ASH dhe AAA i përgjigjen BDI-së: Keni dështuar në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

    Ka vazhduar përplasja në mes partive shqiptare në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit.

    Kanë reaguar partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, ndaj akuzave të BDI-së, ku kjo e fundit ju tha se janë kundër marrëveshjes kornizë.

    Nga ASH-AAA, nëpërmjet një kumtese për media thonë se jo vetëm që nuk janë kundër Marrëveshjes së Ohrit, por punojnë për ta mbrojtur atë.

    “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, jo vetëm që nuk janë kundër Marrëveshjes së Ohrit, por punojnë për ta mbrojtur atë nga çdo devalvim që ia bëjnë njerëzit si ju. E kuptojmë mirë shqetësimin e BDI-së, gjendjen e mjerueshme në të cilën kanë zgjedhur vetë të jenë, pas dështimit për dy dekada si në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ashtu dhe në të gjitha sferat e tjera. Ju zotërinj të nderuar, vetë keni parapëlqyer të jeni në panel dhe në shoqërim vetëm të Branko Cërvenkovskit, Hari Kostovit, Hristijan Mickoskit, Ljupço Georgievskit dhe me radhë, siç tregon dhe fotografia më poshtë”.

    “Për këtë nuk ju kemi faj ne, por mos prisni kurrë që ne të jemi vetëm audiencë e juaja dhe spektatorë të dështimeve tuaja, ashtu siç na ftuat duke ju dhënë të drejtë fjale vetëm personave të lartëpërmendur. Ne do të jemi gjithmonë këtu për t’ua hequr maskat dhe mandatet e vjedhura, duke filluar nga zgjedhjet lokale dhe menjëherë më pas edhe në ato parlamentare. Liderët e shqiptarëve, z.Ziadin Sela dhe z.Afrim Gashi janë këtu, jo pse dëshironi ose nuk dëshironi ju, por sepse kështu duan shqiptarët”, thuhet në reagimin e ASH-së dhe AAA-së./Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Kosova kërkon dëshmi të vaksinimit nga 20 gushti

    Lajmi i rradhës

    Ahmeti: Marrëveshja e Ohrit shpëtoi vendin nga tragjedi të mundshme

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë