ANKOHEN PENSIONISTËT | Pensionet nuk ua mbulojnë shpenzimet bazë mujore

    Pensionist në Tetovë / Fotografia: Lirim Shabani

    Pensionet vështirë se i mbulojnë shpenzimet në rritje në muajin aktual, thonë pensionistët. Për t’i mbuluar faturat dhe ilaçet e nevojshme janë të detyruar të shkurtojnë nga ushqimi. Qytetarët që arritëm t’i anketojmë thonë se nuk jetohet me pension 12 mijë denarësh, kërkojnë rritje të pensioneve që të mbulohen të gjitha shpenzimet.

    “Është shumë shtrenjtë, nuk mund t’ia dalim me pensionet, pensionet tona janë të ulëta. të jenë të paktën 20 mijë denarë, t’i paguajmë rrymën, ujin, telefonin, ndryshe do të heqim dorë nga shumë gjëra, edhe nga telefoni edhe nga rryma. As edhe lëng nuk mund të blesh tani, banane, fruta, duhet të heqim dorë nga gjithçka”.

    “Ka edhe 70 mijë, 50 mijë pensione, ndërsa dikush 10 mijë. Unë kam punuar 40 vjet, kam 17 mijë denarë pension, po të rritet do të jetë, atij që ka nuk duhet t’i jepet pension shumë i madh. Me punën time duhet të jetë 500 euro. Nuk shkurtoj nga asgjë, por ruaj bletë, dhe me këtë e mbaj veten përndryshe me këtë pension asgjë”.

    Shoqata e pensionistëve thotë se janë në negociata për ndryshimin e modelit të përllogaritjes së pensionit dhe qeveria po i merr parasysh kërkesat e tyre.

    “Për përmirësimin e gjendjes materiale të pensionistëve, Sindikata kërkon që të ndryshohet formula e rregullimit të pensioneve, pra që pensionet të rregullohen që të jenë pjesë e rritjes së kostos së jetesës dhe pjesë e rritjes së pagave të të punësuarve, duke marrë parasysh përqindjen më të favorshme”, thonë nga Shoqata e pensionistëve.

    Nga Ministria e Punës thonë se angazhimi do të jetë rritje shtesë e pensioneve. Vijon periudhë debati ekspertësh për të gjetur rritje të përshtatshme të pensioneve.

    “Qëllimi ynë është që në tremujorin e parë të vitit të hapim debatin e ekspertëve për ndryshimin e sistemit të rregullimit të pensioneve të përshtatshëm për të gjithë pensionistët, ku do të dëgjojmë propozimet e Shoqatës së Pensionistëve. Po punohet edhe në projeksione për rritje të mëtejshme të pensioneve, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së pensionistëve”, njoftojnë nga Ministria e Punës dhe e Politikës Sociale.

    Sipas të dhënave të fundit, në vend janë 329 mijë pensionistë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Në Ukrainë është në rrezik arritja e madhe e njerëzimit!

    Lajmi i rradhës

    Shkollat në RMV ballafaqohen me mungesën e kuadrit në lëndët e shkencave matematiko-natyrore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë