Dhjetëra banorë të fshatrave të Kërçovës, që prej dy javësh, janë duke protestuar në rrugën e Osllomesë, kundër hedhjes se mbeturinave në fusha nga ana e komunës. Ata madje kanë ndërtuar edhe një tendë tek e cila qëndrojnë 24 orë, me qëllim që, të pengojnë kamionët të mos vazhdojnë me hedhjen e mbetjeve komunale në fusha.
“Këtu jemi gati dy javë që rrimë, dhe jemi kundër bërllogut, të mos e gjuajnë këtu sepse na bëjnë dëm të madh pa kufi. Si pikë e parë na e prishin ajrin, gjitha fshatrave, e dyta uji nëpër puse që e pimë do prishet gjithsesi, s`ka ku shkon më s`ka jetë këtu,” tha një banor.
“Ne jemi këtu të mbrojmë ajrin e pastër, tokën pjellore dhe ujin e pastër. Faktori njeri e ndot ajrin s`ka më 75 për qind azot e as 20 për qind oksigjen, por nga faktori njeri. Këtu hedhin vetëm mbeturina, këtu na dalin vetëm gazra toksik,” theksoi një banor tjetër.
Kreu i këshillit protestues Fatmir Limani akuzon komunën e Kërçovës se bën marrëveshje fiktive dhe keqpërdor vulat e bashkësive lokale të këtyre fshatrave, me qëllim që të tregojë se ka marrëveshje me banorët për ti hedhur mbetjet këtu.
“Flitet se kanë bë marrëveshje bashkësitë vendore dhe organet komunale, por çfarë marrëveshje është kjo kur parcelat që janë në kuadër të xeherores, nuk janë në pronësi as të bashkësisë vendore as të Ministrisë e as të komunës. Kjo është e pavlefshme, dhe e dyta me Ligjin e ri për administrim lokal, bashkësive vendore iu janë marrë ingerencat, madje këta bëjnë edhe krim, duke shfrytëzuar vulat e bashkësive vendore të cilat që me sjelljen e ligjit të ri kanë pasur afat ta kthejnë atë dhe mos e keqpërdorin vulën, pra këtu bëhet edhe krim i organizuar. Por edhe nëse kanë krijuar bashkësi vendore, kush janë t’i shohim, janë gjithë kryetar dhe nënkryetar të degëve dhe nëndegëve të subjekteve politike,” tha Fatmir Limani, Kryetar i këshillit protestues.
Kreu i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari hodhi poshtë akuzat dhe pretendimet se pa marrëveshje janë hedhur mbeturinat në fushat e Osllomesë, ndërsa protestën e banorëve e quan politike.