Armenia shfuqizoi ndalesën për importin e produkteve turke

    Qeveria e Armenisë më 30 dhjetor shfuqizoi ndalesën për importin e prodhimeve nga Turqia, vendim i imponuar pasi Ankaraja mbështeti Azerbajxhanin në luftën e vitit të shkuar me Armeninë.

    Gjatë vjeshtës së 2020-s Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan luftë gjashtëjavëshe për shkak të kontestit rreth rajonit Nagorno-Karabah. Si pasojë e luftimeve vdiqën 6,500 njerëz, derisa Rusia ndërmjetësoi armëpushimin.

    “Është marrë vendim që embargoja ndaj importit të prodhimeve turke të përfundojë”, njoftoi Ministria e Ekonomisë të Armenisë.

    Vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2022.

    Ndalesa gjashtëmuajshe për importin e produkteve turke në Armeni kishte hyrë në fuqi më 31 dhjetor të 2020-s dhe ishte vazhduar edhe për gjashtë muaj në qershor.

    Heqja e ndalesës tani do të duhej të krijonte kushte më të mira edhe për eksportin e prodhimeve armene. Sipas Ministrisë armene të Ekonomisë ndalesa pati efekte sa pozitive, aq edhe negative.

    Sidoqoftë, Turqia dhe Armenia paralajmëruan tashmë emërimin e të dërguarve të posaçëm për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

    Qysh në vitin 2009 Armenia dhe Turqia kishin nënshkruar marrëveshjen për normalizim të raporteve, gjë e cila do të duhej të ndikonte në hapjen e kufijve mes dy vendeve, por kjo marrëveshje nuk u ratifikua asnjëherë./REL/

    Lajmi Paraprak

    Trajtimi me mjaltë për lehtësimin e kollës tek fëmijët

    Lajmi i rradhës

    Nëse jetoni në të kaluarën, do të ngelni në të gjithë jetën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë