Bakllava për të tjerët, urti për veten

    Bekim Ramadani

    Në një ëmbëltore të vogël… mora një mësim të madh

    Në një cep të çarshisë së Shkupit, mes pluhurit të përditshmërisë dhe vrullit të qytetit që rrjedh si lumi pas shirave, gjendet një ëmbëltore e vogël, por me një atmosferë të ngrohtë e kuptimplote. Brenda saj, aroma e llokumeve të ftohta, shkëlqimi i bakllavave të lakuara si gjysmëhëna, ngjyra e artë e kadaifit me mjaltë dhe pastërtia e mjedisit flasin më shumë se çdo reklamë. Aty, nuk të shërbejnë vetëm ëmbëlsira – të shërbejnë edhe paqe.

    Sa herë që më bie rruga për në kryeqytet, një ndalesë aty është bërë domosdoshmëri. Jo vetëm për kënaqësinë time, por sepse kthehem gjithmonë me duar plot: për familjarët, për fqinjët, për ndonjë kushëri që më thotë me buzëqeshje: “Mos harro, po shkove në Shkup, na sill pak nga ato ëmbëlsirat që s’harrohen dot!”. Sepse ka disa shije që nuk ushqejnë vetëm trupin, por edhe kujtimin, mallin, dashurinë – dhe lidhen me një copë nostalgjie të ëmbël që s’tretet kurrë.

    Një mëngjes pranvere, ndërsa po bëja porosinë e zakonshme, dera e lokalit u hap butë dhe hyri një zonjë elegante, e huaj, me sy të mëdhenj, të kthjellët dhe plot kureshtje. Dukej sikur vinte nga një botë tjetër, por ishte kthyer në këtë vend që rrezaton dashamirësi për një arsye të njohur: të gjejë sërish atë shije që i kishte ngrohur shpirtin ditë më parë… Me një farë shqetësimi në zë, iu drejtua një të moshuari që shërbente krah për krah me të rinjtë – një burrë i qetë, me përkushtim në çdo lëvizje dhe me një dritë të pazëshme paqeje në fytyrë: “Ju lutem, a mund të më thoni se kush është pronari i kësaj ëmbëltoreje?”

    Burri, pa ngurrim e pa bujë, u kthye dhe tha: “Err-Rrahman”.

    Zonja, e hutuar nga përgjigjja, vijoi me një farë ngutjeje: “A mund ta takoj? Kam pak kohë në dispozicion…”

    Ai buzëqeshi me një butësi që rrallë e sheh në ditët tona dhe u përgjigj me një ton të qetë që dukej se buronte nga një përvojë e gjatë shpirtërore: “Kam mbi 40 vite që i përkul kokën në lutje pesë herë në ditë, e ndonjëherë edhe më shumë. Bëj dua pareshtur për ta takuar… dhe ende nuk më është dhënë mundësia. E ti dëshiron ta takosh menjëherë, me ngut!”

    Zonja e ndali frymën për një çast dhe, me një buzëqeshje që kërkonte ndjesë, tha: “Më falni, u keqkuptuam… Më duhet njeriu që përgatit këto mrekulli të ëmbla!”

    “Po, jam unë, – tha burri. – Por jo vetëm. Çdo gjë që shihni këtu është fryt i një vullneti më të madh. Unë jam veç një rob që përpiqet të jetë korrekt, i ndershëm, i pastër dhe mirënjohës. Kam kuptuar prej kohësh se çdo gjë e mirë që ndërtohet me dashuri dhe përkushtim – është më shumë se një punë – është një falënderim i heshtur ndaj Krijuesit. Të përgatitësh ëmbëlsira është mjeshtëri, por të lësh gjurmë ëmbëlsie në shpirtin e tjetrit – kjo është art. Dhe ky art nuk mësohet, por jetohet: me zemër të pastër, me duar të ndershme dhe me besim të palëkundur.”

    Zonja heshti. Në atë qetësi që pason vetëm kur zemra flet më shumë se goja, ajo kuptoi se porosia e ëmbëlsirave për ceremoninë e ditëlindjes së saj i kishte sjellë një mësim të papritur dhe të çmuar. Pas një frymëmarrjeje të thellë, me zë të dridhur tha: “Erdha për ëmbëlsira… por mora një urti që do ta ruaj në zemër për gjithë jetën…”

    Kur dola nga ëmbëltorja, me aromën e dashurisë në kuti dhe qetësinë në mendje, e kuptova se po kthehesha nga një takim me vetveten. Rruga për në shtëpi u bë një rrugëtim shpirtëror. Nga dritarja e veturës, pashë një botë që nxiton drejt fitimeve, që harron të ndalet, që harron të ndjejë… dhe zemra më foli: “Kur gjithçka matet me shpejtësi e vlerë tregu, le të kujtojmë se gjërat më të çmuara nuk peshohen dot. Le ta vlerësojmë më shumë atë që është e paprekshme: shpirtin i cili i jep ëmbëlsirës një shije që nuk ndalet në gojë, por që zbret e rri në zemër.”

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Swiss Tetova

    Lajmi i rradhës

    Si ndikon për shëndetin e trurit zgjimi herët në mëngjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë