APLIKACIONI “SHËNDETI IM” / Verifikimi i numrit, pengesë për termine

    Prej shumë vitesh, qytetarët janë mësuar ta përdorin sistemin “Termini im” si mënyrë të vetme për të caktuar takime mjekësore, për të marrë terapi apo për të realizuar ekzaminime të ndryshme. Megjithatë, në praktikë, shumica prej tyre nuk janë marrë vetë me këtë procedurë, pasi përditësimi i të dhënave dhe caktimi i terminëve zakonisht është bërë përmes mjekut amë ose infermierëve. Por, me ndryshimet e reja të nisura nga 3 prilli, qytetarët përballen me një kërkesë të re: për të marrë një shërbim mjekësor, duhet patjetër që numri i tyre i telefonit të jetë i verifikuar në sistem. Kjo risi, edhe pse në teori mund të përmirësojë komunikimin dhe planifikimin, në praktikë ka krijuar paqartësi dhe vështirësi për shumë pacientë, veçanërisht për të moshuarit ose ata që nuk janë të aftë të përdorin telefonin celular apo aplikacionet digjitale.

    E megjithatë, edhe pse është futur tashmë në funksion për gati dy javë, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ende nuk e dinë se verifikimi i numrit të telefonit është kusht për të marrë trajtim shëndetësor. Ata që janë në dijeni, përpiqen të përditësojnë të dhënat përmes aplikacionit celular “Shëndeti im” ose duke kërkuar ndihmë direkt te mjeku amë. Por ky proces, në vend që të thjeshtësojë procedurat, po sjell mbingarkesë nëpër ordinanca.

    Ndërkaq, mjekët raportojnë për radhë të gjata dhe kohë të kufizuar për pacientët që kanë nevojë për trajtim real, pasi pjesën më të madhe të kohës po e shpenzojnë duke futur numra telefoni dhe duke ndihmuar pacientët të marrin kodin e verifikimit. Nga ana tjetër, është e kuptueshme që shumë qytetarë, veçanërisht ata më të moshuar, nuk kanë asnjë mundësi për ta bërë këtë vetë, e aq më pak përmes një aplikacioni. Në raste të tilla, procesi bëhet përmes mjekut ose një të afërmi, por edhe kjo sjell ngarkesë shtesë dhe ndonjëherë ndërlikime teknike.

    Sipas të dhënave zyrtare, vendosja e këtij mekanizmi është nxitur nga analiza që kanë treguar se një numër i madh pacientësh nuk janë paraqitur në terminët e caktuara, për shkak të kontakteve të vjetruara që kishin në sistem. Për shembull, mbi 50 për qind e pacienteve me ekzaminime të planifikuara të gjirit nuk janë paraqitur në takimet e tyre, çka ka rezultuar në humbjen e hapësirave që mund të përdoreshin për raste të tjera. Për këtë, nga platforma “Termini im” theksojnë se procesi i verifikimit të numrit të telefonit është pjesë e rëndësishme e funksionimit të sistemit dhe synon përmirësimin e komunikimit me pacientët, duke u realizuar gradualisht dhe pa afat të përcaktuar kohor.

    “Sistemi monitorohet vazhdimisht dhe merren masa të menjëhershme kur evidentohen probleme, duke kujtuar se numrat e verifikuar dhe të saktë të telefonit janë çelësi për planifikimin, raportimin dhe komunikimin digjital me pacientët. Verifikimi kryhet në kuadër të një kontrolli të rregullt te mjeku amë dhe për momentin nuk ka një afat të caktuar brenda të cilit duhet të kryhet. Kjo do të thotë se nuk kërkohet ndonjë veprim i veçantë nga pacientët, procesi zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme, në kuadër të kontrollit shëndetësor”, informojnë nga atje.

    Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë synon të shmangë këtë problem përmes përditësimit të kontakteve. Deri më 9 prill, rreth 458.428 pacientë kanë konfirmuar numrin e tyre të telefonit përmes mjekut amë, ndërsa vetëm 7.072 persona kanë arritur ta kryejnë këtë hap vetë, në mënyrë elektronike përmes aplikacionit “Shëndeti im”. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Kujt i takon përgjegjësia për ushqimin e pasigurt në RMV! AUV-it apo operatorëve?

    Lajmi i rradhës

    Dhuna në spitalet e RMV gjithnjë në rritje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë