AVIONI I QEVERISË | Simbol imazhi apo simbol luksi?

    Kush ka fluturuar dhe për çfarë nevojash me avionin qeveritar? A ka pasur shpenzime të panevojshme, luks apo përdorim për qëllime private? Këto pyetje u ngritën pas publikimit të të dhënave për funksionarët që e kanë përdorur më shpesh avionin qeveritar që nga formimi i qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski, në periudhën qershor 2024  deri në dhjetor 2025. Tema u bë edhe më e nxehtë pas deklaratës së drejtorit të Shërbimit për Punë të Përgjithshme, Ivica Tomovski, i cili kërkoi që shteti të blejë një avion të ri qeveritar. Sipas tij, nëse shteti dëshiron të ketë imazh serioz ndërkombëtar, duhet të ketë pajisje të përshtatshme për delegacione zyrtare.

    “Avioni që kemi është i prirur ndaj defekteve të shpeshta, disa herë e kemi dërguar në servis. Është i vogël, ka vetëm gjashtë ulëse dhe nuk mund të përdoret për delegacione serioze”, tha Tomovski.

    Megjithëse i vjetër dhe me kapacitet të kufizuar, avioni është përdorur rreth 40 herë në një periudhë prej një viti e gjysmë, pa llogaritur fluturimet për servis (nëntë gjithsej) dhe dy fluturime speciale, një mjekësor dhe një për evakuim. Këto të dhëna i publikoi Televizioni Telma, duke u bazuar në dokumente nga Shërbimi për Punë të Përgjithshme. Linja më e përdorur ka qenë Shkup–Budapest, me plot shtatë fluturime drejt Hungarisë.

    Ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski ka fluturuar 11 herë, gjashtë prej tyre drejt Budapestit. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka udhëtuar 13 herë, drejt Podgoricës, Tiranës, Romës, Stambollit, Kopenhagës. Kryeparlamentari Afrim Gashi, e ka përdorur avionin shtatë herë, përfshirë një fluturim drejt Xhedës në Arabinë Saudite. Kryeministri Mickoski ka fluturuar tri herë një herë për Budapest dhe një herë më 10 gusht për Split.

    LSDM reagoi duke akuzuar kryeministrin se “shijon luksin në kurriz të popullit”. “Edhe në Adriatik shkon për plazh me avion qeveritar. Ashtu si Gruevski që blinte ‘Mercedes’ prej 600 mijë euro dhe syze prej 60 mijë, Mickoski ka orë prej 60 mijë euro dhe tani kërkon avion të ri për shëtitje turistike”, thuhet në reagimin e partisë. Lideri i SDSM, Venko Filipçe, kërkoi që Mickoski të shpjegojë kush ka udhëtuar me të dhe pse duhet të blihet avion i ri “për qëllime private”.

    Ai akuzoi pushtetin për luks, ndërsa qytetarët përballen me rritje çmimesh dhe paga të ulëta. Edhe nënkryetarja e kësaj partie, Jovana Trençevska, shtoi se avioni është përdorur për fluturime private.

    “Kam qenë ministre dhe asnjëherë nuk kam menduar të fluturoj me avion qeveritar. Zgjidhja ime ishte klasa ekonomike me linja të rregullta”, shkroi ajo në Facebook. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Strimnica nën ujë për herë të katërt, lumi Vardar del nga shtrati, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet

    Lajmi i rradhës

    Rusia përbën një kërcënim “serioz dhe konkret” për sigurinë e Suedisë – paralajmëron Stokholmi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë