“BALLKANI I HAPUR” | Peka – Ahmetit: Përkrahja juaj është duke e paraqitur Kosovën si dele të zezë në Ballkan (Video)

    Kreu i BDI Ali Ahmeti komentoi në emisionin “Çim Peka Live” nismën e “Ballkanit të Hapur”. Ahmeti deklaroi se Kosova duhet të guxojë të ulet në tavolinën e “Ballkanit të Hapur”. Sipas tij, klasa politike e Kosovës është e paguximshme pasi ndikohet nga bisedat e kafeneve.

    Më tej Ahmeti me gjuhë të ashpër deklaroi se Kosova është problemi i rajonit, i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.

    “Klasa kosovare duhet të jetë më e guximshme. Nuk zgjidhemi për të bërë politikat në kafene, që shajmë, japim mendime të mëdha, që flitet për patriotizma të mëdha.

    Nuk zgjidhemi të qëndrojmë në shkallët e stadiumit. Zgjidhemi për të zgjidhur probleme dhe situata të vështira.

    Ne zgjidhemi për t’i drejtuar ata që na zgjedhin dhe jo të biem pre e bisedave në kafene, apo të presioneve qofshin ata presione të politikave ditore.

    Është përgjegjësi e madhe, jo e lehtë. Kosova është problemi i rajonit, i Shqipërisë, i Maqedonisë edhe i Malit të Zi, edhe i Serbisë”, tha Ahmeti.

    Ahmeti disa herë me këmbëngulje tha se Kosova nuk e njeh Serbinë duke i dhënë kështu zë alibisë serbe, se Kosova është problemi për njohjen reciproke.

    Çim Peka deklaroi se kur të gjithë bashkohen me Vuçiç duke thënë se Kosova gabon që nuk i bashkohet tryezës duke e bërë ‘delen e zezë’ të Ballkanit, kjo është në favor të Serbisë dhe jo në të mirën e Kosovës.

    “Kosova njeh Serbinë, dhe Serbia nuk e njeh Kosovën. Ju thatë se pajtimi pengon njohjen e Kosovës nga Serbia, kjo është një tezë që jo vetëm nuk qëndron, por është shumë e rëndë.

    Kosova nuk njihet nga Serbia sepse vetë Serbia pretendon se është territori i saj. Këto janë teza që dhe vetë serbët nuk i kanë thënë se pajtimi na pengon të njohim Kosovën. 

    Përkrahja nga ju është jo duke e paraqitur Kosovën delen e zezë të problemit të Ballkanit, po për aq kohë sa bashkohen të gjithë me Vuçiç dhe thonë se Kosova bën gabim që nuk vjen në këtë tryezë, sigurisht që ajo fotografohet si delja e zezë e Ballkanit, kjo nuk është mirë për Kosovën, por është mirë për Serbinë.” – deklaroi Peka. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Dibër e pasur me dibran të varfër!

    Lajmi i rradhës

    Scholz në Kosovë: Çështja e liberalizimit të vizave duhet të shkojë përpara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë