Aleanca për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës, akuzon se organizatori i protestës së dhunshme për kishën e Gallatës, Dushko Pavllovski, është shok i afërt i ministrit Arben Taravarit dhe u.d kryetarit të Komunës së Gostivarit Valbon Limani. Ata shtojnë se ai ishte njëri ndër organizatorët e protestës së dhunshme që u mbajt dje në Komunën e Vrapçishtit ku, sipas tyre, bashkë me simpatizantë të tjerë të VMRO-së tentuan të hyjnë me dhunë në kabinetin e kryetarit, Isen Shabani duke lëshuar edhe kërcënime ndaj tij.
Edhe pse Prokuroria mohoi të ketë pasur urdhër për arrestim, nga ASh thonë, se për arsyet e lartpërmendura, Shabani ishte edhe njëri nga dy të arrestuarit.
“Skenaret e këtilla për ngritje të tensioneve tanimë janë letër e lexuar e VMRO-së dhe Qeverisë monoetnike e cila kohë pas kohe, ashtu si në Kodrën e Diellit, tenton të mbjell kryqa dhe kisha edhe në vendvanime të tjera. Por, ajo që duhet t’i sqarohet opinionit është cila ka qenë lidhja dhe roli në këtë skenar i Arben Taravarit dhe pasardhësit të tij në krye të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani. Me këtë të fundit, Pavllovski ka publikuar fotorafi ku tregon afërsinë e ngushtë që kanë dhe mund të shihet qartë se bëhet fjalë për raporte të fuqishme mes dy personave në fjalë. Ndërkohë për qytetarët e Gostivarit është fakt i njohur edhe lidhja e ngushtë e Taravarit me Pavllovskin shumë kohë më parë”, thonë nga ASh.
Nga kjo parti kërkojnë nga Taravari që t’i përgjigjet opinionit në disa pyetje:
– Cila është arsyeja e afërsisë së Taravarit dhe Limanit me militantin e dhunshëm të VMRO-së?
– Cili është roli i Taravarit dhe Limanit në skenarin për uzurpimin ilegat të pronës afër kishës dhe ngritjen e kryqit në atë lokacion.
– Cili është interesi i Taravarit dhe grupit të tij për të inskenuar incidente dhe tensione ndëretnike?
Aleanca për Shqiptarët i bën thirje dyshes Taravari-Mickoski që të heqin dorë nga çdo skenar, sepse tanimë janë zbuluar dhe është e kotë çdo tentativë për të njëllosur shqiptarët e për t’i futur ata në zjarr për intesat e ngushta grupore. Hiqni dorë nga destabilizimi dhe mos provoni të shkoni kundër vullnetit të popullit.
“Nëse Taravari i ka borxh dikujt atëherë, mund ta ofrojë oborrin e vetë për kishë e kryq, por asesi pronën publike të qytetarëve e aq më pak të vendos në rrezik jetën e bashkëpartiakut të dikurshëm. Cili është çmimi i kësaj tradhëtie që Taravari po i bën Isen Shabanit, ish partisë së tij dhe qytetarëve shqiptarë”, shtojnë nga ASh.
Ndryshe, në rrjetet sociale më 10 shtator u publikua një video rreth kishës në fshatin Gallatë. Në video, e cila ishte shpërndarë nga shumë media në Maqedoninë e Veriut, shihet ekskavator dhe punonjës të policisë rreth kishës. Ai i cili e incizoi videon, deklaroi se ai dhe të tjerët janë ndërprerë në pastrimin dhe renovimin e kishës dhe se policët kanë marrë urdhër nga prokurori për arrestim.