Assesi të mënjanohen defektet në ujësjellësin e Tetovës

    Në një periudhë kur rrjeti i ujësjellësit në Tetovë po përballet me probleme të shumta dhe pasojat i ndjejnë qytetarët, të cilët nuk furnizohen mjaftueshëm me ujë, autoritetet përgjegjëse njoftojnë se brenda kësaj jave do të lëshohet në funksion pusi i ujit pranë të ashtuquajturit “Parku i Grave”, i cili do të kontribuojë në furnizimin me 20 litra ujë në sekondë më shumë në rrjetin e qytetit. Nga Ndërmarrja Publike e Ujit dhe Kanalizimit “Sharri” në Tetovë bëjnë të ditur se ky është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës së ujësjellësit dhe rritjes së cilësisë së jetës për qytetarët.

    “Gjithashtu, ju njoftojmë se po punohet me përkushtim në rregullimin dhe funksionalizimin e të gjithë bunarëve të tjerë në qytet. Shumë shpejt  të gjitha këto burime të ujit do të jenë plotësisht funksionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve”, thonë nga Ndërmarrja Publike e Ujit dhe Kanalizimit “Sharri” në Tetovë. Kryetari i Komunës së Tetovës  thotë se sistemi i ujësjellësit në Leshnicë , i cili u lëshua në përdorim në vitin 2017, ka shumë mangësi. Ai edhe njëherë  ka paralajmëruar aktivitete për përmirësimin e furnizimit me ujë në pranverë.

    “Kemi marrë një projekt për ndryshimin e tubacionit kryesor nga stacioni i ujit në rezervuarin që është mbi qytetin e Tetovës  që është një projekt rreth 2 milionë euro dhe në fazën tjetër do të vazhdojmë me rehabilitimin dhe ndryshimin e ujësjellësit nga lumi i Leshnicës. Pra, ne punojmë rregullisht, por ajo që është e rëndësishme është që Ndërmarrja Publike Sharri ka bërë ndërhyrje rregullisht për të riparuar  defektet që ndodhin. Unë e kam thënë edhe më parë, se këto defekte janë  shkak të investimeve jo cilësore që janë bërë në të kaluarën”, deklaroi  Bilall Kasamit, kryetar i Tetovës. Ndonëse ndërmarrja “Sharri” ditë më parë ka sanuar defektin e  ujësjellësit në Leshnicë, megjithatë problemi nuk është zgjidhur për një periudhë afatgjate. Në të kaluarën dhe jo vetëm, disa herë ka pasur defekte më të mëdha të rrjetit në sistemin e ujësjellësit në Malin Sharr, gjë që përsëritet gjithmonë kur ka reshje atmosferike. Defekti i fundit në zonën e Leshnicës ishte regjistruar në fund të javës së kaluar.

    “Punimet kanë filluar në ora 05:00 të mëngjesit dhe janë përmbyllur me sukses deri në ora 20:00. Defekti në rrjetin e Leshnicës, që ndikonte në furnizimin e dobët me ujë, tashmë është zgjidhur. Ky është një shembull i i efikasitetit dhe përkushtimit, duke treguar se problematikat që më parë zgjateshin me ditë e javë, tani mund të zgjidhen brenda disa orëve”, kanë bërë të ditur nga Ndërmarrja Publike e Ujit dhe Kanalizimit “Sharri” në Tetovë. Por, edhe përskaj këtyre probleme, në disa lagje të Tetovë ende hasen probleme gjatë furnizimit me ujë të pijshëm. Kjo, më shumë haset në lagjet që ndodhen në pjesë të larta të qytetit dhe jo vetëm. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Përkujdesja dhe ujitja e bimëve të shtëpisë në dimër

    Lajmi i rradhës

    Aggeler paralajmëron sërish zgjerimin e listës së zezë në Maqedoninë e Veriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë