Tetova pa banesa sociale!

    Tetovë/Fotografia: Nistori

    Tetova me rrethinë vazhdon të diskriminohet nga pushteti qendror. Krahas shumë sferave ku mungojnë investimet, një segment mjaft i rëndësishëm është edhe mbrojtja sociale. Pushteti qendror ka anashkaluar Tetovën kur bëhet fjalë për banesat sociale. Kësisoj, rastet e familjeve që nuk kanë strehim, apo janë me të ardhura të vogla, janë të detyruar të gjejnë zgjidhje tjera, sepse shteti ende nuk e ka në prioritet Tetovën. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami thotë se është rast specifik që Tetova nuk ka banesa sociale.

    “Patjetër që një ndër format e diskriminimit të Tetovës është edhe projekti nacional për banesat sociale. Përderisa nuk ka një qytet tjetër në Maqedoninë e Veriut që nuk ka pasur banesa sociale, Tetova është rast specifik. Nuk do të kisha dashur që kjo të jetë edhe për aspektin etnik, se Tetova është me popullsi dominuese etnike shqiptare, nuk do të kisha dashur që kjo të jetë shkaku i dallimeve politike pasi Tetova, si një nga qytetet më të mëdha me shumicë shqiptare, udhëhiqet nga opozita. Ka pasur arsyetime të ndryshme nga Qeveria, por unë mendoj se nuk qëndrojnë ato arsyetime. Sepse, nëse flasim për një interes qytetar të një kategorie të rrezikuar të shoqërisë tonë, që t’ju dalim në ndihmë, sigurisht se të gjitha problemet mund të tejkalohen”, deklaroi Kasami.

    Sipas autoriteteve të pushtetit lokal në Tetovë, Qeveria dhe dikasteri përkatës nuk ka pasur interesim që Tetova të jetë pjesë e projektit për ndërtimin e banesave sociale.

    “Ne si pushtet lokal kemi garantuar dhe kemi ofruar ndihmën tonë në aspektin që ka të bëjë me përgatitjen e projekteve, me përgatitjen e planifikimit, që të mund që Qeveria apo Ministria e Transportit të nisë realizimin e këtij projekti për Komunën e Tetovës. Fatkeqësisht, deri tash nuk ka pasur interesim as më të vogël, edhe pse kemi ofruar disa lokacione, ne kemi ofruar disa zgjidhje, por deri tash nuk ka pasur interesimin më të vogël që kjo të realizohet edhe në Komunë të Tetovës”, thotë kryetari i Tetovës, Bilall Kasami. Krahas kësaj, Komuna e Tetovës ka ofruar disa lokacione potenciale për ndërtimin e banesave sociale.

    “Një lokacion i tillë është që është edhe lokacioni, por edhe njerëzit kanë nevojë për një gjë të tillë, është ai afër lumit tek pjesa e lagjes së ashtuquajtur ‘Krasniqët’. Është më se e nevojshme që mund të jetë jo vetëm në Tetovë që është si lokacion vërtet problamtik. Ne kemi ofruar të planifikojmë në atë pjesë, ta urbanizojmë atë pjesë, të përgatisim projekt, kurse Ministria e Transportit të vazhdojë me pjesën tjetër, por fatkeqësisht nuk ka pasur një zgjidhje. Aty kemi gjetur një zgjidhje alternative për të cilën punojmë, të bëjmë planifikimin e asaj pjese dhe pastaj, me partneritet publiko-privat të mund të zgjidhim edhe këtë çështje përderisa qeveria nuk tregon interes. Nga ana tjetër, nëse pas zgjedhjeve, ne do të jemi pjesë e Qeverisë, ne do të angazhohemi që edhe Tetova të jetë pjesë e projektit për ndërtimin e banesave sociale”, deklaroi Kasami.

    Për më shumë se dy dekada, shteti në Tetovë nuk ka ndërtuar banesa sociale. Kjo shkaku se në qytet asnjëherë nuk është ndarë vend për ndërtim si pasojë e mungesës së Planit Detal Urbanistik. E fundit në këtë drejtim që janë ndarë 40 banesa për çiftet me të ardhura të ulëta janë në një bllok dhe ka ndodhur në vitin 2008, por jo duke ndërtuar banesa sociale, por duke blerë dhe ndarë banesa për çifte me të ardhura të ulëta. Në ndërkohë, nga Ministria e Transportit fajin për mungesën e banesave sociale në Tetovë e hedhin tek komuna, e cila sipas tyre, nuk ka ndarë hapësirë për ndërtimin e banesave sociale. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    “Ballkani i Hapur”, kërcënim i ri për ikjen e punëtorëve!

    Lajmi i rradhës

    Shtrenjtime dhe strajca të zbrazëta!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë