Shumë qytetarë ankohen se megjithëse i kanë paguar në rregull dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e regjistrimit, ata ende nuk mund t’i marrin targat nga stacionet, ndërsa disa kanë pritur një periudhë prej dy muajsh, shkruan “Faktor”, përcjell Nistori.
Një qytetar thotë se deri tani e ka drejtuar makinën me targa bullgare, por tani dëshiron ta riregjistrojë me targat e RMV-së. I ka kryer të gjitha procedurat e regjistrimit në doganë dhe ka paguar të gjitha tarifat e nevojshme që i janë kërkuar, por ka javë të tëra që nuk mund t’i merr targat. Madje, sipas tij ka njerëz që presin më shumë se dy muaj për targat e regjistrimit, sepse nga institucioni nuk ka targa.
Ai shton se në Bullgari, i duhej vetëm një ditë për të regjistruar makinën dhe të gjitha nevojat e tjera, ndërsa këtu në Maqedoninë e Veriut i është dhënë vetëm një vërtetim se mudn ta drejtojë veturë, derisa të arrijnë targat e regjistrimit.
“Por, çka më vlen ai vërtetim mua, sepse unë mund ta drejtoj veturën vetëm në territorin e komunës sime, por jo jashtë saj. Të mos flasim që nuk mund të shkoj jashtë vendit gjatë pushimeve”, ankohet një qytetar.
Sipas informacioneve të tij, si dhe i disa qytetarëve të tjerë, dyshohet se dikush e fituar tenderin e Ministrisë së Brendshme për targa, por spekulohet se ai ende nuk posedon makinë për prodhimin e tyre.
Faktor ka pyetur Ministrinë e Brendshme pse edhe pas dy muajsh nuk ka targa regjistrimi për qytetarët, gjegjësisht pse kaq shumë duhet të presën. Cila kompani tani e ka fituar tenderin dhe pse është ndërpre kontrata me kompaninë e mëparshme? Cili është problemi me kompaninë e re, pse nuk i prodhon targat në kohë?
Ministria e Brendshme thotë se siç e kanë informuar tashmë publikun, kontrata e mëparshme me Rade Konçllar ka skaduar, ndërsa për një marrëveshje për prokurim të ri pritet nga Komisioni Shtetëror për Ankesat e Prokurimit Publik. Në ndërkohë, është kryer një procedurë urgjente, problem i cili u tejkalua.