BALLKANI I HEKURUDHAVE / Rikthimi i trenave në 2027-ën

    Infrastruktura hekurudhore në Evropë, Azi dhe Amerikë është shumë e zhvilluar me trena me shpejtësi të lartë që udhëtojnë me shpejtësi edhe mbi 300 kilometra në orë. Në Ballkan historia është ndryshe, dhe Korridori 8 në Maqedoni, pra hekurudha drejt Bullgarisë, është një projekt që politikanët e kanë premtuar për 27 vjet dhe ende nuk është realizuar. Në letër ka mbetur edhe hekurudha nga Kërçova deri në Lin të Shqipërisë për probleme të ndryshme objektive si kostoja e lartë e ndërtimit si dhe subjektive të vonesave në kompletimin e projekteve apo pengesave që shfaqen nga Unesko në Liqenin e Ohrit.

    Trafiku i pasagjerëve me hekurudhë në Maqedoni prej vitesh po funksionon me vështirësi të mëdha. Në janar janë anuluar linjat Shkup-Kumanovë-Tabanoc -Shkup, nën arsyetimin e mungesës së vozitësve të lokomotivës. Ky anulim i parapriu anulimit të linjave Shkup-Kërçovë-Shkup dhe Shkup-Koçan-Shkup nga maji 2021. Njëherësh me vite nuk ka tren në linjën nga Shkupi për Beograd dhe Selanik, dhe anasjelltas.

    Nga ana tjetër, Shkupi ndoshta nuk do të lidhet deri në fund të vitit 2025 të lidhet me hekurudhë të shpejtë me kryeqytetin e Hungarisë , Budapestin, së paku sipas pohimeve nga Hungaria.

    Edhe pse ishte bërë e ditur se hekurudha do të vihet në qarkullim në vitin 2025, megjithatë, ndërtimi është ndalur pasi kontraktorët kinezë nuk mund të ndërtojnë një sistem sigurie dhe kontrolli treni sipas standardeve evropiane.

    AFATI RI PËR HEKURUDHËN E SHPEJTË DERI NË BUDAPEST

    Portali hungarez “Telex” njoftoi se ndërtimi i hekurudhës është ndërprerë për shkak se kontraktorët kinezë nuk kanë mundur të ndërtojnë një sistem sigurimi dhe kontrolli të trenave sipas standardeve evropiane. Sipas kësaj media, ai segment është vendimtar për realizimin e këtij investimi. Megjithatë, ekspertët hungarezë tani theksojnë se për shkak të problemeve me ndërtimin e hekurudhës së shpejtë në territorin e atij vendi, vështirë të pritet që projekti të përfundojë në kohë.

    “Në rrethet profesionale konsiderohet se nuk ka shumë mundësi që kjo të ndodhë, sepse në thelb nuk ka njeri që ta bëjë këtë tani. Duhet të dini se ka një kërkesë shumë të madhe në Evropë për këto sisteme të kontrollit të trenave dhe shumë pak kompani mund të furnizimin e tyre. Ndonëse jo sot e dimë se kush do ta ndërtojë dhe në çfarë kushtesh, atëherë nuk mund të presim seriozisht që të përfundojë në kohë”, tha gazetari Peter Bucski, ekspert i hekurudhave.

    Hekurudha është projektuar në mënyrë që trenat e pasagjerëve të mund të udhëtojnë me një shpejtësi prej 160 kilometrash në orë, gjë që kërkon Sistemin Evropian të Kontrollit të Trenit (ETCS) sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe pajisje sigurie të certifikuara në përputhje me kërkesat e BE-së.

    Bëhet fjalë për sisteme që monitorojnë dhe sigurojnë trafikun hekurudhor duke sinjalizuar trenat e caktuar në lëvizje. Qëllimi i tyre është të shmangin aksidentet e trenave, shkeljen e këmbësorëve dhe daljet nga shinat. Nga ana tjetër, afati i fundit për ndërtimin e pjesës së hekurudhës së shpejtë në Serbi nga Beogradi deri në Suboticë është gushti i vitit 2025, por nga Infrastruktura hekurudhore e Serbisë thonë se përfundimi i planifikuar i punimeve është në fund të vitit 2024 dhe se nuk ka probleme në zbatimin e projektit. Në fillim të nëntorit, Ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës të Srbisë, Goran Vesiq tha se deri në vitin 2025 do të përfundojë hekurudha e shpejtë Beograd-Budapest dhe se do të duhen tre orë për të udhëtuar deri në kryeqytetin e Hungarisë.

    Më parë do të lidhen trarët e shpejtë të këtij transporti me Nishin dhe Beogradin apo ndërtimi i një pjese të hekurudhës së shpejtë Nish – Shkup. Pritshmëritë janë që kur të përfundojnë, punimet do të duhen tre orë për të udhëtuar nga Shkupi në Beograd.

    SHKUP-NISH

    Të premten ishte paralajmëruar se do të nënshkruhet Memorandum për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Nishi në Shkup, për të cilën të dy vendet do të kërkojnë bashkërisht mjete nga BE-ja. Në rrjedhë e sipër është edhe projektimi i pjesës Nish – Preshevë, 135 kilometra, ndërsa autoritetet e Maqedonisë do t’i projektojnë 50 kilometrat nga kufiri serb deri në Shkup. Përderisa po bëhen plane ambicioze për të avancuar transportin ndërkombëtar të mallrave dhe pasagjerëve, në transportin e brendshëm po shfaqen probleme të mëdha, që nuk janë nga dje por po zhagiten me dekada.

    Javën e kaluar në terren kanë dalë ekspertët për të inspektuar gjendjen aktuale me shtyllën e plasaritur prej betoni të urës së Crna Rekës në linjën Gjevgjeli – Veles. Për kë të arsye , gati një javë trafiku hekurudhor i mallrave është në ndalesë të plotë, përderisa qarkullimi i pasagjerëve po kryhet me vështirësi. Nga Ndërmarrja Publike e Hekurudhës -Infrastruktura thonë se pas kësaj do të vendoset se si do të veprohet në mënyrë që të vendoset funksionimi i pa penguar i komunikacionit hekurudhor.

    “Gjendja aktuale është duke u inspektuar, pas së cilës do të vendoset se si do të veprohet në mënyrë sa më adekuate dhe të shpejt në mënyrë që të vendoset mbarëvajtja e komunikacionit hekurudhor”, thonë nga kjo ndërmarrje.

    Nga atje informojnë se udhëtarët që shfrytëzojnë shërbimet hekurudhore në linjën Shkup-Gjevgjeli – Shkup do të vazhdojnë të transportohen deri në destinacionet e tyre përfundimtare, me trenat nga Shkupi për në stacionin Gradsko, dhe trenat nga Gjevgjelia për në stacionin Vardar të Negotinës.

    Në segmentin Negotinë Vardar – Gradsko – Negotino Vardar,udhë tarët do të transportohen me autobus. Pritet që defekti të sanohet për dy muaj , që do të sjellë humbje për kompanitë që përdorin trenin për transportin e mallrave të tyre. Për shkak të problemeve me lokomotivën është anuluar linja e trenit deri në Manastir. Në të njëjtën kohë hekurudhat kanë probleme të më dha me borxhet e shumta të trashëguara që më parë , binarët e vjetër, por edhe lokomotivat që nuk janë të reja. Shpesh ndodhin edhe greva të punonjësve në hekurudha që ju vonohen pagat.

    MODERNIZIMI I HEKURUDHËS

    Deri në fund të vitit 2027 pritet të përfundojë seksionin i Maqedonisë të krahut lindor të Korridorit 8 Hekurudhor, apo lidhja me tren nga Shkupi deri në kufirin bullgar.

    Ministri i Transportit Blagoj Boçvarski, vlerëson se nëse duam të kemi trafik të suksesshëm të udhëtarëve dhe mallrave, dhe ndërmarrje të suksesshme në sektorin hekurudhor, duhet ta liberalizojmë trafikun hekurudhor në vend. Kjo është kërkesë jo vetëm e Komisionit Evropian, që si ndryshim ligjor gjendet në Kuvend dhe akoma nuk ka marrë dritë n jeshile nga deputetët. Një sistem hekurudhor i zhvilluar i kërkon jo vetëm këto ndryshime ligjore, vendosjen edhe të kompanive të huaja për transport, së bashku me strukturimin e Ndërmarrjes së Hekurudhës së Transportit së bashku me zhvillimin e infrastrukturës. Kur erdhëm ne në pushtet as që po ndërtohej hekurudha Manastir-Kremenicë, dhe projekti për ndërtimin e saj kishte ngecur që tani është ndërtuar .Pjesa e parë e hekurudhës Kumanovë kufiri bullgar që sot po ndërtohet me vlerë prej 40 milion euro, po ndërtohet edhe e dyta pas ngecjeve të mëparshme me vlerë të kontratës prej 155 milion euro, ndërsa për të tretën po përgatitet tenderimi .

    DURRËS-PRISHTINË

    Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se janë vënë në përdorim dy tunele të rinovuara në linjën hekurudhore nga kufiri Maqedoni-Kosovë deri në Fushë Kosovë. Kështu, pas një periudhe të gjatë, pra që nga shkatërrimi i urave në luftën e viteve 1998-99, transporti hekurudhor është sërish në përdorim në këtë pjesë të Kosovës. Apo u rinovuan dy tunelet, të cilët u rrënuan luftën e Kosovës në vitet 1998-99, janë të gjatë, njëri 262 metra dhe tjetri 122. Vlera e punimeve në këtë segment, nga kufijtë e Maqedonisë së Veriut deri në Fushë Kosovë, është mbi 164 milionë euro, ndërsa mbi 200 milionë euro është vlera e planifikuar për segmenti i mbetur deri në Mitrovicë dhe nga Mitrovica deri në kufijtë veriorë të Kosovës. Linja aq e përfolur në vitet e kaluara që do të lidh me Kosovën dhe Shqipërinë me tren pritet të nis me punimet në vitin e ardhshëm. Në nëntor është shpallur fituesi për projektin dhe studimin e fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Prishtinë. Kompanitë brenda 14 muajsh duhet të identifikojnë gjatësinë e hekurudhës, vendet ku do të shtrihet si dhe të nxjerrin një analizë të kostove dhe përfitimeve. Pra, në vitin 2025, do të jetë gati projekti për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, e cila parashikohet të ketë një kosto 700 milionë euro, dhe do të financohet nga buxhetet e dy shteteve Shqipëri-Kosovë. Mes 5 ofertave fituese është shpallur ajo e bashkimit të dy operatorëve “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K. të cilët kanë ofruar 168.9 milionë lekë për të realizuar këtë projekt. Kompanitë do të kenë afat 14 muaj për të bërë studimin e fizibilitetit dhe për të ndërtuar projekt idenë e hekurudhës Durrës-Prishtinë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dimitrieska: nuk ka ndikime në zgjedhjen dhe avancimin e prokurorëve publikë

    Lajmi i rradhës

    Fermerët në RMV kundërshtojnë shndërrimin e tokës bujqësore në qendër diellore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë