ASh ende pret ofertën përfundimtare të Kovaçevskit

    Asgjë e re në lidhje me bisedimet për zgjerimin e mundshëm të shumicës parlamentare. As njëra nga partitë nuk e pranojnë se është diskutuar për ndarje resorësh, por megjithatë në koluaret partiake flitet se tashmë Aleancës për Shqiptarët i janë ofruar disa pako me ministri e drejtori me të cilat ASH do të drejtonte nëse vendos të bëhet pjesë e Qeverisë.

    Jozyrtarisht mësohet se ASh në fillim ka kërkuar katër ministri, nga Qeveria i kanë ofruar dy, ndërsa tash për tash mësohet se ka gjasa që si marrëveshje finale të mbetet që ASh-së t’i jepen 3 ministri. Aleanca për Shqiptarët ende është në pritje të një oferte përfundimtare të Qeverisë, e cila më pas do të shqyrtohet në parti. Nga ASH thonë se nuk është paraparë ndonjë takim ditëve në vijim.

    “Nuk ka ndonjë ftesë për takim për ditët në vijim. Kur do të ketë diçka konkrete, do ta bëjmë publike”, thonë nga ASh.

    Siç flitet në opinion ASh me shumë gjasa do të duhet të zgjedhë mes Ministrisë së Shëndetësisë, të Drejtësisë, të Bujqësisë, të Arsimit dhe Mjedisit. Nëse eventualisht ASh i kërkon dy resorë nga e njëjta parti, atëherë LSDM e BDI mes vete do të bëjnë këmbime të resorëve.

    Analisti politik, Qenan Aliu thekson se kyçja e ASh-së në qeveri është çështje e brendshme e një subjekti politik, që sipas tij vetëm organet brenda-partiake duhet që ta vlerësojnë këtë momentum politik. Por ai shton se rreziku i hyrjes në Qeveri është i aspektit parimor dhe ideologjik.

    “Unë mendoj se kyçja mund të ketë ca përparësi por edhe ca rreziqe politike. Meqë tek ne çështja e bashkëqeverisjeve nuk praktikohet sipas ideologjive, koncepteve apo profilizimit të partive por kryesisht sipas pragmatizmit politik. E krejt kjo ndodhë për shkak të konceptit kushtetues të vendit. Andaj gjykoj se me hyrjen e ASh-së partitë që përbëjnë shumicën e brishtë do të humbin nga pak nga tepsia e pushtetit, kurse ASH do të marrë pak nga ajo. Ndërkaq ky reformatim eventual i qeverisë vetëm se mund të shuaj , ‘zjarrin’, në BDI mbase më së shumti mund të dëmtojë demokracinë sepse shoqëria një vit do të mbetet pa zë të fuqishëm opozitar së bashku me Lëvizjen BESA”, thotë Aliu.

    Nga ajo që mësohet nga burime partiake është se ka bisedime mes 3 partnerëve qeverisës, Dimitar Kovaçevskit, Ali Ahmetit dhe Afrim Gashit, por zyrtarisht nuk jepet asnjë informacion. Nga Alternativa konfirmuan se të premten ka pasur takim Gashi-Kovaçevski, ndërsa shtojnë se në takim është biseduar edhe për mundësinë e zgjerimit të shumicës parlamentare dhe bashkërisht është konstatuar se hëpërhë nuk ka ndryshuar asgjë në pikëpamje të numrave të shumicës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KRIZA EKONOMIKE | Dyqane me fletore të varfërisë!

    Lajmi i rradhës

    Të gjitha institucionet kulturore në Tetovë janë nën kompetencë të Ministrisë së Kulturës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë