prandaj duhet të kontribuojmë të gjithë së bashku për një të ardhme më të mirë. Lufta tashmë ka përfunduar”, tha Angellov.
“Nuk kam parë ditë të bardhë”, tha Angellov për punën në QMK
Angelov është përgjigjur nëse do të pranojë të jetë sërish në krye të këtij institucioni.
“Në këtë moment kam emocione të përziera për QMK-në. Unë nuk kam parë ditë të bardhë, sepse njerëzit më kërkojnë drejtpërdrejt. Shumica e emergjencave ndodhin në fundjavë, përmbytjet ndodhin pasdite. Por duhet të pranoj se është një sfidë. “Kam thënë se do të pranoj të punoj në QMK, vetëm nëse reformohet”, tha Angellov. /Nistori/