BASHKIMI EUROPIAN REFUZON TEUTA ARIFIN PËR AMBASADORE

    Propozimi i Qeverisë së Maqedonisë për ambasador në BE, në Bruksel, për të dërguar Teuta Arifin, figurë e njohur e BDI-së, nuk e ka kaluar filtrin e Bashkimit Europian, mëson MKD.mk nga burime konfidenciale diplomatike, përcjell Nistori.

    Teuta Arifi, ish-kryetarja e komunës së Tetovës, e cila pas përpjekjes së pasuksesshme për t’u dërguar në Uashington, në mars të këtij viti u propozua për ambasadore në BE nga qeveria e Maqedonisë. Plani i mëparshëm i koalicionit qeverisës që Arifi të dërgohet si ambasadore në ShBA nuk i ka kaluar filtrat e Departamentit të Shtetit në Uashington. Heshtjen e Uashingtonit për një vendim të tillë kadrore, MPJ e Maqedonisë e ka kuptuar si mosmarrëveshje.

    Pas vendimit të qeverisë së marsit, partia opozitare Aleanca për Shqiptarët kërkoi që Bashkimi Europian të refuzojë akreditimin për Teuta Arifin.

    “Është detyrë e jona, si qytetarë të këtij vendi dhe si opozitë, të kërkojmë nga BE që të refuzojë akreditimin e Teuta Arifit. Akreditimi i saj do të ishte një sinjal shumë i dëmshëm për drejtësinë, sepse fitimi i imunitetit diplomatik të Arifit do të nënkuptonte ndërprerjen e rasteve të saj penale.” – tha Arben Fetai, shef i Departamentit të Integrimeve Europiane të Aleancës për Shqiptarët.

    “Në zgjedhjet e fundit lokale, Teuta Arifi humbi funksionin e kryetares së Komunës së Tetovës. Ajo është dënuar nga tetovarët për shkatërrimin që i bëri Tetovës si kryetare komune me pushtetin e korruptuar në dy mandate. Ndaj Teuta Arifit janë ngritur dy kallëzime penale për korrupsion. Ajo negocioi privatizimin e 71,000 metra katrorë të ish-Pyjeve dhe Kompleksit Industrial “Jellak” në qendër të Tetovës për të lejuar oligarkun pro-rus dhe ish-ministrin e Radovan Karaxhiçit, Daka Davidoviq që të fitonte 200 milionë euro në një operacion të pasurive të paluajtshme. Arifi pranoi se kishte nënshkruar më shumë se 800 kontrata fiktive për të shpërblyer aktivistët e partive dhe mbështetësit politikë me paratë e taksapaguesve. E la komunën më shumë se 24 milionë euro borxh, ndërsa buxheti vjetor i komunës është 26 milionë. Si ish-kryetare e Komunës së Tetovës, ajo duhet të marrë përgjegjësinë për tragjedinë në spitalin Covid ku në shtator të vitit 2021 humbën jetën 14 pacientë.” – deklaruan nga ASh.

    “Fitimi i imunitetit diplomatik të Arifit do të nënkuptonte ndërprerjen e procedurës penale kundër saj. Kjo nuk duhet të ndodhë! BE-ja nuk duhet të përdoret kurrë si mburojë nga të korruptuarit. Prandaj i bëjmë thirrje BE-së që të refuzojë akreditimin e Teuta Arifit. Një gjë e tillë është e mundur, siç e dëshmuan ShBA-të në rastin e Frçkoskit. Tani i takon BE-së të provojë se nuk ka vend për të korruptuarit në Bruksel”, thonë ndër të tjera nga Aleanca e Shqiptarëve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Keqpërdorën pozitën zyrtare, mashtruan gjatë shfrytëzimit të mjeteve nga BE – policia paraqiti kallëzim penal

    Lajmi i rradhës

    Si ndikon për shëndetin e trurit zgjimi herët në mëngjes

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë