“Ballkani i Hapur”, kërcënim i ri për ikjen e punëtorëve!

    Plotësimi i afro 10.000 vendeve të lira të punës sipas biznesmenëve mund të bëhet me rishqyrtimin e kohës së përfitimit të ndihmës sociale dhe lejimin e privilegjeve për punësimin e studentëve. Sipas tyre punëtorët e importuar duhet të jenë profesionistë të arsimuar dhe jo punëtor që duhet të ri-kualifikohen pasi kështu shpenzohet kohë shtesë në trajnimin e tyre. Të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se në Maqedoninë e Veriut më shumë vende të lira të punës ka në tregti (1,687), në ndërtimtari (983), hotelieri (566), dhe në transport (469), ndërsa në fund të vitit të kaluar si të papunë ishin të regjistruar 105.452 qytetarë. Më shumë se gjysma e vendeve të lira janë në kompani të mesme dhe të mëdha. Në janar të këtij viti, ky numër është rritur në 105,803 të papunë, prej të cilëve sipas të dhënave të Agjencisë për Punësim 62,697 janë pa arsim, 25.097 me arsim të mesëm dhe 6749 me arsim të lartë.

    Për kryetarin e Shoqatës së Hotelierëve “HOTAM”, Krsto Blazhevski, numri i vendeve të hapura të punës është shumë më i lartë, apo siç thotë ai, ndoshta janë edhe më shumë se 1000 vende pune që janë të paplotësuara dhe është e vështirë të plotësohen.

    “Në periudhën e ardhshme ky numër të rritet. Disa nga hotelierët po përpiqen që t’i mbushin ato duke punësuar të huaj nga Nepali, Filipinet dhe India. Presim që me ndryshimin e ligjit për marrëdhënie pune t’u mundësohet studentëve të punojnë në kushte të veçanta, si dhe t’u hapet mundësi pensionistëve. E gjithë kjo do të ndihmojë në zbutjen e mungesës së punëtorëve”, tha Blazhevski.

    Ai nuk pret ndërrime të mëdha të punëtorëve me hapjen e tregut në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, por pret tërheqjen e specialistëve të turizmit, të cilët do të kenë paga më të larta nëse vijnë për disa muaj të punojnë në Maqedoninë e Veriut.

    Blazhevski thotë se shteti duhet të zbatojë procesin e importimit të punëtorëve në mënyrë që kompanitë të mbijetojnë. “Nuk duhet të presim që të ketë zero të papunë që të fillojmë të mendojmë për problemin. Si fillim duhet të rriten kuotat”, thekson ai.

    Andrea Serafimovski, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, nga ana tjetër thotë se kompanitë janë lënë që vetë të mendojnë se si të gjejnë fuqi punëtore. Sipas tij, një pjesë e kompanive nëpërmjet ndërmjetësve kanë sjellë punëtorë nga India, Nepali dhe Pakistani, por se a është bërë një punë e mirë me këtë ende nuk shihet sepse kjo ka edhe efekte pozitive dhe negative për kompanitë.

    “Ka mundësi që në të ardhmen t’i humbasim për shkak të standardit të ulët por dhe të përfitojmë nëse i menaxhojmë gjërat me mençuri dhe me një strategji shtetërore në raport me kompanitë e ndërtimit dhe punëtorët”, shprehet Serafimovski.

    Sipas tij, inxhinierët po na ikin pasi nuk duan të nënvlerësohen dhe të jenë të dorës së dytë apo tretë.

    Ndërkohë, arkitekti dhe anëtari i shoqatës së ndërtuesve, Nikolla Velkovski, thotë se edhe pse industria e ndërtimit ka nevojë për afër 1000 punëtorë, zgjidhja nuk është gjithmonë në importin e fuqisë punëtore, por duhet vepruar me zgjidhje sistematike e cila nuk lejon shfrytëzimin e ndihmës sociale.

    “Nevojitet një reformë në sistemin e ndihmës sociale gjatë periudhës së marrjes së saj nga shteti për personat e aftë për punë. Atyre mund t’u jepet një ndihmë, por të këmbëngulet që të ri-kualifikohen. Numri më i madh i vendeve të punës në ndërtim 70-80% janë punëtorë të kualifikuar apo të pakualifikuar në sektorin artizanal. Vetëm 15 deri 20% janë inxhinierë, inxhinierë civilë, elektronik për ndërtim, hidraulik e të ngjashme”, thotë ai. Sa i përket hapjes së tregut të punës në kuadër të Ballkanit të Hapur, Velkovski shprehet se nuk pret përmirësim të madh të gjendjes pasi ndërtuesit më së shumti shkojnë në Kroaci dhe Slloveni dhe nga aty drejt vendeve të BE-së.

    Ndryshe, nga 1 marsi i këtij viti, qytetarët e Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë do të munden të jetojnë dhe të punojnë në cilëndo nga tri vendet si në vendin e tyre. Qytetarët e Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë, të cilët dëshirojnë të punësohen në një nga anëtarët e Ballkanit të Hapur ose kanë gjetur tashmë një punëdhënës, duhet të kenë një numër personal identifikimi për të cilin mund të regjistrohen në mënyrë elektronike në disa hapa. Kjo do të thotë se ata duhet të plotësojnë një formular në platformën (eGovernment) dhe të bashkëngjesin një dokument të vlefshëm biometrik. Në bazë të të dhënave të paraqitura, autoritetet kompetente gjenerojnë një numër unik identifikimi të Ballkanit të Hapur (IDOB) përmes platformës e Qeverisje. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkup, iftare falas për kategori të ndryshme shoqërore

    Lajmi i rradhës

    Tetova pa banesa sociale!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë