Asnjë universitet shqiptar në RMV nuk gjendet në listën e TOP 3 mijë universiteteve në botë

    Universiteti i Tetovës/Fotografia:Nistori

    Për universitetet shqiptare nuk ka vend jo vetëm në TOP 1000 Universitetet në botë, sipas listës së Shangait, e cila u publikua muaj më parë, por situata është edhe më keq se kaq. Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme në Ankara të Turqisë (URAP) ka publikuar rangimin e 3 mijë universiteteve në botë sipas performancës akademike, dhe këtu nuk përfshihet madje as edhe një universitet shqiptarë të asnjë nga vendet e rajonit. Universiteti i Tiranës i themeluar 65 vite më parë, në vitin 1957 dhe Universiteti i Prishtinës që daton nga viti 1969, vlerësuar sipas perfomancës akademike, nuk kanë arritur të radhiten në listën e 3 mijë universiteteve më të mira në botë. Përveç tyre, as edhe një universitet tjetër privat nga këto dy shtete nuk ka gjetur veten në Renditjen Botërore URAP 2021-2022. E njëjta situatë kishte ndodhur edhe gjatë vitit akademik 2020-2021.

    Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, si dhe Mali i Zi përfshihen minimalisht. Ndonëse çdonjëri nga këto tri shtete përfaqësohet me një universitet në mesin e 3 mijë universiteteve më të mira në botë sipas URAP, nuk është se kanë shënuar ndonjë rritje për nga cilësia, madje dy prej tyre kanë shënuar rënie në listë nga viti në vit. Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, i cili para 1 viti radhitej në vendin e 1668, tani ka rënë në vendin e 1709, gjegjësisht 41 vende më poshtë. Dy universitetet në Tetovë, UEJL dhe ai Universiteti i Tetovës nuk gjenden as në listën  e 3 mijë universiteteve më të mira në botë.

    Rënie në listë ka shënuar edhe Universiteti i Sarajevës. Para 1 viti, ky universitet radhitej në vendin e 1951, tani gjendet në vendin e 1958, ose shtatë vende më poshtë. Universiteti shtetëror i Malit të Zi, për dallim nga Universiteti i Shkupit dhe ai i Sarajevës, ka avancuar në këtë drejtim, dhe nga vendi i 2209 para një viti, tani radhitet në vendin e 2183-të, gjegjësisht 26 vende më lartë. Serbia nga ana tjetër ruan “status quo”-në e numrit të universiteteve. Si në vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, Serbia përfaqësohet me katër universitete në listën e URAP-it, mirëpo me një rënie jo shumë të theksuar të Universitetit më të madh në vend. Universiteti i Beogradit radhitet nga vendi i 288 në vitin e kaluar, tani në vendin e 290, më pas vijnë Universiteti i Novi Sadit nga vendi i 861 në vendin e 872, Universiteti i Kragujevacit nga vendi i 1057 në vendin e 1097 dhe Universiteti i Nishit nga vendi i 1477 para 1 viti në vendin e 1586 këtë vit.

    Cilësia në arsimin e lartë në Kroaci renditet më e mira në rajon, ndërsa në nivel botëror, sivjet Kroacia përfaqësohet edhe me një universitet më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Për dallim nga vjet ku Kroacia kishte vetëm katër universitete në listën e 3 mijë universiteteve më të mira në botë, sipas listës së URAP-it, këtë vit ajo përfaqësohet me pesë universitete. Universiteti i kryeqytetit, ai i Zagrebit ka pasur një lëvizje të vogël pozitive në radhitje, nga vendi i 421 vitin e kaluar, tani radhitet në vendin e 397. Më pas vijnë Universiteti i Splitit nga vendi i 1165 vitin e kaluar në vendin e 1201 këtë vit, Universiteti i Rijekës nga vendi i 1416 në vendin e 1417 dhe Universiteti i “JJ Strossmayer Osijek” nga vendi i 1569 në vendin e 1513, gjegjësisht 53 vende më mirë. Risi në këtë listë paraqet radhitja e Universitetit “Veri-Kroaci” që për herë të parë ndodhet në listën e TOP 3 mijë universiteteve sipas listës së URAP-it, edhe atë në vendin e 2264.

    Renditja Botërore e URAP-it 2021-2022 bazohet në disa tregues të performancës akademike. Duke qenë se URAP-i është një renditje e bazuar në performancën akademike, botimet përbëjnë bazën e metodologjisë së renditjes. Si tregues përdoren si cilësia, ashtu edhe sasia e publikimeve dhe performanca e bashkëpunimit kërkimor ndërkombëtar.

    TOP 5 UNIVERSITETET MË TË MIRA NË BOTË

    Universiteti Harvardit në SHBA zuri vendin e parë. Ata pasohen nga Universiteti i “Torontos”- Kanada, “University College London” – Angli, Universiteti i Parisit- Francë dhe Universiteti i Oksfordit – Angli.

    KRITERET E VLERËSIMIT

    Renditja Botërore e URAP-it 2021-2022 bazohet në disa tregues të performancës akademike. Duke qenë se URAP-i është një renditje e bazuar në performancën akademike, botimet përbëjnë bazën e metodologjisë së renditjes. Si tregues përdoren si cilësia, ashtu edhe sasia e publikimeve dhe performanca e bashkëpunimit kërkimor ndërkombëtar.

    Lajmi Paraprak

    FYERJE, KËRCËNIME E AKUZA! Skenë e tensionuar politike në RMV

    Lajmi i rradhës

    Çanta e shkollës së Sarës 8 vjeçare u bë pjesë e bagazhit në autobusin nga Shkupi drejt Italisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë