Dy Dibrat kërkojnë platformë për zhvillimin e turizmit, mërgimtarët të interesuar për investime

    Shoqatat qytetare në Dibër mes tjerash, japin kontribut edhe në sferën e zhvillimit të turizmit. Duke marrë parasysh se në të dy anët e kufirit respektivisht në Dibër dhe Peshkopi posedojnë bukuri të shumta dhe ka mundësi për një zhvillim të fuqishëm të turizmit alternativ, shoqatat qytetare organizuan një takim online me diasporën dibrane në SHBA. Në këtë drejtim në takimin online janë dhënë mendime dhe sugjerime se si duhet të ndërtohet një Platformë për investime në Komunitet kryesisht në sferën e turizmit. Në takimin kanë marrë pjesë qytetarë nga Dibra, anëtarë të disa shoqatave të Shqipërisë si dhe mërgimtarë nga SHBA-ja e sidomos anëtarë të shoqatës Atdhetare “Dibra”, që funksionon në Nju Jork.

    Koordinatori i këtij aktiviteti Shuip Marku, përndryshe aktivist në sferën e sektorit qytetarë dhe koordinatori i Qendrës për zhvillim të qëndrueshëm të komunitetit në Dibër, informoi se ky takim online, mundësoi të jepen qëndrime në lidhje me zhvillimin e turizmit veçmas të turizmit alternativ. Platforma Dibra turistike ka për qëllim që të përforcoj turizmin në të dy anët e kufirit dhe normalisht mendimet e diasporës kanë një vend të veçantë. Në takimin në fjalë mes tjerash është potencuar nga pjesëmarrësit se Dibra dhe Peshkopia kanë pasuri dhe bukuri të mëdha natyrore, ndërsa ata nuk janë shfrytëzuar deri tani sa duhet. Një rajon i këtillë jep mundësi sidomos për turizmin rural dhe alternativ.

    Sipas Markut, veçmas është potencuar fakti se nga viti në vit rritet interesi për kapacitetet e reja hotelerike që do të thotë rritje edhe të numrit turistëve. Ai potencoi se vetëm Qendrën turistike të Mavrovës e vizitojnë afro 500 mijë turistë. Përfaqësuesit të kësaj qendre potencojnë se nuk mund t’i pranojnë të gjithë turistët. Duke marrë parasysh se Dibra është në afërsi të Mavrovës dhe kushtet për turizëm pothuajse janë të njëjta, duhet të ndërmerr masa dhe aktivitete që turistët të vizitojnë në numër më të madh Dibrën dhe rajonin. Mes tjerash, është potencuar nevoja se patjetër duhet të hapet një qendër informative turistike. Hapja e një Qendre të këtillë tërësisht do të rris mundësin për të marrë informata më të mëdha për turistët. Turistët qofshin të vendit apo të huaj nëpërmjet Qendrës do të merrnin informata për të gjithë pikët turistike që ekzistojnë në Dibër dhe rajon. Kjo do të stimulonte edhe investimet në rajon. Mërgimtarët veçmas gjatë takimit shfaqën interesin e tyre për të investuar meqë janë të vetëdijshëm se investimet në turizëm janë efikase. Poashtu në takimin është vlerësuar se një ndikim të veçantë duhet të ketë edhe angazhimi i pushtetit vendor në Dibër.

    U paraqitën edhe shumë ide të tjera mes të cilëve edhe nevoja për trajnimin të udhërrëfyesve meqë aktualisht në Dibër ka vetëm një udhërrëfyes turistik. U potencua fakti se nëse bëhet trajnimi i udhërrëfyesve të ri, edhe shërbimet turistike në aspektin e guidës turistike do të jenë më të mira. Shoqatat në fjalë paralajmërojnë edhe takime të tjera online në drejtim të zhvillimit të turizmit në të dy Dibrat. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nga sot në kursin e Bankës Popullore të Maqedonisë do të qarkullojë edhe dinari serb

    Lajmi i rradhës

    Pedagogët në Shqipëri: Në grevë urie, sapo të marrim garanci për jetën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë