Arrestohen tre policë në Shqipëri për korrupsion dhe shpërdorim detyre

    Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar 3 oficerë policie si të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

    Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) njofton se ka kryer arrestimin në flagrancë të oficerëve të policisë, inspektor Eldo Shyti dhe inspektor Granit Nuraj, me detyrë Trup Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Vlorë.’

    Arrestimi i tyre u krye pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas holandezë, të cilët ditën e djeshme, rreth orës 18:30, janë ndaluar në qytetin e Vlorës për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

    Oficerët e policisë, duke shpërdoruar detyrën, si dhe duke falsifikuar dy procesverbale të shkeljes administrative, dyshohet se kanë përfituar një shumë prej 30.000 lekësh me qëllim moskryerjen e detyrës funksionale, me preteksin se do të kryenin pagesën e gjobës dhe se i kanë favorizuar duke mos u pezulluar lejen e drejtimit.

    Materialet në ngarkim të dy punonjësve do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsioni pasiv kryer në bashkëpunim”.

    Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier-Berat) bën me dije se në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka bërë ndalimin e oficerit të policisë Klisman Çela, me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban në DVP Fier, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”.

    Ndalimi u krye pasi ai ka kryer veprime korruptive me drejtues automjetesh duke mos i ndëshkuar ata me masë administrative.

    Materialet proceduriale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier. /tvklan.al/

    Lajmi Paraprak

    Rajoni i Ohrit mbeti në listën e trashëgimisë botërore në UNESCO

    Lajmi i rradhës

    ​Kërkohet nga BE-ja të jetë më e balancuar në dialog

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë