Autobusët e Shkupit pa kondicionerë

    Ndërmarrja e Transportit Publik Shkup u pyetën pse nuk ka kondicionerë në autobusë, nëse janë të prishur apo për të kursyer karburant, ata kanë thënë për mediat se nuk bëhet fjalë për kursimin e karburantit, por për gjendjen e ndryshme teknike të parkut të automjeteve. Ditët e fundit temperaturat kanë kaluar 30 gradë Celsius, banorët e Shkupit vazhdojnë të përdorin autobusë pa ajër të kondicionuar, shkruan gazeta KOHA. Vetëm në një numër të vogël automjetesh shoferët e ndezin sistemin e ftohjes për t’u siguruar qytetarëve kushte disi më të pranueshme udhëtimi. Në shumicën e autobusëve të tjerë, udhëtarët përballen me vapë të padurueshme, ndërsa ventilimi është pothuajse i pamundur për shkak të dritareve të vogla që nuk lejojnë qarkullim të mjaftueshëm të ajrit.

    Pasagjerët ankohen se edhe kur dritaret janë të hapura, ajri i freskët mezi ndihet nga ata që qëndrojnë pranë tyre, ndërsa pjesa tjetër e autobusit mbetet e mbushur me nxehtësi dhe lagështi. Në orët kur është më nxehtë, kur automjetet janë të mbingarkuara, kushtet bëhen edhe më të vështira, duke e kthyer çdo udhëtim në një sfidë për qytetarët. Kushdo që përdor transportin publik në kryeqytet është dëshmitar i përditshëm i gjendjes së rënduar në autobusë. Përveç mungesës së ajrit të kondicionuar, shumë automjete janë të vjetra, të papastra dhe me ulëse të konsumuara. Qytetarët, pasi presin për një kohë të gjatë në stacione nën diellin përvëlues, hipin në autobusë të mbinxehur, ku shpesh detyrohen të qëndrojnë në këmbë për shkak të mungesës së vendeve të lira.

    Një banor nga Shkupit, që udhëton çdo ditë me autobus, tha për gazetën KOHA: “Unë udhëtoj me autobus për në punë dhe çdo ditë përballem me të njëjtin problem që përsëritet çdo vit me autobusët në Shkup. Nuk i lëshojnë klimat, lejojnë më shumë persona sesa kapaciteti që mban autobusi dhe nuk ka as higjienë. E kemi shumë të vështirë të udhëtojmë me autobus në vendin tonë, por nuk është e mundur të shkojmë në punë me taksi për shkak të çmimeve të larta. Prandaj, çdo ditë detyrohemi të udhëtojmë në kushte të papërshtatshme, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta të verës”.

    Po ashtu studentja A.H nga Kumanova tha se temperaturat e larta e bëjnë udhëtimin shumë të vështirë. “Unë jetoj në konviktin “Pellagonia” në Kisella Vodë dhe më duhet të udhëtoj çdo ditë me autobus. Temperaturat e larta e bëjnë udhëtimin edhe më të vështirë, sidomos kur autobusët janë të mbushur. Shpesh detyrohemi të qëndrojmë në këmbë për shkak të numrit të madh të pasagjerëve, gjë që na lodh shumë, veçanërisht kur udhëtimi zgjat më gjatë. Në këto kushte, transporti publik bëhet një sfidë e përditshme për studentët dhe qytetarët”, u shpreh A.H.

    Ajo po ashtu shtoi se, shpesh më duhet të ndërroj dy ose tre autobusë për të shkuar në ndonjë vend ose në fakultet. Kjo ma bën shumë të vështirë dhe të lodhshëm rrugëtimin e përditshëm. Për shkak të vonesave të shpeshta, ndonjëherë nuk arrij në kohë në ligjërata apo obligime të tjera. Disa pasagjerë mbajnë me vete shishe me ujë të ftohtë, ventilatorë portativë apo mjete të tjera për t’u freskuar, duke u përpjekur të përballojnë temperaturat e larta gjatë udhëtimit. Sipas tyre, kushtet aktuale nuk janë të denja për një kryeqytet modern dhe paraqesin rrezik sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.

    Kjo situatë përsëritet prej vitesh, ndërsa autoritetet vazhdojnë të premtojnë rinovimin e flotës së autobusëve. Megjithatë, për shkak të procedurave të zgjatura dhe tenderëve të pasuksesshëm, ende nuk dihet se kur autobusët e rinj do të mbërrijnë në Shkup. Deri atëherë, mijëra qytetarë mbeten të detyruar të udhëtojnë çdo ditë në kushte që ata i cilësojnë si të papranueshme dhe çnjerëzore, duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe jo vetëm premtime. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    36 orë pa ushqim – Çfarë ndodh me sheqerin në gjak, energjinë dhe trupin tuaj

    Lajmi i rradhës

    Ombrella amerikane fillon të mbyllet për Ballkanin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë