Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani në “Summer Click” në TV21 tha se Nevzat Bejta, Blerim Bexheti dhe Musa Xhaferi vazhdojnë të mbesin pjesë e BDI-së pasi të njëjtit nuk janë deklaruar se do të marrin pjesë në ndonjë subjekt tjetër politik. Osmani tha se të njëjtit morën pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
“Sigurisht do të duhet të flisni me ta, do të ishte më korrekte, por fakti që ishin në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, nuk janë deklaruar që janë pjesë e lëvizjeve të reja, strukturave të reja, organizimeve të reja, lë hapësirë që ky debat të zhvillohet më tutje në parti për të parë çka më tutje në këtë drejtim”, tha Osmani.
Arijanit Hoxha e Bastri Bajrami pjesë e “frontit europian”? Osmani: Ia vlen të bisedohet
I pyetur nëse Arjanit Hoxha dhe Bastri Bajrami mund të bëhen pjesë e pushtetit, marrë parasysh se dje u distancuan nga bashkëpunimi mes Lëvizjes Besa, Alternativës dhe subjektit të Izet Mexhitit, Bujar Osmani në “Summer Click” tha se deri tani nuk kanë biseduar me këta eksponentë politik, por që ia vlen të bisedohet.
“Deri tash jo, por natyrisht se ia vlen të bisedohet për shkak se BDI ka nisur idenë e frontit europian, duke vlerësuar se tani është koha për koncentrimin e energjisë europiane në vend, duke parë se po polarizohet shoqëria në vend”, tha mes tjerash Osmani. /Nistori/