TV21 mëson se është arrestuar drejtoresha e Ndërmarrjes Komunale në Gostivar, Artana Asllani, si dhe dy bashkëpunëtorë të saj, në lidhje me ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar.
Kujtojmë se në rajonin e Gostivarit është shpallur epidemi si pasojë e ndotjes së ujit. Autoritetet njoftojnë se uji aktualisht nuk është i pijshëm dhe nuk duhet të përdoret as për higjienë personale, e as për përdorim teknik.
Kryeministri Hristijan Mickoski kërkon që kreu i Gostivarit dhe gjithë zinxhiri përgjegjës të mbajnë përgjegjësi morale për helmimin e qytetarëve të Gostivarit.
Sipas tij, Instituti i Shëndetit Publik e ka bërë punën e vet, ndërsa tani në hap është Prokuroria Publike e cila duhet të dalë me kualifikimin e veprës penale. Për shkak se ujësjellësi në Gostivar është projekt i financuar nga jashtë dhe me mbështetjen e Qeverisë, Mickoski tha se përgjegjësi do të ketë edhe për mbikëqyrësin e punimeve i cili ka nënshkruar raportin kur ka mbaruar projekti.






