Banorët e Moldavisë, kur udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian, nuk duhet të shqetësohen më nëse të dhënat e tyre celulare mbeten të aktivizuara aksidentalisht dhe nëse, kur të kthehen në shtëpi, do t’i presë një faturë astronomike telefoni.
Në janar, Moldavia së bashku me Ukrainën u bënë pjesë e sistemit të roaming-ut të Bashkimit Evropian, edhe pse këto vende nuk janë anëtare të bllokut.
Veaceslav Groza, një urolog nga Moldavia, i cili prej gati shtatë vitesh udhëton rregullisht në Rumani, ku edhe punon si urolog, i tha Radios Evropa e Lirë se “tarifat e telefonisë celulare janë bërë më të lira dhe më të përballueshme” që nga momenti kur vendi i tij u integrua në zonën e roaming-ut të BE-së, përcjell Nistori.
Frika se një telefonatë mund të shkaktojë një faturë telefonike astronomike së shpejti mund të bëhet gjë e së kaluarës edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian ka propozuar hapjen e negociatave që do t’u mundësonin qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të gëzojnë të njëjtat të drejta roaming si qytetarët e BE-së.
“Faturat e papritura ose kostot më të larta gjatë udhëtimeve janë diçka që nuk ekziston më brenda BE-së. Sot propozuam që kjo të shtrihet edhe në Ballkanin Perëndimor”, tha Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështjet Ekonomike, Marta Kos.
Mundësi më të mira ekonomike
Avantazhi i udhëtimit pa roaming mund të jetë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se partneri më i madh tregtar i Bosnje dhe Hercegovinës mbetet Bashkimi Evropian. Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë së Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, më shumë se 73 për qind e eksporteve dhe 66 për qind e importeve të këtij vendi lidhen me tregun e BE-së.
Sa i përket turizmit, mysafirët nga Kroacia janë ndër më të shpeshtit në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe anasjelltas. Qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës udhëtojnë shpesh edhe në vende ku nuk kanë nevojë për viza ose ku ekziston një diasporë e madhe e tyre, si Gjermania, Austria dhe Sllovenia.
Vendet e Bashkimit Evropian janë gjithashtu destinacioni kryesor i emigrimit për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës. Kroacia fqinje, gjithashtu anëtare e BE-së, renditet e para në listën e vendeve ku jetojnë qytetarët e këtij vendi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Sigurisë së Bosnje dhe Hercegovinës, në Kroaci jetojnë mbi 363 mijë qytetarë të këtij vendi, ndërsa në Gjermani mbi 333 mijë.
Ambasada e Suedisë i tha Radios Evropa e Lirë se forcimi i lidhjeve mes njerëzve ka qenë prej kohësh një prioritet për Suedinë. Rreth 60 mijë qytetarë të Bosnje dhe Hercegovinës jetojnë në këtë vend.
“Ndërtimi gradual i lidhjeve më të forta ndërmjet qytetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe Bashkimit Evropian është i dobishëm për të gjithë dhe është diçka që Suedia e mbështet dhe e promovon”, thuhet në reagimin e Ambasadës suedeze në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ata theksuan se më parë kanë mbështetur edhe masa të ngjashme, si marrëveshjen për uljen e tarifave të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
“Sundimi i ligjit dhe reformat janë në qendër të procesit të anëtarësimit në BE, ndërsa lidhja dhe integrimi dixhital janë mjete të rëndësishme për stabilitet dhe rritje ekonomike. Nisma për roaming-un është në përputhje me këto prioritete”, thuhet më tej.
Në samitin e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Tiranë në dhjetor të vitit 2022, u nënshkrua një deklaratë me të cilën vendet u zotuan të ulin gradualisht tarifat e roaming-ut. Ulja e parë e tarifave nisi në vitin 2023.
Sipas kësaj deklarate, çmimi i një gigabajti të internetit duhet të arrijë në 14 euro deri në vitin 2026.






