Inspektorët e AUV-së nën llupë vendosën edhe kuzhinat e spitaleve
Njëqind e dhjetë kilogramë ushqime të pasigurta janë asgjësuar javën e kaluar nga inspektorët e ushqimit të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) në kuzhinat e institucioneve spitalore në vend, në kuadër të 43 inspektimeve të jashtëzakonshme të kryera, përcjell Nistori.
Qëllimi i kontrolleve të jashtëzakonshme në kuzhina ishte të sigurohej përmbushja e standardeve ligjore dhe higjienike që lidhen me funksionimin e tyre. Këto inspektime u kryen për të verifikuar nëse kuzhinat janë të regjistruara si operatorë të sigurisë ushqimore dhe për të vlerësuar nivelin e përputhshmërisë së tyre me kërkesat e përgjithshme dhe specifike për higjienë. Gjithashtu, u shqyrtuan masat e sigurisë për punonjësit, zbatimi i praktikave të mira higjienike dhe prodhimit, si dhe respektimi i procedurave të sistemit HACCP. Një tjetër fokus i kontrolleve ishte gjurmueshmëria dhe origjina e lëndëve të para, trajtimi i ushqimeve dhe përmbushja e kritereve mikrobiologjike për sigurinë ushqimore.
“Nga kontrollet u konstatua se 5 kuzhina nuk kishin përmbushur detyrimin ligjor për t’u regjistruar si operatore ushqimore në AUV, 4 nuk plotësonin kërkesat e sigurisë teknike, pra u konstatua dëmtim i hapësirave ku përgatitet ushqimi. Tetë nga kuzhinat nuk plotësonin kërkesat për Higjienë të Mirë dhe Praktikë të Mirë Prodhimi si kërkesat e sigurisë ushqimore”, raportoi AUV. /Nistori/