Skenar rus në zgjedhje apo akuza boshe!

    Në prag të zgjedhjeve të pranverës në Maqedoninë e Veriut, partitë po akuzojnë njëra tjetrën për një skenarë rus, diktat bullgar dhe paralajmërojnë një politikë skandinave ndaj fqinjëve. Në vend të një dueli programesh dhe premtimesh, dominon një fushatë e zezë dhe akuza për ndërhyrje të forcave të jashtme në procesin zgjedhor.

    Në këtë kontekst, po bëhen më të zhurmshme akuzat se po përgatitet një skenar rus për të shkaktuar probleme në zgjedhje. Bashkimi Demokratik për Integrim doli sërish me pretendimin se opozita po planifikon trazira politike pas 8 majit dhe akuzoi opozitën shqiptare se po vepron sipas skenarëve rusë të udhëhequr nga liderët e VMRO-DPMNE-së dhe të Majtës, Hristijan Mickoski dhe Dimitar Apasiev. “Koalicioni VLEN, i koordinuar me VMRO-DPMNE-në e Mickoskit dhe të Majtën e Apasievit, si dhe në mungesë të programit zgjedhor, ka intensifikuar shpifjet ndaj Bujar Osmanit dhe Talat Xhaferit dhe nuk i kursen as familjet e zyrtarëve, gjë që shqetëson qytetarët po ashtu, por është njoftuar edhe faktori ndërkombëtar në vend”, theksojnë nga partia e Ali Ahmetit.

    JO RUSISË, PO EUROPËS

    Ata ftojnë opozitën, atë shqiptare dhe maqedonase, të bëjnë një fushatë në përputhje me vlerat evropiane dhe demokratike, sepse çdo gjë kundër saj do të thotë largim nga Bashkimi Evropian dhe afrim me Moskën dhe Putinin. Sipas BDI-së, këto zgjedhje do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit. Le t’i themi ‘PO Evropës, JO Rusisë’, tha partia.

    Mirëpo, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i hodhi poshtë akuzat e tilla, duke theksuar se pushtetarët duan të imponojnë temën e ndikimit rus, sepse mendojnë se do të marrin ndonjë poen plus.

    “Asku sh nuk është aq naiv sa të besojë në logjikën e qeverisë se me njërën dorë valëviten flamujt e BE-së dhe me tjetrën e vjedhin shtetin”, thotë Mickoski. Sipas tij, në atë mënyrë po tentojnë të “polarizojnë” dhe të kënaqin disa qendra të pushtetit që janë jashtë Maqedonisë. “Nuk mendoj se dikush është aq naiv sa të bjerë pas këtyre truqeve të lira”, thotë Mickoski, duke vlerësuar se kjo është një temë abstrakte, sepse “historikisht, ndikimi rus në Maqedoni mund të jetë më i vogli në Ballkan”.

    BULLGARIA, VETO, GARANCA

    Krahas akuzave për ndikim rus, në retorikën parazgjedhore mbizotërojnë edhe akuzat për marrëdhëniet me Bullgarinë dhe bllokimin e rrugës drejt BE-së. “Bullgaria po e prish marrëveshjen për fqinjësi të mirë, jo ne. Qëndrimi se vetoja po na qëndron mbi kokë është fatal. Duhen garanci nga fqinji si dëshmi e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë”, tha këto ditë kandidatja për presidente e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova.

    Së fundmi ajo njoftoi se nëse zgjidhet presidente e shtetit, do të udhëheqë një “politikë të jashtme skandinave” ndaj fqinjëve të saj, duke tërhequr paralele me Suedinë, Finlandën dhe Danimarkën, të cilat ndihmuan Letoninë, Estoninë dhe Lituaninë në rrugën e tyre drejt demokratizimit, edhe pse ata ishin në gjendje më të keqe nga pozicioni fillestar nga vendet e ish-Jugosllavisë. Меs tjerash tha se pritej që vendet fqinje të BE-së të ishin të parat që do ta ndihmonin Maqedoninë, por disa prej tyre “nuk mund të dalin nga logjika ballkanike e kushtëzimit, nacionalizmit, ballkanizimit, korrupsionit dhe krimit”.

    “Ata brenda na kanë shkaktuar probleme dhe harrojnë se në Traktatin e Lisbonës është një nen 8 që thotë se BE-ja do të inkurajojë marrëveshjet me fqinjët e saj në baza reciproke dhe do ta ndihmojë atë në rrugën e saj drejt BE-së. Nëse lidhim marrëveshje për miqësi dhe fqinjësi të mirë, nuk ka nevojë për kërcënime me veto, që është fqinjësia më pak miqësore dhe e mirë”, tha Siljanovska-Davkova.

    TË RESPEKTOHEN KRITERET E KOPENHAGËS

    Siljanovska-Davkova tha se do të jemi të respektuar dhe të barabartë në BE nëse ndërtohemi dhe rregullohemi sipas kritereve të Kopenhagës. Beson se “BE-ja do të na vendosë veton dhe ne do të marrim nuk e di sa veto për shkak të mospërputhjes me kriteret e Kopenhagës”.

    “Në BE, ju duhet të jeni kompatibil në të njëjtën kohë, e jo të glorifikojmë BE-në. Duke e bërë atë një dogmë, dhe në të njëjtën kohë duke ndryshuar gjërat, domethënë duke evropianizuar veten, ne do të gjejmë një marrëdhënie më të mirë dhe një përgjigje më të mirë. Ajo që thonë është se nëse nuk e ndryshojmë Kushtetutën, do të jemi jashtë, sa herë i kemi nisur negociatat – fillimisht i kemi nisur negociatat me avion, pastaj deri në fillimin e negociatave në Selanik me deklaratat e ish-kryeministrit, pastaj Marrëveshja e Prespës, a jeni pro anëtarësimit në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen e Prespës, kjo është iluzion”, vlerëson Siljanovska-Davkova.

    SHEMBULLI ZVICERAN

    Më parë, kandidatja për presidente nga partia E Majta, Biljana Vankovska, në një intervistë për media kishte zbuluar se nëse zgjidhet presidente, Maqedonia do të largohet nga NATO dhe do të deklarojë neutralitet, si për shembull Zvicra. Njohësit e proceseve politike deklaratat e tilla i vlerësuan si një përpjekje me “retorikë anti-NATO dhe antiperëndimore për të fituar vota në zgjedhje”.

    Maqedonia e Veriut po përballet me zgjedhje të dyfishta – presidenciale dhe parlamentare. Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 24 prill, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahen më 8 maj. Do të jetë një provë e madhe për vendin. Zgjedhjet do të monitorohen nga 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër të OSBE-ODIHR. Edhe pse të gjitha partitë zotohen se do të kontribuojnë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shpallin se do të luftojnë për të parandaluar të gjitha përpjekjet për të shkaktuar krizë, megjithatë kjo periudhë parazgjedhore dominohet nga një fushatë e zezë, akuza reciproke dhe sharje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Hill: Aktualisht Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova

    Lajmi i rradhës

    Luiza Duraki, shqiptarja nga Shkupi që synon të bëhet deputete në parlamentin e Brukselit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë