Dibër e pasur me dibran të varfër!

    Dibra është një qytet historik dhe një qytet i cili në rrethinën e saj ka shumë bukuri natyrore. Është një qytet i lashtë por për fat të keq për shkaqe politike dhe ekonomike sot ka një numër të vogël të banorëve. Edhe pse ka pasuri të shumta siç janë ujërat termomineral, sasi të mëdha të mineralit të gipsit, kullosat e shumta malore, si dhe liqenin dhe lumenjtë Radika dhe Drini i Zi, dibranët shekuj me radhë por edhe sot ballafaqohen me probleme të shumta sociale. Inteligjenca dibrane në kontinuitet ka reaguar në lidhje me mos shfrytëzimin të pasurive natyrore për një jetë më të mirë të banorëve të Dibrës.

    Ata thonë se Dibra është e pasur por dibranët janë të varfër. Sipas tyre pikërisht një situatë e këtillë ka stimuluar migrimin masiv të popullatës por sot mos shfrytëzimi i pasurive dhe përfitimet materiale që merren nga koncesionet janë minimale dhe nuk janë objektive.

    Doktor Ferit Vojnika është një intelektual dibran i cili jeton moshën e tretë. Gjatë dekadave të kaluara ai ka dhënë një kontribut të theksuar në sferën e shëndetësisë por edhe politikës, sportit dhe kulturës. Ai thotë se është i shqetësuar për të gjithë ata që i ndodhin Dibrës dhe dibranëve.

    “Nuk ka logjikë që të kesh shumë pasuri natyrore të përfitosh shumë pak nga koncesionet. Koncesionet që i paguhen komunës janë minimale në krahasim me ata që shfrytëzojnë ujërat, mineralet dhe pasurit e tjera”, thotë Vojnika dhe shton se kjo ka sjell që numri i të papunësuarve të rritet, dhe të stimulohet edhe migrimi.

    Prandaj kemi varfëri shton ai, dhe potencon se nëse shfrytëzohen maksimalisht pasuritë natyrore atëherë edhe dibranët do të ishin më të pasur. Dibrës ju mor Fusha e Udovës dhe sot aty është Liqeni i Dibrës i cili shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike. Por Dibra nuk përfiton asgjë nga kjo pasuri, edhe pse humbi hambarin e bukës së gojës meqë Fusha e Udovës ishte fushë më pjellore ku ushqehej një pjesë e mirë e dibranëve. Kjo situatë ka stimuluar problemet sociale të rriten nga viti në vit dhe të rinjtë janë të detyruar të marrin rrugën e migrimit. Biseduam edhe me Xheladin Pjeçën, një intelektual dibran i cili në Dibër dha një kontribut në shumë sfera, ndërsa para disa dekadave migroi në SHBA. Pas pensionimit të tij ai më shumë është në Dibër se sa në Nju Jork. Ai dha një kontribut të madh edhe në shoqatën Atdhetare dibrane dhe është njohës i mirë i situatës politike dhe ekonomike.

    “Marrja e kompetencave nga pushteti qendror ka kthyer Dibrën në një fshat. Poashtu problem tjetër është edhe korrupsioni i cili defakto është legal, gjë që ka dëmtuar shumë Dibrën dhe dibranët. Të kesh shumë pasuri natyrore e të jesh i varfër ndodh vetëm këtu”, thotë Xheladin Pjeça i cili shton se në këtë drejtim varfëria e dibranëve ka ardhur edhe si rezultat i menaxhimit të dobët të komunës Dibër. Nëse menaxhoheshe më mirë Dibra sigurisht se sot do të kishim një qytet më të bukur, më të pastër, më efikas dhe një qytet plot me të rinj. Të rinjtë masovikisht migrojnë për një jetë më të mirë, thotë Pjeça.

    Intelektuali Selman Veseli i cili është në pension dhe ka qenë ish epror ushtarak poashtu për situatën aktuale në Dibër thotë se gabimet qëndrojnë tek menaxhimi si dhe tek politika eqë veprojnë në komunë.

    “Në kontinuitet janë bërë gabime. U mbyllën të gjithë fabrikat prodhuese, u keq menaxhua privatizimi i tyre dhe njëkohësisht menaxhimi i dobët vazhdoi deri sot. Pasuritë natyrore nuk shfrytëzohen ashtu siç duhet dhe është normale që sot numri i madh i dibranëve jeton me ndihma sociale dhe punësimet janë të rralla dhe partiake prandaj ka revoltë dhe varfëri, thotë Veseli.

    Reagimet të intelektualëve janë edhe reagimet e popullatës dibrane e cila nuk është e kënaqur nga marrja e kompetencave të pushtetit vendor, nga përfitimi i dobët e koncesioneve si dhe nga problemi i madh i papunësisë. Dibranët me të drejt kërkojnë një situatë ndryshe në Dibër meqë pasurinë që ka Dibra nuk e kanë komunat e tjera dhe nëse ajo shfrytëzohet siç duhet do të kishim një Dibër të pasur dhe me më pak migrim. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KONTESTI RMV – BULLGARI | Llukarevska: Nuk negociojmë për gjuhën dhe identitetin

    Lajmi i rradhës

    “BALLKANI I HAPUR” | Peka – Ahmetit: Përkrahja juaj është duke e paraqitur Kosovën si dele të zezë në Ballkan (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë