Barnat nuk njohin krizë në RMV

    Ashtu si mbarë vendi, edhe Dibra dhe fshatrat përreth janë prekur nga shtrenjtimet të të gjithë artikujve. Shtresat të cilat janë goditur sidomos janë pensionistët, familjet të cilët marrin ndihmë sociale por edhe të punësuarit në disa sfera ku rrogat mujore janë të ulëta. Ulja drastike e standardit është prezente dhe ajo ndjehet si në furnizimin e ushqimeve, sigurimin e veshmbathjes por jo edhe tek sigurimi i barnave të cilat janë të nevojshme për shëndetin e popullatës. Deri sa ka një ulje drastike të xhiros në rrjetin tregtar, tek barnatoret vazhdon të funksionojë xhiroja ditore e barnave edhe atë me një intensitet të shtuar. Prandaj dibranët me të drejt thonë: “barnat nuk njohin krizë”.

    Mbi 80 për qind e pensionistëve dibranë marrin pensione të ulëta. Këto të dhëna të cilat janë marrë nga institucionet kompetente tregojnë qartë se standardi i moshës së tretë është tejet i ulët. Pikërisht kjo moshë ballafaqohet me probleme sociale. Në bisedën që patëm me disa pensionist në Dibër ata na thanë se me shumë vështirësi kalojnë muajin. Astrit. T. është 68 vjeçar thotë se ka pension rreth 12 mijë denarë. Ai sqaron se ka një fëmijë dhe bashkëshorten dhe me parat që merr kalon vetëm javën e parë të muajit.

    “Ditët tjera kemi krizë të rëndë familjare dhe problemet për çdo ditë janë prezent. Por, duke marr parasysh shëndetin tim dhe bashkëshortes jemi të detyruar që çdo javë të sigurojmë medikamente në pjesën më të madhe me parat tona. Për medikamente çdo muaj harxhojmë mbi 4 mijë denarë”, thotë ai.

    Në anketën që bëmë me dhjetë pensionist dibran, tetë prej tyre pothuajse na i përsëritën fjalët e Astritit. Në shoqatën e pensionistëve në Dibër poashtu potencojnë gjithmonë kërkojnë pensione më të larta meqë pjesa më e madhe e tyre ka pensione shumë të ulëta. Prandaj kjo shoqatë për çdo vit ka bërë tendenca që të sigurojë produkte ushqimore, dru për nxehje edhe atë me këste që pensionistët të tejkalojnë sado pak problemet sociale.

    Biseduam edhe me përfaqësues të rrethit tregtar. Ata thonë se ka një rënie të madhe të xhiros ditore sidomos tek produktet ushqimore, por edhe tek ata që shesin teknik të bardhë mobilieri, etj. Deri sa në biznesin tregtar pronarët ankohen, kjo nuk ndodh tek pronarët e barnatoreve në Dibër. Ka një rritje të numrit të barnatoreve dy vitet e fundit dhe sipas pronarëve xhiroja e shitjes së medikamenteve shënon rritje. Në bisedën që patëm me farmacistët dibran u informuam se më të shpeshtë si klient janë pensionistët dhe të sëmurit kronik. Farmacisti dibran Ilir Dovolani, thotë se nuk ka ulje të xhiros të barnave. Ne si barnatore sigurojmë në kohë të gjithë barnat me qëllim që popullata respektivisht pacientët të jenë të kënaqur me barnat të cilët atyre u nevojiten. Ai shton se bie në sy fakti se mosha e tretë është dominante në blerjen e barnave.

    “Shumë barna jepen me receta të cilët ne në mënyrë elektronike i marrim nga mjekët tanë por ka barna të cilët nuk janë në listën e barnave që merren me recetë. Prandaj klientët janë të rregullt dhe një pjesë e tyre duke marrë parasysh pozitën e rëndë sociale shpesh herë barnat i marrin duke u regjistruar në fletoren e borxhlinjve”, thotë Dovolani. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KORRUPSION QEVERITAR NË EMËR TË BE!

    Lajmi i rradhës

    Sa mbrohet konsumatori në Maqedoninë e Veriut!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë