Atletja ukrainase diskualifikohet pasi refuzoi t’ia zgjaste dorën kundërshtares ruse

    Lojtarja ukrainase e skermës, Olga Kharlan, është diskualifikuar pasi nuk pranoi t’ia zgjaste dorën kundërshtares së vet ruse, Anna Smirnova, në Kampionatin Botëror të Skermës, në Milano, të enjten.

    Kharlan, katër herë fituese e medaljes olimpike dhe kampione botërore, e fitoi ndeshjen individuale 15:7 dhe pastaj nuk i shtrëngoi duart me kundërshtaren e vet, por deshi ta përshëndesë atë me cakërrim të shpatave.

    Ukrainasaj Olha Kharlan duke e festuar fitoren kundër ruses Anna Smirnova (e cila nuk shihet në fotografi), gjatë Botërorit të Skermës, në Milano, më 27 korrik 2023.
    Ukrainasaj Olha Kharlan duke e festuar fitoren kundër ruses Anna Smirnova (e cila nuk shihet në fotografi), gjatë Botërorit të Skermës, në Milano, më 27 korrik 2023.

    Smirnova mbeti në skenë për rreth gjysmë ore pas incidentit, duke biseduar me një numër zyrtarësh para se të largohej.

    Atletët ukrainas në sportet e tjera – përfshirë tenistet Elina Svitolina dhe Marta Kostyuk – kanë refuzuar po ashtu t’i shtrëngojnë duart me kundërshtarët rusë dhe bjellorusë, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

    Bjellorusia është përkrahëse e pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

    Në rregullat e sportit të skermës, përshëndetja mes kundërshtarëve dorë për dorë është detyrim dhe refuzimi për ta bërë një gjë të tillë ka për pasojë “kartonin e zi”.

    “Kartoni i zi” nënkupton përjashtim nga garat.

    “Ne e mbështesim Olga Kharlan plotësisht në këtë situatë. Jemi duke e përgatitur një protestë”, tha Mzkhailo Illiashev, presidenti i Federatës së Skermës së Ukrainës.

    “Ne do të ankohemi ndaj këtij vendimi, sepse gjyqtari i asaj përballje nuk dha karton të zi direkt, e as nuk e diskualifikoi atë. Ky diskualifikim erdhi më vonë nga lojëra të fshehta pasi ishte caktuar kundërshtarja e radhës, dhe pasi ishte caktuar gjyqtari për ndeshjen e radhës”, shtoi ai.

    Ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Huttsait, e ka përshkruar këtë incident si “një provokim i qartë nga pala ruse”.

    Kharlan po e përfaqësonte Ukrainën në këtë turne, pasi ministri i Sportit i Ukrainës vendosi të mërkurën t’i lejojë ekipet ukrainase të marrin pjesë në gara olimpike, jo-olimpike dhe paraolimpike në të cilat ka edhe garues nga Rusia dhe Bjellorusia.

    Smirnova po garonte si atlete neutrale.

    Federata Botërore e Skermës nuk i është përgjigjur Reuters-it për koment në lidhje me këtë incident. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Vendi unik në Tokë, tre liqenet që ndryshojnë ngjyrën

    Lajmi i rradhës

    Shefi i OKB-së: Ka ardhur epoka e vlimit, korriku muaji më i nxehtë në histori

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë