“Bageristët” nga India në tregun e punës në RMV

    Trende negative po vërehen në tregun e punës në Maqedoninë e Veriut, përskaj mungesës së madhe së fuqisë punëtore që me të madhe po ik jashtë vendit për punë sezonale apo të përhershme, po vërehet edhe ardhja e punëtorëve nga Lindja e largët dhe angazhimi i pensionistëve.

    Mungesa më e madhe kuadrove në Maqedoni është më e dukshme në ndërtim, hoteleri dhe prodhim. Këto janë në fakt profilet e punëtorëve më të kërkuara nga punëdhënësit, thonë nga Agjencia e Punësimit .

    Nga ana tjetër, mesatarja aktuale vjetore e emigrimit nga vendi është 12,000 persona në vit, sipas Entit Shtetëror të Statistikave, dhe trendi negativ i migrimit pritet të vazhdojë për 30 vitet e ardhshme.

    Në mungesë të punonjësve vendorë për shkak të kërkesave gjithnjë e më specifike të punëdhënësve, po punësohen edhe punëtorë nga jashtë që i plotësojnë kërkesat. Në konferencën rajonale mbi migrimin e fuqisë punëtore që u mbajt në Budva, e organizuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) dhe institucionet partnere nga rajoni, Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi tha se për vitin 2025 Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka përcaktuar një kuotë prej 10.000 lejesh pune për të huajt. Kjo shifër është rezultat i një analize të kujdesshme të situatës së tregut të punës dhe nevojave të shprehura për punë në sektorë të ndryshëm.

    Ai shtoi se sistemi është i saktë, transparent dhe respekton fuqinë punëtore vendase, ndërsa në të njëjtën kohë krijon hapësirë për plotësimin e profileve të pakta me punëtorë të huaj të kualifikuar.

    Sipas Ministrit, angazhimi i Qeverisë është të krijojë një mjedis ku të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë ligjërisht në vendin tonë do të ndihen të sigurt, të respektuar dhe të mbështetur.

    “Migrimi i fuqisë punëtore përfaqëson një mundësi për rritje ekonomike për çdo vend – por vetëm nëse menaxhohet me mençuri, me respekt për të drejtat e njeriut, me një vizion për të ardhmen dhe me gatishmëri për të bashkëpunuar. Qëllimi ynë është i qartë – të ndërtojmë një shoqëri në të cilën migrimi i fuqisë punëtore do të stimulojë rritjen, do të lidhë njerëzit dhe do të krijojë një të ardhme të përbashkët stabiliteti, zhvillimi dhe dinjiteti. Vendi ynë mbetet i hapur për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Ne besojmë se përmes planifikimit të përbashkët dhe harmonizimit rregullator, ne mund të mundësojmë qarkullimin e aftësive, të mbështesim inovacionin dhe të zvogëlojmë ekonominë në hije”, përfundoi Ministri Durmishi.

    Ligji përcakton vendosjen e një kuote vjetore për lejet e punës, e cila nuk mund të kalojë 5% të popullsisë së përgjithshme të punësuar në vend. Njëherësh, në këtë mungesë së fuqisë punëtore vendore, ato nga jashtë janë më të kërkuarit, më shpesh njerëz nga Nepali, India dhe Pakistani. Importi i fuqisë punëtore, megjithëse në fazën e tij fillestare, është tashmë i pranishëm në më shumë degë ekonomike. Me lehtësimet e importit të fuqisë punëtore u bë e mundur me kërkesë të ekonomisë për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Sipas informacioneve, që nga fillimi i vitit, në Maqedoni kanë mbërritur rreth 5,000 shtetas të huaj, por për fat të keq grupi i të rinjve tanë që po largohen dhe emigrojnë nga Maqedonia është më i madh. Dy vite më parë , Sindikata e Ndërtimit dhe Industrisë paralajmëroi se vetëm 2023 , rreth 12,000 punëtorë u larguan nga Maqedonia jashtë vendit.

    Së fundmi, kompania e ndërtimit në vend, Granit, ka angazhuar tridhjetë punëtorë nga India, të cilët kanë punuar si shoferë kamionësh dhe makinerish të tjera që nga marsi i këtij viti. Ata janë të angazhuar në ndërtimin e rrugës Kërçovë -Ohër. Arsyeja për këtë trend është mungesa e personelit vendas, veçanërisht e operatorëve të kualifikuar dhe me përvojë të makinerive të rënda të ndërtimit, gjë që i ka detyruar shumë kompani ndërtimi të kërkojnë punëtorë në kontinente të tjera që i paguajnë së paku 1000 euro.

    Gjithashtu, kompanitë gjermane tradicionalisht kërkojnë me të madhe punonjës ndërtimi nga rajoni, përkatësisht ndërtues, bojaxhi , suvatues, elektricistë. Punëdhënësit gjermanë janë të interesuar edhe për vozitës të eskavatorit, ku shpalljet tregojnë se pagat mujore të tyre shkojnë edhe mbi 3800 euro.

    Paraprakisht më shumë ndërmjetës janë angazhuar për të sjellë punonjës të huaj në Maqedoni. Në fillim të shkurtit u paralajmërua se Agjencia indiane e punësimit, Jobstars India ka publikuar një njoftim ku ofron 7 lloje pozicionesh pune në Maqedoni për një pagë prej 550 deri në 850 euro, varësisht nga detyrat e punës.

    Punëtorëve ju ofrohej akomodim dhe ushqim falas. Paga më e lartë u ofrohet inxhinierëve, midis 750 dhe 850 euro, të ndjekur nga saldatorët dhe shoferët me kategorinë C midis 550 dhe 700 euro në muaj. Higjienistët, muratorët, qeramistët dhe muratorët e gurëve natyrorë do të marrin një pagë prej 550 deri në 650 euro. Agjencia e postoi reklamën edhe në rrjetet sociale.

    Ndryshimet e thella në tregun e punës së Maqedonisë i dëshmon edhe kërkesa për punonjës nga radhët e pensionistëve. Nga njëra anë, punëdhënësit kanë nevojë për staf, dhe nga ana tjetër, pensionistët nuk kanë pensione të mjaftueshme. Sipas të dhënave nga Fondi i Pensioneve , mesatarisht, rreth pesë mijë punëtorë dalin në pension çdo vit. Paga në administratën publike nuk është më aq tërheqëse, aq shumë staf i kualifikuar po largohet, dhe kështu disa institucione janë “të mbingarkuara me staf”, thonë nga Sindika e punonjësve në Administratë dhe Organet Gjyqësore. Prandaj, nevoja që pensionistët të vazhdojnë të punojnë sipas një kontrate me afat të caktuar është e madhe. “Gjithnjë e më shumë po shohim shembuj ku ministrat ose drejtorët e institucioneve po u kërkojnë kolegëve në pension të kthehen në punë, të punojnë me kontratë për t’i ndihmuar ata dhe për të trajnuar njerëz të tjerë në ato institucione se si të punojnë, sepse stafi tashmë i trajnuar ose po shkon jashtë vendit, po del në pension ose po punon në sektorin privat”, thonë sindikalistët.

    Përndryshe, trendi i shkuarjes në punë sezonale në det, veçanërisht në mesin e ofruesve të rinj të shërbimit të ushqimit, vazhdon. Interesi më i madh është në Kroaci, por edhe në Mal të Zi dhe Shqipëri, dhe disi më i vogël në Bullgari. Këtë sezon, nga fundi i marsit deri në fund të tetorit, rreth 15 mijë qytetarë të Maqedonisë do të punësohen përkohësisht në Kroaci, kryesisht në industrinë e hotelerisë dhe gatsronomisë . Ky trend negativ do të vazhdojë në vitet në vijim derisa pagat në Maqedoni të rriten karshi atyre të shteteve ku punonjësit tanë ikin në kurbet. Pagat në Kroaci luhaten ndërmjet 1000 deri 2000 euro , por edhe më shumë për profesione specifike dhe me përvojë pune. Shpesh paga shoqërohet edhe me akomodim dhe ushqim të paguar nga punëdhënësi.

    Ndryshe, nga protesta e 1 Majit, sindikalistët e Lidhjes së Sindikatave kërkuan që paga minimale të jetë 500 euro, ndërsa të gjitha pagat e tjera të rriten me 100 euro dhe të respektohen marrëveshjet kolektive dhe të drejtat e punëtorëve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Arben Fetai deklarohet për zhvillimet e fundit në ASh

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë