Barbadosi bëhet republikë, ndërpret lidhjet perandorake me Britaninë

    Mbretëresha Elizabeth do të ketë “një mbretëri” më pak pas kësaj jave, kur Barbados të ndërpresë lidhjet e tij përfundimtare perandorake me Britaninë duke hequr 95-vjeçaren si kreun e shtetit dhe duke e shpallur veten republikë.

    Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ish-kolonia britanike – e cila fitoi pavarësinë në vitin 1966 — ringjalli planin e saj për t’u bërë një republikë shtatorin e kaluar me guvernatoren e përgjithshme të vendit, Sandra Mason, duke thënë se “ka ardhur koha për të lënë pas të kaluarën tonë koloniale”.

    Mason, një ish-juriste 73-vjeçare, do të betohet si presidenti i parë i vendit ishullor me pak më pak se 300,000 banorë në një ceremoni vonë të hënën mbrëma.

    Parlamenti i vendit zgjodhi Mason muajin e kaluar.

    I pranishëm në festime do të jetë Princi Charles, trashëgimtari i fronit britanik dhe kreu i ardhshëm i Commonwealth.

    Ai mbërriti në Barbados të dielën vonë për tranzicionin ceremonial, pas një ftese nga kryeministrja Mia Amor Mottley.

    Vendimi i Barbados shënon herën e parë në gati tre dekada që një mbretëri ka zgjedhur të heqë monarkun britanik si kreun e shtetit.

    Kombi i fundit që e bëri këtë ishte ishulli i Mauritius në 1992. Ashtu si ai vend, edhe Barbados synon të mbetet pjesë e Commonwealth-it.

    Një burim mbretëror i tha CNN vitin e kaluar se vendimi ishte një çështje e qeverisë dhe popullit të Barbados, duke shtuar se ai nuk ishte “i papritur” dhe ishte “diskutuar dhe folur publikisht” shumë herë.

    Ndryshimi vjen gati 400 vjet që kur anija e parë angleze mbërriti në ishujt më lindorë të Karaibeve.

    Barbados ishte kolonia më e vjetër e Britanisë, e vendosur në vitin 1627 dhe “e qeverisur në mënyrë të pandërprerë deri në vitin 1966”, sipas Richard Drayton, profesor i historisë perandorake dhe globale në Kings College London. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    Talibanët kërkojnë ndihmën e BE-së për aeroportet afgane

    Lajmi i rradhës

    Çerdhja në Shkup u lëshon fëmijëve muzikë “turbofolk” | Edukatorja i pyet fëmijët se nga i dini këto këngë (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë