Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënon aneksimin rus të katër rajoneve ukrainase

    Me shumicë të madhe vendet anëtare të OKB-së miratuan një rezolutë, përmes së cilës dënojnë aneksimin kundër së drejtës ndërkombëtare të territoreve ukrainase nga Rusia. Vota në OKB tregon për izolimin e Moskës.

    Ishte parashikuar një shumicë e qartë në OKB kundër aneksimit në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të territoreve ukrainase nga Rusia. Por rezultati përfundimtar i votimit në Asamblenë e Pergjithshme të OKB-së i tejkaloi parashikimet: 143 nga 193 vendet anëtare të OKB-së votuan në forumin më të madh të kësaj organizate pro rezolutës, që dënon aneksimin nga Rusia të rajoneve ukrainase dhe e shpall atë të pavlefshëm.

    Kremlinit i kërkohet që të rikthejë rajonet e pushtuara Lugansk, Donjeck, Saporishshja dhe Kerson.

    Vendimi ndonëse nuk është i detyrueshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, tregon megjithatë izolimin e qartë ndërkombëtar të Moskës. Në rezolutë theksohet gjithashtu sovraniteti, pavarësia, uniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

    Ukraine-Krieg Kämpfe bei Charkiw

    Luftime në Kharkov

    Siria, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia e Rusia votuan kundër. 35 vende të tjera abstenuan, ndër to partnerët strategjikë të Rusisë Kina, India, Afrika e Jugut dhe Pakistani. Ndër vendet që e miratuan rezolutën janë edhe Brazili, Turqia dhe Arabia Saudite, vende këto për të cilat fillimisht u spekulua se si mund të komportoheshin gjatë votimit të rezolutës.

    Gjermania gjatë një mbledhjeje urgjente mbështeti hartimin e rezolutës. “Pseudoreferendumet dhe aneksimi ilegal i Rusisë janë zero dhe të pavlefshme”, tha diplomati gjerman Michael Geisler përpara votimit në Asamblenë e Pergjithshme. „Ne të gjithë jemi të detyruar ligjërisht që të refuzojmë t’i pranojmë ato.”

    Një projekturezolutë e ngjashme si kjo që u miratua tani dështoi gjatë votimit në shtator në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të kundërshtimit të Rusisë. Në Këshillin e Sigurimit rezolutat kanë efekt detyrues sipas së drejtës ndërkombëtare. Anëtarët e përhershëm të këtij forumi Rusia, Kina, SHBA-ja, Franca dhe Britania e Madhe me veton e tyre mund t’i bllokojnë vendimet. /DW/

    Lajmi Paraprak

    “Korrupsioni dukuri e rrezikshme, po i han vendet e punës dhe ekonominë”

    Lajmi i rradhës

    Kosto më e ulët e thëngjillit, por faturat vazhdojnë të rriten

    Lajme tjera

    Franca nuk gjen qetësi

    Protestat masive në të gjithë Francën vazhduan edhe në fundjavë. Presioni duhet të vazhdojë, thotë një përfaqësues i…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë