Pas kritikave të shumta rreth betimit solemn të presidentes së sapozgjedhur Gordana Siljanovska Davkova, është gjithnjë e më e sigurt se Athina do ta përcjellë me vëmendje betimin solemn të liderit të VMRO-DPMNE-së dhe mandatarit Hristijan Mickoski. Seanca për zgjedhjen e qeverisë së re është caktuar për të shtunën (22.06) në ora 11:00, ndërsa rregullorja e Parlamentit parasheh që seanca për zgjedhjen e Qeverisë të zgjasë maksimumi dy ditë. Kjo do të thotë se të dielën para mesnate, Maqedonia e Veriut duhet të ketë qeverinë e re, e cila do të ketë 24 anëtarë.
EMRI KUSHTETUES, PËRPLASJE MICOTAKIS-MICKOSKI
“Më pyetni se ç’po ndodhë, ju them nuk mund të vazhdoni kështu. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, nëse prej momentit kur do ta marrë detyrën, insiston në këtë retorikë, do të gjendet në situatë mjaft të pakëndshme, kur do të takohemi në Samitin e NATO-s”, tha kryeministri grek, Kiriakos Micotakis për radion “Real fm” për qëndrimin e mandatarit për formim të Qeverisë, Hristian Micotakis rreth përdorimit të emrit të Maqedonisë. Micotakis sqaroi se Marrëveshja e Prespës siguroi një emër për përdorim të përgjithshëm, dhe jo formulë e dyfishtë dhe edhe njëherë e përsëriti qëndrimin se kontestimi mund të krijojë probleme në marrëdhëniet me Greqinë, me NATO-n dhe me BE-në, por edhe se çështjen do ta iniciojë në Samitin e NATO-s në gjysmën e parë të korrikut.
“Gjithsesi se do ta inicioj dhe mendoj se do të kem shumë aleatë në këtë tentim. Shkupi të kuptojë se nuk mund të luajë me Athinën për një çështje të tillë, sepse nëse vendi do të synonte drejt emrit të dyfishtë, çështja do të ishte e mbyllur para shumë viteve. Shkupi hyri në NATO mu përmes Marrëveshjes, e cila i ka problemet e veta, megjithatë siguroi një emër për të gjithë dhe nëse kjo kontestohet, atëherë të dijë Maqedonia e Veriut se do të ketë probleme të mëdha, jo vetëm në marrëdhëniet e saja bilaterale me Greqinë, por edhe në marrëdhëniet e saj edhe në NATO dhe me Bashkimin Evropian, drejt të cilit ka ambicie në ndonjë moment të bëhet anëtare”, tha Micotakis.
Këto janë metoda anakronike dhe talibane dhe kthime në shekullin e vjetër që janë në kundërshtim me kriteret e Kopenhagës, por unë po përgatitem me argumente për Samitin e NATO-s dhe do t’i shikoj në sy ata politikanë evropianë që më premtuan se thjesht do të ndryshonim emrin e vendit dhe pas pesë-gjashtë vitesh do të bëhemi anëtarë të BE-së dhe kjo doli të ishte gënjeshtër. Kjo është përgjigja e mandatarit Hristijan Mickoski ndaj deklaratës të Kyriakos Micotakis se “nëse Mickoski vazhdon me lojërat e emrit si kryeministër do të gjendet në pozitë të pakëndshme në NATO dhe se do të ketë probleme të mëdha me Greqinë”.
“Më pëlqejnë sfidat. Qëndrimi im është i qartë. Nëse ka politikanë evropianë në Evropë që paraqiten si modernë dhe bashkëkohor, si politikanë të shekullit të 21-të, por kanë ende motive talibane dhe duan të kërcënojnë të drejtat e njeriut të garantuara nga konventat ndërkombëtare, unë jam gati të debatoj. Unë dua të ndërtoj ura, jo t’i shemb ato. Le të flasim në bazë të fakteve dhe argumenteve kudo, dhe në Samitin e NATO-s dhe në Athinë dhe në Bruksel dhe në Shkup.
Nëse do të kishim dëgjuar mesazhet e tyre, ratifikimi i protokollit për hyrjen tonë në BE duhet të kishte filluar tashmë, sepse më kujtohet se politikanët që sot flasin për respektimin e Marrëveshjes së Prespës 6 vjet më parë më panë në sy dhe më thanë: ‘Hristijan , vetëm edhe kjo të kalojë dhe ju do të jeni pjesë e BE-së për pesë apo gjashtë vjet’. Do të doja t’i shikoja në sy dhe t’u them se janë të pandershëm dhe se bëjnë deklarata të rreme me të cilat manipulojnë këtë popull të vogël, të dashur dhe të çmuar në zemër të Ballkanit. Përderisa ka manipulime dhe standarde të dyfishta, përderisa nuk i përmbahemi kritereve të Kopenhagës dhe vlerave evropiane të përcaktuara nga De Gasper, Schumann dhe Adenauer, do të na ndodhin deklarata të tilla anakronike dhe metoda talibane dhe kthime në shekullin e vjetër”, u kundërpëgjigj Mickoski.
INTERES I MADH NGA MEDIAT GREKE
Deklaratat e liderit të VMRO-DPMNE-së dhe mandatarit për përbërjen e qeverisë së re, Hristijan Mickoski lidhur me emrin, propozimin e dorëzuar për përbërjen e re të qeverisë, si dhe votimin në Parlament gjatë fundjavës, janë në fokus të mediave online të mediave greke. Mediat në Greqi e vënë theksin te (mos)përdorimi i emrit kushtetues, ndaj kësaj radhe tekstet në botimet online janë nën titujt: “Maqedonia e Veriut: Hristijan Mickoski insiston në termin “Maqedoni” – për fundjavë Qeveria e re”; “Vetëm në kontakte me liderët e huaj, Mickoski do ta përdor Maqedoninë e Veriut”; “Mickoski: Gojarisht “Maqedonia”, ndërsa në formë të shkruar Maqedonia e Veriut” dhe të ngjashme. /Koha/