Partitë çelën kartat!

    Aktivitetet e pjesëmarrësve në zgjedhjet e dyfishta për president të 24 prillit dhe për deputetë të 8 majit po intensifikohen. Partitë më të mëdha politike kanë prezantuar programet e tyre për zgjedhjet parlamentare këtë fundjavë, ndërsa disa prej tyre kanë promovuar edhe bartësit e listave për deputetë. Sot (25.03.2024) pritet të shpallet rendi i kandidatëve për president në fletën e votimit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dje ka hedhë shortin për përcaktimin e renditjes në listën e vetme të kandidatëve për president të shtetit. Në numrin 1 në fletën votuesi do të jetë Stevo Pendarovski, 2 Gordana Siljanovska-Davkova, 3 Stevçe Jakimovski, 4 Bujar Osmani, 5 Biljana Vankovska, 6 Arben Taravari, 7 Maksim Dimitrievski.

    Afatet për veprime zgjedhore po mbarojnë, janë marrë vendime për edukimin e organeve zgjedhore, ndërsa listat e kandidatëve për deputetë duhet të dorëzohen në KSHZ më së voni deri më 2 prill.

    VMRO-DPMNE dje promovoi programin zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa LSDM të shtunën mbajti kongresin në të cilin promovoi bartësit e listave të kandidatëve për deputetë. “Platforma 1 198” e VMRO-DPMNE-së bazohet në pesë shtylla kyçe, siç theksoi lideri i partisë Hristijan Mickoski, është ekonomia, e cila ndër të tjera paralajmëron heqjen e balancuesit, riorganizimin e institucionet dhe ministritë e reja të energjisë dhe politikës sociale, demografisë dhe rinisë. Pesë shtyllat kyçe të programit të VMRO-DPMNE-së, siç tha Mickoski, janë lufta aktive dhe e vazhdueshme për standard cilësor të jetesës, hapja e frontit kundër korrupsionit, puna e institucioneve sipas ligjit, sigurimi i një sistemi funksional për qytetarët dhe patriotizëm i përbashkët i cili, siç u tha, në thelb është patriotizmi që bashkon.

    “Me ‘Platformën 1198’ angazhohemi për rritje të PBB-së deri në 5 për qind në vit, normë të ulët inflacioni jo më shumë se 2-2.5 për qind në vit, deficiti buxhetor do të ulet gradualisht në një nivel nën 3 për qind të PBB-së, ulje e papunësisë deri në 7.5 për qind, gjegjësisht hapje të 55 mijë vendeve të reja të punës”, tha Mickoski, duke paralajmëruar mbajtjen e tatimit të sheshtë, pa rritje të tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi fitimin, lirim nga tatimi për tatim në të ardhura personale për të rinjtë e sapopunësuar deri në 29 vjeç, rimbursim i plotë i tatimit mbi të ardhurat personale për çdo grua të punësuar me foshnjë të porsalindur…

    Nga ana tjetër, programi i LSDM-së, siç theksoi të shtunën lideri i partisë Dimitar Kovaçevski, bazohet në disa shtylla – pagat dhe standardet evropiane të jetesës, një jetë dinjitoze për pensionistët dhe mbështetjen për të rinjtë, një ekonomi të fortë vendore dhe infrastrukturë moderne evropiane. Ai paralajmëroi një paketë për Vitin e Ri prej 100 euro për çdo pensionist në vend dhe 200 euro në muaj në 12 muajt e parë për çdo punësim të parë të personave deri në 26 vjeç. Ai premtoi përfundimin e negociatave me BE-në deri në vitin 2028 dhe anëtarësimin deri në vitin 2030, një pagë mesatare prej 1100 euro dhe një pagë minimale prej 600 eurosh.

    “Kemi treguar me vepra konkrete se për ne nuk ka vizion dhe rrugë tjetër përveç asaj evropiane. E di që rruga nuk është e lehtë, sidomos për ne. Unë personalisht ndjeva se Bashkimi Evropian nuk ishte gjithmonë i drejtë me ne. Por a do të thotë kjo që ne duhet të heqim dorë? Absolutisht jo! Prandaj do të theksoj edhe një herë se Maqedonia ka nevojë për Bashkimin Evropian. Nuk po flas për ndjekjen e ëndrrës evropiane këtu! Gjeografikisht dhe kulturalisht, Maqedonia është pjesë përbërëse e Evropës. Ajo që ne kemi nevojë dhe për të cilën përpiqemi janë standardi evropian, vlerat evropiane dhe mënyra e jetesës, këtu dhe tani, pa vonesë dhe për të gjithë”, tha Kovaçevski në kongresin e mbajtur të shtunën.

    Nën moton “I fortë, i përgjegjshëm dhe ndershëm për një jetë të denjë dhe një të ardhme evropiane”, PRSD mbajti dje Kongresin e Gjashtë, në të cilin shpalli mbështetjen për presidentin aktual Stevo Pendarovski, si dhe pjesëmarrjen në koalicionin evropian të udhëhequr nga LSDM në zgjedhjet parlamentare.

    Kryetari i partisë, Goran Misovski, si dhe Sonja Mirakovski dhe Miki Milkovski, do të jenë kandidatë në listat e koalicionit në Njësinë e Tretë, të Katërt dhe të Dytë zgjedhore. “Dëshirojmë që Maqedonia evropiane të jetë një vend i denjë për të jetuar, ku fëmijët tanë do të shkojnë në shkollë dhe do të qëndrojnë këtu për të jetuar”, tha kryetari i PRSD-së, Goran Misovski në fjalimin e tij në Kongres. Në Kongres, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe presidenti Pendarovski dhe lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Pendarovski tha se shpreson në fitore të dyfishtë dhe se mandatin do t’ia ndajë mandatarit Kovaçevski. Në mandatin e tij të parë, siç tha ai, vendi hyri në NATO, ndërsa në të dytin do të hyjë në BE.

    Kurse kryesia qendrore e RDM-së mori vendim që kryetarja e partisë, Maja Moraçanin, të jetë kandidate për deputete në pozitën e gjashtë në listën e përbashkët të koalicionit të udhëhequr nga LSDM në Njësinë e Parë zgjedhore. Siç njoftuan nga RDM, anëtarët e kryesisë qendrore shprehën kënaqësinë që kandidati për kryetar Stevo Pendarovski i pranoi kërkesat nga RDM lidhur me mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe morën vendim që ta mbështesin kandidaturën e tij.

    Partia “Dinjiteti”u largua dje nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM.

    “Për shkak të pritjeve të paplotësuara për tejkalimin e problemit të zjarrtë me të cilin ballafaqohen ende dhjetëra invalidët ushtarakë të pakompensuar dhe pesëmbëdhjetë familjet e veteranëve të rënë, në përputhje me indikacionet dhe kërkesat e mia publike nga maji i vitit të kaluar, të përsëritura në shumë dalje të mia publike në periudhën pas, ‘Dinjiteti’ po largohet nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja”, tha dje lideri i partisë Stojançe Angellov.

    Iniciativat e “Dinjitetit” të dorëzuara në Qeveri dhe Parlament, të cilat, siç tha ai, ofruan zgjidhje për këtë problem, kanë marrë përkrahje të vazhdueshme nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, por, sipas tyre, për shkak të kundërshtimit të BDI-së, nuk kanë kaluar. Ai informoi se kryesia e partisë ka marrë vendim që ta pranojë mundësinë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Partia ZNAM mbajti edhe një konventë për prezantimin e kandidatit për president dhe bartësve të listave për deputetë. Kandidati për kryetar të shtetit, Maksim Dimitrievski, theksoi se përkushtimi i ZNAM-it është që të gjithë që jetojnë në shtet të prodhojnë mjaftueshëm ushqim dhe energji në mënyrë që, siç tha ai, “të jemi vetvetja në vendin tonë”.

    Sipas Dimitrievskit, nevojitet një ekuilibër në shoqëri dhe politikë, dhe përcaktimi i bashkëjetesës është i një rëndësie të madhe për funksionimin normal të shtetit, i cili, siç shtoi, duhet të ndërtojë një shoqëri të vërtetë multietnike.

    “Është koha e fundit që të ndalohet fundosja e të gjitha parimeve në Maqedoni. Për ne parimet mbi të cilat mbështetet Maqedonia janë vijat e kuqe, diçka për të cilën nuk ka as bisedime e as negociata. Demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të çdo individi janë parimet me të cilat udhëhiqemi për të ndryshuar imazhin zi dhe gri në shoqëri”, tha Dimitrievski.

    Ai shtoi se integrimi në Bashkimin Evropian është një synim strategjik, por së pari duhet të bëhet puna në vend. Ai ka theksuar se nëse zgjidhet president nuk do të nënshkruajë ligj apo dokument që do të dëmtojë vendin. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Në vitin 2023 kishte më pak doktorata, master dhe specialistë

    Lajmi i rradhës

    Mjeku tregon si nisi helmimi i nxënësve shqiptarë nga regjimi serb

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë