Avioni ukrainas që u rrëzua në Greqi, barte armë nga Serbia

    Avioni ukrainas i mallrave, që u rrëzua të shtunën vonë në Greqi, po transportonte 11.5 tonë armë serbe në Bangladesh, tha të dielën ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.

    Duke folur në një konferencë për media, Stefanoviq konfirmoi se pronare e avionit është një kompani ukrainase dhe se prodhues i armëve është kompania serbe “Valir”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

    Të tetë anëtarët e ekuipazhit të avionit humbën jetën, njoftoi televizioni shtetëror grek të dielën.

    Stefanoviq tha se avioni bartte minahedhës dhe mina të tjera. Ai shtoi se mendon se anëtarët e ekuipazhit ishin ukrainas, por nuk ka informacione për këtë çështje.

    “Ata nuk ishin serbë”, shtoi ai.

    Pamje nga droni të vendit ku u rrëzua avioni.
    Pamje nga droni të vendit ku u rrëzua avioni.

    Ai tha se avioni nuk ishte në rrugë drejt Ukrainës, se armët nuk ishin të destinuara për Ukrainën dhe se kompania ukrainase ishte vetëm pronare e avionit.

    Stefanoviq i hodhi poshtë pretendimet e disa mediave se armët janë nisur për në Ukrainë, duke thënë se ato janë “keqdashëse dhe të dëmshme për Serbinë”.

    Serbia, edhe pse kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

    Zyrtarët në Serbi kanë përsëritur vazhdimisht se nuk do të dërgojnë armë në Ukrainë, si dhe se nuk do të lejojnë transportin e armëve të destinuara për atë vend përmes Serbisë.

    Avioni Antonov, që operohej nga një linjë ajrore e Ukrainës, u rrëzua të shtunën vonë pranë qytetit Kavalla në Greqinë veriore.

    Konsulli i Ukrainës në Selanik, Vadim Sabluk, më 17 korrik vizitoi zonën ku u rrëzua avioni.

    Sipas televizionit shtetëror grek, ERT, ekspertë ushtarakë dhe të eksplozivëve, si dhe ekspertë të Komisionit grek të Energjisë Atomike pritet të përdorin dronin, përpara se të afrohen në vendin e rrëzimit, për shkak të toksicitetit të mundshëm të ngarkesës.

    Policia u kërkoi gazetarëve në vendngjarje të mbanin maska, thuhet në raportin e televizionit shtetëror.

    “Ne po e trajtojmë ngarkesën si një material të rrezikshëm”, tha një zyrtar nga brigada e zjarrfikësve, raporton Reuters.

    Sipas raportimeve të mediave, avioni i mallrave po udhëtonte nga Serbia për në Jordani. Piloti raportohet se arriti t’i informonte autoritetet për një problem në njërin nga motorët e avionit.

    Atij, më pas, iu kërkua të aterojë në aeroportin e Selanikut ose Kavallës, raportojnë mediat.

    Zjarrfikësit në vendin ku u rrëzua avioni.
    Zjarrfikësit në vendin ku u rrëzua avioni.

    Pasi mori drejtimin për në Kavallë, avioni u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të aeroportit të këtij qyteti, tha Autoriteti i Aviacionit Civil grek.

    Rrëzimi i avionit u konfirmua edhe nga Flightradar.24 – një sistem që gjurmon avionët në kohë reale.

    “Një aeroplan mallrash Meridian An-12BK u rrëzua pranë Kavallës në Greqi, në rrugën nga Nishi për në Aman”, tha Flightradar.24.

    Vendasit raportuan se kishin parë një top zjarri. Shpërthimet shkaktuan spekulime mes banorëve dhe disa mediave greke se avioni transportonte eksploziv. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Ministria e Shëndetësisë njofton se mund të rikthehen maskat në ambientet e mbyllura

    Lajmi i rradhës

    Qytetet më të mira në botë për të jetuar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë